1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

EULEX do te ketë rol në zbatimin e marrëveshjeve Kosovë-Serbi

14 Dhjetor 2011

Prishtina dhe Beogradi e kanë marrë draftin e parë të propozimit nga Bashkimi Evropian rreth përmbajtjes së protokollit teknik për marrëveshjen e arritur në Bruksel për menaxhimin e integruar të pikëkalimeve.

https://p.dw.com/p/13SJg
Logoja e misionit të BE-së në Kosovë, Eulex
Logoja e misionit të BE-së në Kosovë, Eulex

Zyrtarë të misionit EULEX në Kosovë konfirmojnë se ata do të kenë një rol në zbatimin e marrëveshjes Kosovë-Serbi për menaxhimin e integruar të kufirit. Por akoma nuk e dijnë saktësisht se cili do të jetë roli i tyre. Ata thonë se liria e lëvizjes në veri të Kosovës duhet të ndodhë dhe barrikadat nëpër rrugë duhet larguar në mënyrë që të ketë qasje të përhershme dhe të pakushtëzuar për të gjithë, përfshirë misionin EULEX-in dhe organizatat e tjera ndërkombëtare.

EULEX-i është i gatshëm të ndihmojë

Kontroll mbi zonën kufitare në veri të Kosovës me Serbinë
Kontroll mbi zonën kufitare në veri të Kosovës me SerbinëFotografi: picture alliance/dpa

Serbët e veriut akoma nuk lejojnë pjesëtarët e misionit EULEX, që të qarkullojnë lirshëm në veri të Kosovës dhe për rrjedhojë nëse nuk ndryshon situata, misioni EULEX, e ka të pamundur që të përfshihet në zbatimin e marrëveshjes për menaxhim të integruar të kufirit Kosovë-Serbi. Zëdhënësi i misionit EULEX, Blerim Krasniqi, thotë për DW: “Ajo çka mund të them rreth marrëveshjes së arritur është se misioni do të luaj rol në implementimin e marrëveshjes, mirëpo roli i saktë do të përcaktohen me kalimin e kohës. Detajet mbi zbatimin e marrëveshjes do të përpunohen mes palëve. Sidoqoftë, EULEX-i është e gatshme të ndihmojë”.

Shefi i misionit EULEX, Xavier Bout de Marnhac, javën që shkoi ishte në Beograd ku takoi presidentin serb Boris Tadiq. Pas kthimit në Prishtinë ai ishte bindur se serbët e veriut do ta dëgjojnë thirrjen e presidentit Tadiq.

EULEX mirëpret thirrjen e Tadiqit pë largimin e barrikadave në veri

Boris Tadiq
Boris TadiqFotografi: AP

“E mirëpres thirrjen e bërë nga presidenti Tadiq për largimin e barrikadave në veri të Kosovës. Unë besoj se veprimet do të pasojnë. Është e rëndësishme që të ketë lëvizje të plotë në rrugët e veriut të Kosovës, jo vetëm për EULEX-in dhe KFOR-in, por edhe për popullatën, në mënyrë që ata të mund të vazhdojnë jetën e tyre të përditshme pa pengesa”, tha Xavier Bout de Marnhac.

Policia kufitare e Kosovës akoma nuk i di detajet e marrëveshjes për faktin që përpilimi i protokollit teknik akoma nuk ka përfunduar. Pasi palët ta nënshkruajnë edhe zyrtarisht protollin teknik, atëherë edhe policia kufitare e Kosovës, thonë zyrtarë të saj, do ta qartësojnë angazhimin për zbatimin e marrëveshjes për menaxhimin e integruar të kufirit Kosovë-Serbi. Shaban Guda, një nga udhëheqësit e policisë kufitare të Kosovës thekson për DW se “është arritur një deklaratë politike, ndërsa në planin operativ duhet të punohet edhe më tej, duhet të bëhet një protokoll në të cilin do të përcaktohen të gjitha detajet teknike dhe operacionale se si do të duket një menaxhim i integruar I kufirit apo një kontroll i përbashkët kufitar”.

Priten kushtet pë implementimin e marrëveshjes Prishtinë-Beograd

Xavier Bout de Marnhack
Xavier Bout de MarnhackFotografi: European Union 2010

Sidoqoftë, Prishtina dhe Beogradi, tashmë kanë marrë draftin e parë të propozimit nga Bashkimi Evropian rreth përmbajtjes së protokollit teknik për marrëveshjen e arritur në Bruksel për menaxhimin e integruar të pikëkalimeve. Ky protokoll, i cili pritet t'i hapë rrugë implementimit të kësaj marrëveshjeje pritet të nënshkruhet shumë shpejt.

Kabineti i kryenegociatorës Edita Tahiri, njoftoi për mediat lokale se pala kosovare është në fazën e përpilimit të komenteve pas draftit të marrë nga Bashkimi Evropian dhe pas dërgimit të komenteve nga Prishtina por edhe nga Beogradi, atëherë mund të krijohen kushtet për t'u implementuar marrëveshja.

Por ka edhe disa marrëveshje që Prishtina dhe Beogradi janë dakorduar gjatë dialogut teknik, sic janë njohja e dipomave universitare dhe kthimi i librave amzë, regjistrat kadastaral, vulat doganore dhe lëvizjë e lirë, mirëpo, disa nga këto marrëveshje nuk kanë filluar së implementuari. Zyrtarë nga kabineti i kryenegociatorës Edita Tahiri, besojnë se këto marrëveshje do të fillojnë së zbatuari gjatë muajit Janar të vitit të ardhshëm. Njëra ndër marrëveshjet më të rëndësishme ajo për lëvizjën e lirë, pritet të fillojë së zbatuari me 26 dhjetor.

Autor: Bekim Shehu

Redaktoi: Mimoza Kelmendi