1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Bota

Ferri në Tokë: Filmi "Botticelli Inferno"

Vepra e tij „Lindja e Venusit“ është e njohur në mbarë botën. Megjithatë filmi paraqet edhe anën e errët të piktorit Botticelli.

Flash-Galerie Kunst + Film Filmkunst Boticelli

Pikturat e Botticellit si "Lindja e Venusit" konsiderohen edhe sot si bukuri e mirëfilltë. Për këtë admirohet edhe sot mjeshtri i Rilindjes. Vazhdimisht njerëzit vendosin lule dhe letra tek varri i tij i thjeshtë në kishën Ognissanti në Firence. Si shumë artistë të tjerë të kohës së tij Botticelli krijonte me porosi të familjes më me influencë Medici.

Një ditë ai mori porosinë të ilustrojë "Komedinë hyjnore" të Dante Alighierit. Në të Dante rrëfen udhëtimin e tij përmes ferrit dhe parajsës i shoqëruar nga poeti roman Virgjil. Ilustrimi i kësaj vepre është një porosi që e nderon Botticellin, sepse poemat e Dante konsiderohen edhe 100 vjet pas vdekjes së tij si vepra më e rëndësishme e poezisë italiane.

Me 100 piktura përmes ferrit

Botticelli i hyn punës dhe skicon si rrjedhojë mbi 100 piktura. Ai merret shumë vite me këtë vepër, sepse synon të gjejë shprehjen e përshtatshme për secilën poemë, duke dashur ta vizualizojë atë në mënyrën më optimale të mundshme. Sot koncepti i tij mund të cilësohej si Graphic Novel.

Një ndër pikat kulmore të ciklit të Botticellit është "Mappa dell'Inferno" një lloj udhërrëfyesi përmes ferrit të Dantes në formën e një hinke. Ai i paraprin ilustrimeve të tjera dhe përshkruan me një vështrim rrathët e ndryshëm të ferrit, që Dante i kalon me Virgjilin.

E veçanta në të është, se në vend që - siç ishte e zakonshme atëherë - të bënte piktura të veçanta për secilën vjershë të Dantes, Botticelli ia del që me hartën e tij (mappa dell'Inferno) të krijojë një vazhdimësi në hapësirë dhe në kohë. Në një pergamenë të vetme ai rrëfen të gjithë rrugëtimin e Dantes dhe Virgjilit përmes ferrit. Kjo regji pikture impresionuese dhe enigmatike është pikënisja dhe epiqendra e filmit të regjisorit Ralph Loop.

Filmat dokumentarë për artin në fakt nuk janë një sipërmarrje e lehtë. Për të mos folur më tej për vështirësinë e një filmi mbi një vepër të vetme artisitke. "Gjithçka që ke në dorë janë pikturat, që janë statike. Ke edhe njerëzit, që mund të flasin për ato, por vetëm kaq dhe asgjë tjetër", thotë për DW regjisori nga Hamburgu Ralph Loop. Një ndër rrugët për t'i shpëtuar kësaj dileme për Loop është teknika moderne. Me imazhe filmike të qarta përmes fotografive me solucion të lartë 4K, me një muzikë pompoze filmi dhe me fluturimet me dron ai sjell Firencen e asaj kohe. Lëvizjet në Bibliotekën Apostolike të Vatikanit kanë efektin si

në filmat thriller të Hollywood-it, personat e intervistuar flasin para pikturave të filmuara me xhirim të ngadalësuar. 

Ana e errët e mjeshtrit Botticelli

Qysh në fillim bëhet e qartë, se ky dokumentar do të ngjall interes. Ai do të zbulojë "një anë të errët" të Botticellit, që publiku nuk e ka ditur deri më sot. Frank Zöllner, historian arti në Universitetin e Lajpcigut dhe një ekspert i Botticelli-t e sheh këtë me sy kritik: "Ne nuk dimë thuajse asgjë lidhur me personin Botticelli, madje nuk dimë as datën e saktë të lindjes." Për këtë anë të errët të artistit nga Firence nuk ka asnjë dëshmi, mendon historiani i artit.

"Që një artist ka një anë të errët dhe e shpreh këtë, kjo është një paraqitje moderne, që nuk mund ta përdorësh për Botticelli-n. "Madje as trazirat e brendshme të Botticelli-t, për shkak të përkushtimit të tij ndaj veprës së Dantes, që paraqiten në film dhe janë përmendur nga biografi i dikurshëm i tij Giorgio Vasari, sipas Zöllner nuk janë të konfirmuara: "Ne

e dimë sot, se të dhënat e Vasarit për trazirat në vitet e fundit të jetës së Botticellit janë thjeshtë një trillim."

Megjtihatë nuk është vetëm qasja e konstruktuar me efekte misterioze që e bën interesant filmin dokumentar "Botticelli Inferno". Ajo që të bën përshtypje më shumë është kontrasti mes imazheve bombastike të xhiruara me intensitet të lartë dhe natyrshmërisë së madhe të shumicës së protagonistëve italainë të filmit, të cilët plot gjallëri dhe kuptueshëm rrëfejnë për Botticellin dhe kohën e tij.

Loop herë pas here kthehet në njënivel përgjithësues, pikërisht tek pyetja: se çfarë do të thotë ferri i Dantes në vitin 2016? Pra në thelb, çfarë besojmë ne në fakt? Zemra e filmit janë shkëmbimet herë pas here të bisedave mes humoristit italian të rrugës dhe atyre që shëtisin në një shesh të Firences. Bisedat e shkurtëra me filozofitë e së përditshmes, që në vështrim përgjithësues zhvillojnë ferrin e Botticelli-t, janë impresionuese dhe të krijojnë afërsi, gjë që është e vështirë të arrihet me një subjekt të tillë

Regisseur Ralph Loop (TV PLUS 2016/Andreas Schwenger )

Ralph Loop

.  

"Botticelli Inferno" nuk ka aspak pretendimin të ofrojë njohuri të reja të historisë së artit. Regjisori Ralph Loop bën të qartë, se "ky film nuk ka synim të kënaqë me informacion hisotrianët e artit. Ne deshëm të prodhojmë një film, që të shihet me kënaqësi nga masa e gjerë e publikut". Forca e filmit ka të bëjë me karakterin argëtues e njëkohësisht me mesazhet e tij që të bëjnë të reflektosh lidhur me qendrimin vetiak ndaj ferrit, ndaj Botticellit dhe motiveve të tij.

 

Filmi ka nisur (04.11) të shfaqet në kinematë e Gjermanisë