1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Evropa

Europa ime: Atë që kanë perëndimorët e kemi edhe ne...

Popujt turistikë të periferisë europiane përpiqen të kompesojnë me imitime sa më shpejt të jetë e mundur avantazhin e perëndimit. Industria e re kiç dhe përpjekja e elitave për të fshehur delegjitimitetin në Ballkan.

Ivaylo Ditchev (BGNES)

Ivaylo Ditchev

Ballkani është periferia më e vjetër e Europës së modernizuar. Kjo periferi ka një shekull që ndjek një politikë kulturore, e cila e parë hollë përfundon me krijimin e kiçit. Fshirje e asaj që është e Jotja dhe mirëseardhje për të „Huajën" me prestigj – në bazë të këtij parimi ndërtohen kombet në rajon. Tek repertoari i instrumenteve bëjnë pjesë si pushtetarë në bronz lart në kalë, gjeneralë sovjetikë (sipas rajonit), godina baroke operash, piktura murale klasiciste, mite kombëtare, heronj kombëtarë dhe poetë „paqedashës". Në një ambient të panatyrshëm këto të mira të importuara kulturore nuk vetëm të huaja, por edhe dekorative: Le të marrim për shembull shembullin e një parlamenti barok festiv në Tiranë, (në një Shqipëri që deri në vitin 1990 kishte shumë pak jetë parlamentare). Apo Banka Kombëtare greke monumentale si ndërtesë, por realisht nga ana financiare qëndron në buzë të humnerës.

Popujt turistikë të periferisë europiane përpiqen të kompesojnë me imitime sa më shpejt të jetë e mundur avantazhin e perëndimit. Nën moton: Atë që kanë europianët, ne e kemi dyfish, madje trefish. Edhe ne jemi kombe krenare, si europianët, megjithëse ne i përbuzim institucionet dhe i urrejmë intelektualët tanë. Por për këtë kemi heronjtë e vrenjtur në të gjitha sheshet.

Epoka e re e ka komercializuar industrinë e kiçit. Në vend që të imitojnë të paktën ikona heroike të perëndimit nga koha të shkuara, ballkanasit përpiqen me imitime të kuluturës pop. Kur shëtit në Shkup nga stacioni i trenit tek Ura e Vardarit dhe rruga e vjetër e tregut zbulon terrenin më të populluar me monumente në botë. Një stilistikë e arkivimit, që mund ta kategorizosh diku mes Hollywoodit und Madame Tussaud. Me këtë mënyrë ky shtet përpiqet të zërë një vend në histori, mes fqinjëve xhelozë, të cilët të gjithë e shohin si pjesë të hapësirës së vet shtetërore.

Në Kosovë ish-presidenti amerikan, Bill Clinton (që lejoi bombardimin e Serbisë) është përjetësuar në një monumet, të cilin ai madje e inaguroi personalisht. Edhe George Bush Senior dhe Tony Blair janë përjetësuar në Kosovë. Serbët që përjetuan çmendurinë e luftërave orientohen më shumë tek heronjtë globalë të kulturës pop. Fshati Zhitishte u bë i njohur në botë me një skulpturë të Silvester Stallones. Në Čačak u bë tentativa për të përjetësuar Johnny Weissmüller. Aktori që luajti Tarzanin lindi në këtë fshat dhe me përleshjet në pyjet tropikalë është për ithtarët pasqyrim i kombit serb. Ndërsa në Mostar me një skulpturë të Bruce Lee synohej të kthehej koha mbrapsht, kur serbët, kroatët, boshnjakët shikonin bashkë filmat e tij. Pas një kapitalizmi të shpejtë, në Ballkan filloi një turbo e re, ajo e monumenteve.

Bullgaria e kërkon vendin e saj në këtë konkurrencë të kiçit përmes ndërtimit të kalave. Nuk mungon asgjë: Nga kullat tek katapultet-gjithçka është aty, frëngji, ura të varura, bashkë me legjendën e ofruar nga bosët e ndërtimit. 35 objekte të tilla janë ndërtuar deri më tani, të gjitha qëndrojnë mbi një bazament të pasigurtë historik dhe kundër protestës së qartë të komunitetit shkencor. Më së shumti bëhet fjalë për financime nga BE, që aplikohen përmes programit europian për zhvillimin rajonal. Do të sjellin këto kala të ardhura nga turizmi? Shumë ekspertë nuk besojnë, se turisti gjerman do të interesohej për një kala fallco, ku i veshur me kostume mesjetare, ai do të nxjerrë shpatën ta kryqëzojë me gruan e tij.

Po pse kala romake dhe mesjetare? Përgjigja kuptohet: Sepse Bullgaria dëshpërimisht përpiqet të shihet si pjesë e perëndimit, pjesë e traditës romake dhe të krishterë. Po ashtu në vitet e komunizmit ky vend për arsye koniunkturore i është servilosur sllavizmit. Mendohet se shekujt e humbur mund të rifitohen me një imitim kiç, kështu korrigjohet padrejtësia historike, befas bëhesh i barasvlershëm me ata që kanë një të shkuar të lavdishme.

Po pse është kaq i rëndësishëm ky kiç në Ballkan? Përgjigja ime për këtë: sepse aty elitat nuk janë legjitime. Sepse elita aty ka dalë nga rastësia dhe situata e përsëritur e kaosit. E sepse kjo elitë nuk ka asnjë resurs të brendshëm autentik për të qëndruar në pushtet. Prandaj edhe përpjekjet e saj të dëshpëruara për të mbajtur fort diçka të huaj, që e legjitimon atë. Kultura e huaj, e imituar, pa shumë kosto, përdoret si spaletat në uniformën e pushtetit. Ajo duket absurde si paruket e gjykatësve në ish-kolonitë britanike të Afrikës, që i mbajnë ato për shkak të ruajtjes së traditës.

 

Ivaylo Ditchev është shkrimtar, antropolog kulture dhe profesor në Universitetin „Sveti Kliment Ohridski" në Sofje. Ai ka dhënë mësim edhe Universitetin e Paris7 dhe është nderuar me çmime publicistike në Bullgari.