1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Evropa

Europa ime: Nostalgjia për lirinë

Në serinë „Europa ime“, shkrimtarja polake, Dorota Danielewicz beson në lidhjen e fortë të polakëve me Europën, megjithë djathtizmin në rritje në Poloni.

Polnische Schriftstellerin Dorota Danielewicz (Peter Adamik)

Dorota Danielewicz

Kam lindur në Europën Qendrore, në Poloni, një vend që në fëmijërinë e rininë time ndodhej në një situatë specifike: Nën influecën ruse, me një traditë të fortë katolike, Polonia gjithmonë i kishte drejtuar sytë nga perëndimi. Flitej për një „gjendje fatale europianoqendrore" të Polonisë, një vend i ndodhur mes „lindjes së egër" dhe fortesës së civilizimit, perëndimit. Pas 25 vitesh të një zhvillimi relativisht pozitiv, anëtarësim në BE dhe NATO, tani Polonia po anon shumë djathtas, duke u larguar nga vlerat europiane, Gjykata Kushtetuese është e kërcënuar, mediat janë në dorë të populistëve.

Por për të njohur dikë, duhet të shohësh se kujt i drejtohet nostalgjia e tij. Nostalgjia polake drejtohet gjithmonë nga Parisi, Londra, Roma Athina, New Yorku, shihej si tejzgjatje e Europës.

Radio „Europa e lirë" si kujtim fëmijërie

Që fëmijë unë dëgjoja radion „Europa e lirë". Nga Mynihu ajo na ofronte informacione që lidheshin edhe me Poloninë, informacione që cenzura polake nuk do t'i kishte lejuar. Zëri dëgjohej me vështirësi për shkak të zhurmuesve e babai im vinte vërdallë nëpër shtëpi me antenën në dorë për të rregulluar sinjalin. Dëshira për Europën ishte e fortë në një Poloni komuniste. Disa e manifestonin me dëshirën për të udhëtuar të lirë, të tjerë me përpjekjen për të krijuar lidhje intelektuale me botën europiane.

Xhaxhai im, Jerzy Danielewicz, profesor i filologjisë klasike u frymëzua për studimet  e tij nga loja që vëllai dhe babai im bënin në tavolinën e bukës. Ata të mbuluar me perde, imitonin meshën katolike dhe përsërisnin përmendësh lutje në latinisht, në një gjuhë misterioze për djemtë polakë. Ka qenë ky xhaxha që më mori në vete në një „udhëtim" në botën antike që në moshën 7 vjeçare. Xhaxhai im Jerzy më mësoi mitet romake dhe greke, më foli më Dionisin, për rrëmbimin e Europës nga Zeusi, i shndërruar në dem.

Nostalgjia polake për Europën pasqyrohej edhe në revistën politike në ekzilin parizien, „Kultura". Kryeredaktori vinte nga Minsku Jerzy Giedroyc dhe e drejtoi revistën deri në vdekjen e tij, në vitin 2000. „Kultura" botonte edhe autorë polakë, që nuk i botonin dot tekstet e tyre në vendlindje. Vite me radhë intelektualët polakë mburreshin nga pak, kur thonin „jam rritur me ‚Kultura‘".

Roli i katolicizmit

Megjithë edukimin intelektual të hapur dhe liberal të kësaj reviste, shumë lexues të saj kanë përqafuar djathtizmin. Jo vetëm Polonia, e gjithë Europa po lëviz djathtas. Tendenca për izolim, vendosja e elementit nacional në vend të parë vihen re në shumë vende. Polonisë i shtohet edhe katolicizmi i prapambetur. Së fundmi një deputete polake shkaktoi reagime të forta në mediat sociale me deklaratën e saj për „deportimin” e ateistëve. Pas Brexit, mos do të vijë një Exit i Polonisë?

Megjithkëto, mua më kujtohet Europa e ëndrrave të mia, e besimi tek ajo, më bën të mos tronditem nga zhvillimet aktuale në Poloni. Nuk ka rëndësi se çfarë vendimesh merr qeveria. Shigjetat e dashurisë së Erosit janë ngulur thellë në zemrën e polakëve. Edhe afrimi konservator me kishën katolike nuk e largon dot Poloninë, sepse ishte pikërisht krishtërimi që e lidhi Poloninë me perëndimin. E më së voni nga kjo kohë, të gjitha rrugët të çojnë drejt Romës.

Shkrimtarja Dorota Danielewicz ka lindur në Poloni e jeton prej 30 vitesh në Berlin. Libri i saj më i njohur është "Në kërkim të shpirtit të Berlinit” (2013).