1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Bota

Ethe monumentesh: princi Vladimir takon Kalashnikovin

Ivani i tmerrshëm, Vladimiri i Kievit ose Kalashnikovi - monumentet e reja pasqyrojnë frymën e kohës

Monumenti i Ivanit të Tmerrshëm

Monumenti i Ivanit të Tmerrshëm

Një burrë i vjetër me mjekër me veshje mbretërore ndodhet ulur në një kalë. Në njërën dorë të zgjatur ai mban një kryq të krishterë, në tjetrën një shpatë. Kështu e paraqet monumenti Carin e Parë rus, Princin e Madh të Moskës, të quajtur Ivani i Tmerrshëm. Monumentin e përuruan në qytetin e Rusisë jugore Orjel të premten (14.10.). Figura prej bronzi me një lartësi prej pesë metrash mbi një piedestal betoni ndodhet pranë një katedraleje ortodokse.

Sundimtar i diskutueshëm

Më parë qe planifikuar që monumentin ta vendosnin pranë një teatri për fëmijë dhe ta inauguronin që në fillim të gushtit. Në fillim të gushtit do të kremtohej 450 vjetori i themelimit të qytetit. Por pati rezistencë. Aktivistët protestuan si kundër vendit të zgjedhur, ashtu edhe kundër glorifikimit të një figure të diskutueshme historike. Ivani IV sundoi me dorë të hekurt në Perandorinë Ruse, të lindur në principatën e Moskës në shekullin e 16-të: opriçnikët famëkeq të tij, një lloj garde personale, shpërndanin frikë dhe tmerr. Sundimi brutal bëri që atij t'i shtohet emri "i tmerrshëm".

Për guvernatorin e zonës, Vadim Potomskij, këto anë të errëta nuk janë problem. "Ivani i tmerrshëm e bëri të fortë Rusinë dhe i zgjeroi kufijtë e saj", tha ai në një stacion televiziv shtetëror. Qyteti organizoi një anketim, në bazë të të cilit shumica e qytetarëve, rreth tre të katërtat, u shprehën në mbështetje të monumentit.

Vladimiri vëzhgon Vladimirin

Ky është shembulli më i fundit për ethet e vërteta të monumenteve, të cilat duket se e kanë mbërthyer Rusinë. Të dielën në Moskë do të nisë ngritja e monumentit të një princi tjetër: Vladimir. Princi i Madh i Kievit konsiderohet si njëri nga sundimtarët më të rëndësishëm në historinë e shtetit mesjetar Kiev Rus, në të cilin Rusia dhe Ukraina shohin rrënjët e popujve të tyre, të shtetësisë dhe të besimit të krishterë ortodoks. Një monument i madh për Vladimirin ka 150 vjet që është ngritur në Kiev, tani Moska dëshiron të ketë monumentin e saj.

Mihail T. Kalashnikovi, konstruktori i automatikut me të njëjtin emër, 2002

Mihail T. Kalashnikovi, konstruktori i automatikut me të njëjtin emër, 2002

Edhe monumenti i Vladimirit që planifikuar që të vihej diku tjetër. Qe planifikuar një skulpturë prej 25 metrash e lartë, që do të qendronte në Malet e Harabelit mbi kryeqytetin rus. Por nga populli erdhën protesta. Edhe shumë ekspertë u shprehën kundër. Pastaj autoritetet vendosën që të ngrenë një monument më të vogël, me lartësi 16 metra, në një vend tjetër. Tani Princi i Madh Vladimir do të vendoset në Kodrën Borovizkij, nga ky shihet Kremlini, ku një tjetër Vladimir e sundon aktualisht vendin: Putini. Çdo herë kur të shkojë në Kremlin, Presidenti rus do të kalojë para monumentit të Vladimirit.

Kalashnikovi si simbol i një Rusie moderne

Edhe më simbolik për një Rusi moderne duket një monument, i cili do të ngrihet në fillim të 2017-ës në Moskë. Është një monument për Mihail Kalashnikovin, konstruktorin e automatikut me të njëjtin emër, që vdiq në vitin 2013. Monumenti prej shtatë metrash i lartë do të vendoset në rrugicën e armëve në Qendër të Moskës. Në sfond, skulptori 61 vjeçar që ka konceptuar edhe dy monumentet e tjera, Salavat Shçerbakov, ka menduar të vendosë një rruzull të tokës, gjë që do të simbolizojë përhapjen e kësaj arme.

Për publicistin rus Oleg Kashin, këto monumente janë shumë simbolike. "Në Rusinë e sotme është bërë normale që për një luftë të mos flitet si për një tragjedi, por si për një publicitet të mirë për armët ruse", konstaton publicisti. Pacifizmi ka dalë nga moda, prandaj "Kalashnikovi ciklopik" është një simbol i përshtatshëm për frymën e kohës në Rusi, thotë ai.

Monumenti para varrit të Stalinit në Murin e Kremlinit

Monumenti para varrit të Stalinit në Murin e Kremlinit

Stalini nuk është kudo popullor

Jemi në një epokë, në të cilën nderohen sërish para së gjithash sundimtarët e diskutueshëm të së kaluarës, kryesorja ata e bënë më të madhe dhe më të fortë Rusinë. Një shembull tjetër tipik është Jozef Stalini. Vitet e fundit, në shumë qytete ruse janë ngritur monumente të panumërta të Stalinit, para së gjithash nga mbështetës të Partisë Komuniste.

Populli nuk ka reaguar gjithmonë në mënyrë pozitive. Në qytetin siberian Surgut, në fillim të tetorit, u çmontua nga autoritetet një monument i ngritur në shtator. Ai ishte ilegal dhe shumë qytetarë janë kundër, tha administrata e qytetit. Gati gjysma e popullit në Surgut ka qenë viktimë e terrorit stalinian, tha një zëdhënëse.