1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Ballkani

Fillon zyrtarisht fushata elektorale në Kosovë

Në zgjedhjet e përgjithshme të parakohshme të 11 qershorit garojnë 5 koalicione, 19 parti politike dhe 2 inciativa qytetare. 1.9 milion qytetarë të Kosovës kanë të drejtë vote.

Në Kosovë nisi zyrtarisht sot (31.05. 2017) fushata zgjedhore për zgjedhjet e përgjithshme të 11 qershorit. Fushata do të zgjasë vetëm 10 ditë për shkak që këto zgjedhje janë të parakohshme. Një muaj më parë, Parlamenti  nuk i vazhdoi besimin qeverisë së udhëhequr nga Isa Mustafa. Komisioni Qendror i Zgjedhjeve njoftoi se për këtë zgjedhje janë regjistruar 5 koalicione, 19 parti politike dhe 2 iniciativa qytetare. Të regjistruar si votues në Kosovë janë afro 1.9 milion votues. Parlamenti i Kosovës do të ketë 120 deputet. Kryetarja e KQZ-së, Valdete Daka, thotë se "zgjedhjet e lira dhe demokratike janë themeli i angazhimit institucional" dhe se "qëllimi është që zgjedhjet të gëzojnë besimin e qytetarëve dhe akterëve tjerë të procesit zgjedhor”.

Thirrje për respekt

"I ftoj subjektet politike që të respektojnë plotësisht detyrimet kushtetuese dhe ligjore. Vetëm në këtë mënyrë, duke u angazhuar të gjithë bashkërisht, do të arrijmë që 11 qershorin ta kthejmë në një ditë feste për qytetarët e vendit tonë”, thotë kryetarja e KQZ-së, Valdete Daka. Edhe përfaqësuesit e zyrës së BE-së në Kosovë, kanë bërë thirrje për respektim të rregullave zgjedhore dhe në të njëjtën kohë ftojnë qytetarët e Kosovës që të dalin në zgjedhje dhe të ushtrojnë të drejtën e tyre të votës, pasi vetëm kështu do të ruhet demokracia në vend”.

"Zyra e BE-së në Kosovë u ka bërë thirrje partive politike që të sigurohen se kanë propozuar kandidatë të përshtatshëm për pozita të larta që ata do të mbajnë. Kosova meriton përfaqësues të pozitës dhe të autoritetit të lartë moral”, thuhet në deklaratën për mediet nga zyra e BE-së në Kosovë. Zgjedhjet e përgjithshme të parakohshme në Kosovë edhe kësaj radhe do të vëzhgohen nga shumë vëzhgues vendorë dhe ndërkombëtar. Ndonëse akoma nuk dihet numri i saktë, përfaqësues të KQZ-së, thonë se deri më katër qershor është afati i fundit i regjistrimit të vëzhguesve.

"KQZ ditë më parë ka nënshkruar një memorandum bashkëpunimi me Bashkimin Evropian dhe presim që të kemi 100 vëzhgues vetëm nga Bashkimi Evropian, të cilët do të jenë në Kosovë, pak para zgjedhjeve dhe ditën e zgjedhjeve. Numrin e përgjithshëm të vëzhguesve, akoma nuk e dimë, sepse do të ketë vëzhgues edhe nga subjektet politike, organizatat joqeveritare vendore dhe organizatat ndërkombëtare. Procesi i aplikimit të vëzhguesve është i hapur deri më katër qershor”, thotë zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi. Në vëzhgimin e këtyre zgjedhjeve do të jenë e pranishme shumë organizata të shoqërisë civile.

Koalicionet e mëdha

Kosova hynë në zgjedhjet e parakohshme të 11 qershorit, me koalicione të mëdha parazgjedhore, praktikë kjo që për herë të parë po ndodhë në Kosovë. Dy partitë më të mëdha, Partia Demokratike e Kosovës (PDK) dhe Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) tashmë garojnë në dy blloqe të mëdha koalicionesh, ndërsa, Lëvizja Vetëvendosje garon e vetme.

Partia Demokratike e Kosovës (PDK), së bashku me Aleancën për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) dhe Nismën, garojnë në një koalicion, me pretendentin për postin e kryeministrit, Ramush Haradinaj.

Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK), së bashku me Aleancën Kosova e Re (AKR) dhe Alternativën, garojnë në një koalicion siç thonë të djathtë, me pretendentin për kryeministër, Avdullah Hoti, ministër i financave në qeverinë e Isa Mustafës. Ndërsa, Lëvizja Vetëvendosje garon e vetme, me Albin Kurtin në krye të listës.

Analistët politikë thonë se krijimi i dy blloqeve të mëdha politike në Kosovë thuhet të jetë një përgjigje ndaj sistemit zgjedhor i cili tashmë është vërtetuar se favorizon koalicionet parazgjedhore.

Në zgjedhjet e 11 qershorit garojnë edhe disa subjekte politike serbe, ndër to edhe lista serbe, ”Srpska”. Autoritetet e Serbisë, përfshirë edhe presidentin e zgjedhur Aleksandër Vuçiq, favorizojnë hapur listën "Srpska”, duke theksuar se "kjo listë është e vetmja që përfaqëson interesat e serbëve të Kosovës dhe ka mbështetjen e Qeverisë së Serbisë”.

Fushata për zgjedhjet e përgjithshme mbyllet më 9 qershor, ndërsa, me 11 qershor afro 1.9 milion qytetar të Kosovës kanë të drejtë të hedhin votën e tyre.