1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Fillon gjyqi ndaj personit që sulmoi shtëpinë e Hashim Thaçit

Bekim Shehu / Prishtinë10 Qershor 2008

Në Prishtinë, ka filluar procesi gjyqësor ndaj personit që sulmoi shtëpinë e kryeministrit, Hashim Thaqi, të premten në mesnatë. Gjykata akoma nuk e ka dhënë vlerësimin e saj

https://p.dw.com/p/EGrp
PrishtinëFotografi: AP

Në gjykatën e qarkut në Prishtinë, ka filluar procesi gjyqësor ndaj, Fazlli Sejdiut 19 vjeçar, i cili akuzohet për sulm ndaj shtëpisë së kryeministrit të Kosovës Hashim Thaqi dhe familjes së tij. Fazli Sejdiu, me vendbanim në Prishtinë, pati tentuar të premtën në mesnatë të futet në shtëpinë e kryeminirit Thaqi, mirëpo ai u ndalua nga sigurimi i kryeministrit, me çrast u plagos nga armët e zjarrit. Nga hetimet e para të policisë, u tha se i dyshuari ka kryer vepër penale me qëllim përfitimi material, duke tentuar të vjedhë në shtëpinë e kryeministrit, pa e ditur se ajo është shtëpia e Hashim Thaqit.

Qeveria e Kosovës dhe institucionet tjera të vendit vazhdojnë ta cilësojnë këtë rast si sulm ndaj kryeministrit dhe familjes së tij dhe kanë kërkuar nga organet e rendit që ta zbardhin rastin në tërësi dhe fajtori të marrë dënimin e merituar. Kryeministri i Kosovës, Hashim Thaqi, në një deklaratë të tij, tha se qeveria e Kosovës është e vendosur të vazhdojë betejën kundër së keqes, për të mirën e vendit dhe të gjithë qytetarëve të saj. Madje, ai tha se ata që janë kundër bartësve të institucioneve dhe pavarësisë do të ndëshkohen nga ligji dhe nga vota e qytetarëve. Mirëpo, kryeministri nuk pranoi të thotë, nëse prapa këtij sulmi qëndron ndonjë formacion politik edhe pse në reagimin e parë të qeverisë të bërë nga zëvëndëskryeministri, Hajredin Kuqi, u la të nënkuptohej se prapa sulmit mund të qëndrojë ndonjë formacion politik.

"fakti që dikush ka bërë përpjekje ta lëndojë kryeministrin dhe familjen e tij, për çfarëdo motive, nuk është vetëm veprim kriminal por, që kalon çfarëdo kufiri të urrejtjeve qoftë edhe padurimin apo urrejtjen politike. Si rrjedhojë e kësaj situate të rëndë, qeveria ka urdhëruar ngritjen e masave të sigurisë për bartësit e institucioneve të Kosovës dhe për qytetarët e Republikës së Kosovës", thotë Kuqi.

Sidoqoftë, gjykimi ndaj Fazli Sejdiut, shqiptar i Kosovës i cili tentoi të futet në shtëpinë e kryeminstrit, Hashim Thaqi, akoma po vazhdon dhe gjykata ende nuk e ka dhënë fjalën e saj. Megjithatë, qeveria ka urdhëruar ngritjen e masave të sigurisë për bartësit e institucioneve të Kosovës, madje ka formuar një komision, i cili do të vlerësojë se në çfarë shkalle duhet ngritur masat e sigurisë.