"Fauxpas" në çështjen e Ukrainës
7 Shkurt 2014Në Ukrainën e përfshirë nga kriza shtetërore Presidenti Viktor Janukoviç ka lënë të kuptohet se është gati për lëshime të tjera ndaj kundërshtarëve të tij. Kryetari i shtetit është "përkrahës" i një ndryshimi të shpejtë të Kushtetutës, u bë e ditur nga zyra e Presidentit në Kiev, pas një takimi të Janukoviçit me zv/ministren e Jashtme të SHBA, Victoria Nuland.
Një rikthim në kushtetutën e vitit 2014, e cila i jepte Parlamentit dhe Qeverisë shumë më tepër pushtet, është një kërkesë kryesore e opozitës ukrainase. Politikani opozitar ukrainas Arseni Jazenjuk tha se fjala është për të eliminuar "pushtetin e gjerë diktatorial" të Presidentit prorus Janukoviç. Partia e Jazenjuk do të paraqesë një projektligj për një ndryshim të Kushtetutës.
"Fuck the EU"
Ndërkohë Moska ka ashpërsuar tonet në konfliktin ukrainas. Një këshilltar i rangut të lartë i Presidentit rus Putin i bëri thirrje udhëheqjes në Kiev ta shtypë protestën e opozitës. Në një situatë ku autoritetet mund ta shohin veten përballë një përpjekje për puç, nuk do t'u mbetej mundësi tjetër, tha i ngarkuari i Putinit për Ukrainën Sergej Glasjev për gazetën ukrainase "Kommersant-Ukraine". Veç kësaj ai e akuzoi SHBA se po armatos opozitarët ukrainas.
Ambasada e SHBA në Ukrainë nuk u prononcua në lidhje me këto deklarata. Gjithsesi DASH ka të tjera shqetësime për momentin: diplomatja e lartë amerikane Victoria Nuland duket se është shprehur me përçmim për Bashkimin Evropian në një telefonatë me ambasadorin e SHBA në Ukrainë. Një regjistrim i bisedës telefonike në fjalë qarkullon në internet. "Unë nuk them se nuk është autentik. Mendoj se duhet lënë me kaq", tha zëdhënësja e Ministrisë së Jashtme amerikane Jen Psaki për gazetarët. Nuland ka kërkuan ndërkohë falje pranë partnerëve në BE për fjalët e saj.
Në bisedë Nuland përshëndeste faktin që edhe Kombet e Bashkuara janë angazhuar në zgjidhjen e krizës së Ukrainës. "Kjo do të ishte e shkëlqyeshme." OKB "mund të ndihmojë për një zgjidhje përfundimtare". Më pas fjalët përçmuese në drejtim të Evropës: "Fuck the EU." Në të njëjtën kohë Nuland kritikoi edhe rolin e politikanit opozitar ukrainas Kliçko. "Nuk besoj se Kliçko duhet të jetë në qeveri. Mendoj se kjo nuk është e nevojshme. Nuk besoj se është ide e mirë."
Për Ministrinë e Jashtme të SHBA është krejt e qartë se kush e ka bërë publike telefonatën, e cila është zhvilluar ditë më parë: "Ky është një tjetër nivel i ulët i taktikës ruse të spiunazhit".