Filozofët inspirojnë socialdemokratët me ide të reja
7 Gusht 2012Në një union fiskal "mund të merren përgjegjësitë, për tu mbrojtur së bashku kundër normave të tepruara të interesit," tha Sigmar Gabriel, kryetari i Partisë Socialdemokrate gjermane duke patur parasysh mbajtjen e përbashkët të përgjegjësive për borxhet. Kryetari i Socialdemokratëve theksoi se hapat e tjerë për integrimin politik nuk do të jenë e mundur të hidhen në fund, "pa pyetur më parë popullin". Sepse për të arritur një bashkim monetar në Evropë, Gjermanisë do i duhet të heqë dorë nga një pjesë e sovranitetit kombëtar.
Në gazetën "Berliner Zeitung" u botua më parë propozimi i filozofëve Jürgen Habermas si dhe Julian Nida-Rümelin bashkë me atë të ekonomit Peter Bofinger, të cilët propozojnë mbledhjen e një Konvente Kushtetuese për të përpunuar ndryshimet kushtetuese, të cilat do të duhet pastaj të votohen nga populli në një referendum. Të tre profesorët i patën formuluar idetë e tyre si një dokument që mund të përdoret për diskutim programatik mes socialdemokratëve.
Në një intervistë për gazetën Sigmar Gabriel, flet edhe për përgjegjësi të përbashkët për borxhet e shteteve të euros duke ushtruar njëkohësisht kontroll të përbashkët të buxheteve. Kryetari i Socialdemokratëve përfaqëson pikëpamjet se këtu kemi të bëjmë me një korrektur në kursin e politikës evropiane. Ai vetë dhe kryetari i fraksionit Frank-Walter Steinmeier kanë bërë prej muajsh thirrje për një politikë të përbashkët evropiane fiskale dhe ekonomike.
Pro ndarjes së borxheve nëpërmjet obligacioneve evropiane ose pro fondit për ndarjen e borxheve, të cilat refuzohen kategorikisht nga qeveria gjermane, janë shprehur ndër të tjera edhe presidenti francez
François Hollande dhe kryeministri italian Mario Monti. Në këtë mënyrë mund të pengohet shpërbërja e bashkimit monetar. Njëkohësisht do të ulej presioni për bërjen e reformave. Për rreziqet që ekzistojnë nga kjo, paralajmërojnë edhe profesorët krah Habermas-it duke argumentuar se për të mbajtur kontroll evropian të buxheteve është e nevojshme që sovraniteti i parlamenteve kombëtare t`i kalojë Brukselit.
Koalicioni qeveritar në Berlin i përbërë nga konservatorët dhe liberalët, nuk pranon asnjë nga propozimet e kryetarit të partisë më të madhe në opozitë. Kryetari i fraksionit të Unionit Kristiandemokrat- Kristiansocial, Michael Meister i tha gazetës "Handelsblatt online" se: "Propozimi i Gabrielit do të thotë që punëmarrësit, pensionistët, kursimtarët dhe firmat të duhet të paguajnë për borxhet e vendeve të tjera anëtare." Si deputet i parlamentit ai ndihet i detyruar ndaj këtyre njerëzve dhe jo ndaj Internacionales Socialiste. Kryetari i fraksionit të demokratëve liberalë Rainer Brüderle mendon se Gabriel kërkon unionizimin e borxheve në Evropë. "Të harxhosh para që nuk i ke, dhe pastaj të kërkosh që të paguhen nga të tjerët, është një recetë e gabuar që është përdorur nga ish qeveria e socialdemokratëve dhe të gjelbërve." Ky propozim tregon se socialdemokratët kërkojnë union të borxheve, tha Brüderle.