1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Erdogan Düsseldorf

1 Mars 2011

Fjalimi i kryeministrit turk Erdoğan në Dyseldorf shkaktoi pjesërisht reagime të ashpra brenda skenës politike gjermane.

https://p.dw.com/p/10R2Q

Fjalimi i kryeministrit turk Recep Tayyip Erdoğan shkaktoi reagime të ashpra deri indinjatë. Konstatimi i tij, se është "kryeministër edhe i turqve në Gjermani", has në refuzim kategorik po aq sa edhe kërkesa e tij, që turqit duhet të integrohen dhe të mësojnë gjermanisht, por së pari duhet të mësojnë turqisht. Me aftësi taktike ai e krahasoi islamofobinë e pamohueshme në Gjermani me antisemitizmin dhe e cilësoi atë sërish si "krim kundër njerëzimit". Ai mbështeti gjithashtu sërish integrimin, por refuzoi asimilimin dhe me këtë dobësimin e identitetit të vet kulturor.

Gjatë paraqitjeve të tij në Gjermani Erdoğan përfiton prej gabimeve shumëvjeçare të politikës gjermane të integrimit. Që shumica e turqve valëviste në masë flamuj turq dhe vetëm disa flamuj të Evropës apo gjermanë bashkë me ata turq, është një shenjë e qartë. Sepse mbi ulëset në sallë flamujtë ishin në numër të njëjtë.

Deutsche Welle Türkische Redaktion Bahaeddin Güngör
Bahaeddin GüngörFotografi: DW

Pështjellimit për integrimin duhet t'i jepet fund sa më parë nga federata dhe landet. Por për këtë lypsen vendime të guximshme duke hequr dorë në të njëjtën kohë prej aksioneve populiste antiturke në fushata zgjedhore, të cilat në Gjermani vërtet nuk mungojnë. Përndryshe hendeku midis shoqërisë shumicë gjermane dhe turqve, pavarësisht nëse kanë lindur këtu apo janë natyralizuar, do të thellohet dhe zgjerohet vazhdimisht.

Nuk bën, që presidenti Wulff të paraqitet prej revistave në kopertina si imam, vetëm sepse e ka cilësuar fenë myslimane në Gjermani si realitet. Nuk bën, që predikues urrejtjeje të denigrojnë sa s'durohet në mediet gjermane turqit dhe islamin me të dhjetën e së vërtetës, ndërkohë që arritjet e shumicës dërrmuese të integruar në Gjermani mbulohen me rrogoz.

Nuk bën, që turqve t'u hapen telashe te bashkimet familjare ose te vizat e hyrjes dhe të diskriminohen deri në fyerje, në një kohë që shtetas të tjerë, edhe jashtë BE-së, lejohen të hyjnë e të dalin pa probleme. Nuk bën më as, që ambiciet evropiane të Turqisë, të bazuara mbi konventa dhe marrëveshje, të vihen vazhdimisht në pikëpyetje, sepse Turqia ka të tjera rrënjë kulturore dhe fetare. Ose BE-ja e quan veten klub të krishterë dhe heq dorë nga pretendimi i të qenit një bashkim politik mbi bazën e vlerave të përbashkëta bashkëkohore.

Samitet e ndryshme të integrimit apo konferencat për fenë islame, të organizuara në Berlin, nuk ofrojnë stofin prej të cilit mund të qepej një politikë e mirë integrimi. Federata dhe landet duhet të nisin tani së bashku kthesën në politikën e integrimit. Tema si nënshtetësia e dyfishtë, e drejta e votimit në Gjermani, së paku në rrafsh komunal, ose zbutja e kushteve të hyrjes në Gjermani kërkojnë qasje kurajoze dhe heqje dorë nga qëndrime maksimaliste në politikën e integrimit. Përndryshe askush nuk duhet të habitet, kur Erdoğani festohet si kryeministri i të gjithë turqve, edhe në Gjermani. Shumica e turqve në Gjermani janë kundër deklaratave të tilla, por ata nuk dëgjohen për shqetësimet e tyre nga menexherët e integrimit në peizazhin politik gjerman. Në debatin për integrimin nuk mbizotëron vetëm që prej paraqitjes së Erdoğanit në Dyseldorf niveli më i lartë i alarmit.

Autor: Baheddin Güngör

Redaktoi: Aida Cama