Fillimi i sezonit të Bundesligës dhe çështja e pasqaruar e patinatores gjermane Pechstein
7 Gusht 2009Sporti zë një vend të rëndësishëm në artikujt e gazetave gjermane të së premtes (07.08). Fillimi i sezonit të Bundesligës dhe çështja e pasqaruar e patinatores gjermane Pechstein e pezulluar nën dyshimin për doping janë tema që tërheqin vëmendjen e komentatorëve.
Lidhur me sezonin e ri të Bundesligës gazeta "Mittelbayerische Zeitung" komenton:
"Për futbollin gjerman ka interes, shtëpitë mbushen plot me tifozë e po ashtu edhe stadiumet më të bukura. Kompania e konsulencës për ndërmarrjet Ernst & Young sapo ka publikuar një studim, ku konstatohet, se atje ku derdhet shumica e parave, është më e madhe edhe pabarazia financiare. Formuluar ndryshe: Në Spanjë, në Angli dhe në Itali fitues janë gjithmonë të njëjtët. Pasoja është: monotoni dhe rënie e numrit të spektatorëve. Në të kundërt Bundesliga në këtë studim merr notën më të mirë sa i përket vlerës argëtuese. Askund tjetër në Evropë shifrat e spektatorëve nuk janë kaq të larta."
Sa i përket diskutimit lidhur me rastin e patinatores Pechstein, fituese e Olimpiadës në ecje të shpejtë në akull, që është pezulluar nga garat edhe pse dyshimet për doping nuk janë vërtetuar, gazeta "Märkische Allgemeine" shkruan:
"Pavarësisht si do të përfundojë grindja për patinatoren Pechstein, një gjë është e sigurtë: Lufta kundër dopingut në gjak në sportin profesionist nuk mund të fitohet me mjetet dhe metodat e deritanishme. Kontrollet janë të shmangshme ose të manipulueshme. Gjykimet mbi bazën e treguesve, si e praktikoi për herë të parë në rastin e Pechstein, Unioni Ndërkombëtar i Ecjes në Akull, qëndrojnë mbi baza jashtëzakonisht të lëkundshme si në aspektin përmbajtësor ashtu edhe në atë juridik. Tek e fundit nuk u dëshmua, që fituesja e Olimpiadës Pechstein ka përdorur doping. Vlerat e saj të gjakut vërtetë të ngjallin dyshime, por a mjaftojnë ato për ta pezulluar atë? E si duhet vepruar lidhur me gabimet në proces? Këto gabime vërtetë nuk dëshmojnë për pafajësinë e Pechstein, por në rastin më të keq ato mund të jenë në dobi të 37-vjeçares."
Autor: Vilma Filaj-Ballvora
Redaktor: Pandeli Pani