1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Bota

Fillon dialogu gjermano - rus

Në Shën Peterburg fillon sot samiti gjermano-rus. Megjithëse kriza e Gjeorgjisë ka hedhur hije në konsultimet mes dy vendeve, dialogu nuk do të ndërpritet. Kjo, jo vetëm për shkak të krizës financiare.

Në Shën Peterburg mbahet samiti gjermano-rus, 3 tetor 2008

Në Shën Peterburg mbahet samiti gjermano-rus, 3 tetor 2008

Kur në vitet e fundit për në samitin gjerman - rus udhëtonin kancelari Shrëder apo kancelarja Merkel, shoqëroheshin gati nga i gjithë kabineti qeveritar. Sot në Shën Peterbrug në samitin e dhjetë gjermano-rus, niveli i përfaqësimit ministror është reduktuar. Gjashtë ministra do të shoqërojnë kancelaren gjermane dhe nuk është parashikuar fjetja në Shën Peterburg. E gjitha kjo simbolizon: Pas konfliktit të Gjeorgjisë marrëdhëniet me Rusinë nuk janë kthjelluar plotësisht. Konsultimet gjermano-ruse që fillojnë ditën e sotme në Shën Peterburg dhe ku merr pjesë edhe ministri i jashtëm gjerman, Frank Valter Shtajnmajer zhvillohen në një kohë kur po instalohet në Gjeorgji misioni i vëzhguesve të BE-së, me 25 pjesëmarrës nga Gjermania, e kur trupat ruse kanë vetëm dhjetë ditë kohë për t'u tërhequr nga zona e sigurisë në Osetinë e Jugut. Respektimi i marrëveshjes së arritur mes presidentit francez, Nikola Sarkozi dhe atij rus, Dimitri Medvedjev është kusht për zhvillimin e samtit të tetorit dhe fillimin e negociatave për marrëveshjen e partneritetit me Rusinë.

Drejtori i departamentit të politikës së jashtme në zyrën e kancelares, Kristof Hojsgen (Christoph Heusgen) para fillimit të konsultimeve gjermano-ruse në Shën Peterburg është shprehur: "Sigurisht do të qëndrojnë në rend të ditës tema si konflikti në Kaukaz dhe Gjeorgjia, por marrëdhëniet me Rusinë prekin një spektër të gjerë çështjesh. Marrëdhëniet ekonomike janë zhvilluar mjaft mirë edhe gjatë krizës në Kaukaz, kjo do të ndodhë edhe më tej, dhe bisedimet mbi krizën në Kaukaz nuk do të rëndojnë këtë çështje."

Ekonomia gjermane po bën presion për dërgimin e sinjaleve pozitive për Rusinë nga samiti i Peterburgut. Sipas përfaqësuesve të ekonomisë, Gjermania është partneri më i rëndësishëm në tregtinë e jashtme për Rusinë dhe nga ana tjetër Rusia është furnizuesi kryesor energjitik i Evropës. Një delegacion i vogël ekonomik shoqëron kancelaren Merkel dhe ministrin e ekonomisë, Mihael Glos. Pikërëndesa e bisedimeve në këtë sektor: efiçienca energjitike dhe teknologjitë në sistemin shëndetësor. Në samit pritet miratimi i një plani aksioni gjermano-rus për shëndetësinë.

Gjithashtu në axhendën e ditës është futur edhe një temë tjetër aktuale. Edhe Rusia është prekur nga kriza finaciare ndërkombëtare. Kristof Hojsen: "Bursa ruse ka humbur gati gjysmën e vlerës së saj, disa banka ruse kishin dhe kanë probleme mjaft të mëdha për shkak të krizës. Ministrat e financave të të dyja vendeve diskutojnë në samit edhe krizën në tregjet financiare."

Pasi kancelarja gjermane ka bërë fjalë për mos këputjen e fillit të dialogut edhe në kohë të vështira diplomatike, pritet që nga samiti i Shën Peterburgut të dërgohen sinjale riafrimi megjithë dobësimin e marrëdhënieve. Kështu Merkel do të qëndrojë për disa orë pas samitit në Peterburg për një darkë me presindetin rus, Medvedjev.

  • Data 02.10.2008
  • Autor Gerd Depenbrok
  • Shpërndajeni Dërgo Facebook google+
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink http://p.dw.com/p/FT4p
  • Data 02.10.2008
  • Autor Gerd Depenbrok
  • Shpërndajeni Dërgo Facebook google+
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink http://p.dw.com/p/FT4p