1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Bota

Filipinet pas tajfunit Haiyan

Pas tajfunit shkatërrues në Filipine ndihma për të mbijetuarit vjen shumë ngadalë. Aeroportet dhe rrugët janë të prishura dhe të bllokuara. Policia premton se do marrë masa kundër grabitësve.

Vetëm në provincën më të prekur Leyte me qytetin krejtësisht të shkatërruar Tacloban janë rreth 10.000 njerëz, që kanë nevojë për ndihmë urgjente. Gjithsej së paku 400.000 vetë nuk kanë çati mbi kokë dhe nuk kanë çfarë të hanë. Katër milionë njerëz luftojnë me pasojat e tajfunit Haiyan. Në Filipine fillon tani lufta kundër kohës dhe beteja kundër kohës për të mbijetuar.Në provincën Samar kanë nisur aksionet e pastrimit, ngritja e shtyllave të tensionit të lartë dhe largimi i objekteve që ka sjellë me vete tajfuni. Shkatërrimi është aq i madh, saqë duket sikur punimet nuk ecin. Rrjeti elektrik është prishur, uji i pijshëm është i pakët, nuk funksiononin thuajse asnjë lidhje telefonike. Pastaj vjen një lajm i mirë. Në Tacloban është rivendosur një shtyllë telefoni, për të vendosur kontaktin me botën e jashtme. Por ky është vetëm një sukses i vogël, që mbulohet nga grabitjet, sepse njerëzit nuk kanë asgjë për të ngrënë. Një gjendje gati e pashpresë. Një i mbijetuar tregon:

"Çdo gjë është shkatërruar, çdo gjë është zhdukur. Unë kam vetëm rrobat, që mbaj në trup dhe fëmijën tim."

Qeveria premton marrjen e masave kundër grabitëseve

Presidenti filipinas Benigno Aquino ka shkuar në zonën e katastrofës. Ai ka premtuar marrjen e masave të rrepta kundër grabitësve. Kjo do të jetë e vështirë, sepse një pjesë e madhe e policëve në Tacloban nuk është paraqitur aspak në punë. Aquino ka lëshuar parullën: e gjithë ndihma për të mbijetuarit. "Eshtë e tmerrshme, që ka kaq shumë të humbur. Që janë kaq shumë të vdekur, numri i të cilëve tashmë është i njohur. Por tani ne duhet të kujdesemi së pari dhe mbi të gjitha për ata, që kanë mbijetuar dhe kanë nevojë për ndihmë, dhe sidomos për të plagosurit. Ne kemi nevojë për ushqim dhe ujë."

Në Tacloban janë konfirmuar deri tani zyrtarisht treqind të vdekur, kufomat duhen transportuar, në rast të kundërt ekziston rreziku i përhapjes së epidemive. Dhe shumë të mbijetuar nuk kanë më fuqi, si kjo grua. "Unë duhet të kërkoj ndihmë, nuk kam më shtëpi. Nuk kam para, nuk më ka mbetur më asgjë. "Akoma disa vende në bregdet janë të shkëputura nga bota, në to nuk arrijnë dot ndihmat. Skuadrat e shpëtimit po përpiqen të depërtojnë atje. Ndihmat vijnë nga kryeqytgeti Manila dhe nga jashtë: ujë i pijshëm, ilaçe, batanije, çadra. Por është shumë e vështirë që ata të transportohen deri tek njerëzit në nevojë, sepse aeroportet dhe rrugët ose janë shkatërruar, ose janë bërë të pakalueshme.

Tajfuni Haiyan, që ka shkatërruar 600 kilometër në Filipine, ka kaluar në Vietnam. Mbi detin e Kinës jugore ai është dobësuar në një stuhi tropikale, e cila goditi në mëngjesin e së dielës me shpejtësinë e erës deri në 120 kilometra në orë bregdetin në afërsi të Halong Bay. Kryeqyteti i Vietnamit Hanoi pret rreshje të dëndura, por ndoshta jo një fatkeqësi të krahasueshme me atë në Filipine.