190710 Afghanistan Bilanz London
20 Korrik 2010Në fund të janarit të këtij viti në Londër u mbajt një konferencë për të ardhmen e Afganistanit. Bashkësia ndërkombëtare kërkoi me forcë "afganizimin" e procesit të paqes, të ngecur në vend. Kështu për shembull përgjegjësia për sigurinë distrikt pas distrikti duhet t'u kalojë afganëve. Presidenti afgan Hamid Karsai premtoi nga ana e tij se do të marrë masa serioze kundër korrupsionit. Në konferencën pasuese në Kabul të martën (20.7.) bëhet një bilanc paraprak i arritjes së objektivave të miratuar në Londër.
Gjendja në Afganistan është më kritike se kurrë. Rreth gjashtë muaj pas konferencës së Londrës nuk duket në horizont ndonjë kthesë pozitive. Përkundrazi: gjashtëmujori i kaluar ishte më i përgjakshmi që prej fillimit të misionit ISAF në vitin 2001. Ushtria afgane përballë këtyre zhvillimeve nuk e sheh veten të aftë të marrë në duar përgjegjësinë për sigurinë, ashtu siç synohej në fillim të vitit në Londër. Kjo nuk ka të bëjë edhe aq me superioritetin e talibanëve, se sa me mangësitë e shumta të forcave afgane, thotë gjeneral Zaher Azimi, zëdhënës i Ministrisë afgane të Mbrojtjes:
"Ne nuk mund të veprojmë të pavarur, pasi na mungon për shembull flota ajrore ushtarake. Edhe automjetet e blinduara deri tani na kanë munguar plotësisht."
Pak pas konferencës së Londrës për Afganistanin zëdhënësi i Ministrisë afgane të Mbrojtjes ishte shprehur plot shpresë. Por ndërkohë entuziasmi i tij është zbehur, mendon gjeneral Azimi. Ajo, që ka mbetur, është dëshira për përmirësim.
"Njerëzit në Afganistan shpresojnë që forcat afgane të sigurisë të mund të kujdesen për sigurinë e vendit të tyre. Por kjo duhet të ndodhë, kur ne të jemi të aftë për këtë."
Ministri afgan i Financave Omar Zakhelwal ushtron ndërkaq kritikë të hapur ndaj partnerëve të vendit të tij: Ata duhet t'i përmbahen marrëveshjeve të arritura. Qeveria afgane nga ana e saj i ka përmbushur të gjitha detyrat e ngarkuara në konferencën e Londrës, thotë Zakhelwal:
"Çdo ministri, çdo autoritet ka hartuar krahas një strategjie për të ardhmen edhe një koncept efektiv për luftimin e korrupsionit. Kështu ne kemi arritur shumë më tepër nga sa pritej prej nesh."
Ministri afgan i Financave shpreson të ketë të drejtë të përdorë së shpejti 50% të fondeve të ndihmës ashtu siç është premtuar në Londër. Deri tani qeveria afgane ka marrë vetëm 20% të këtyre fondeve. Por përballë shtrirjes së gjerë të korrupsionit në vend, shumë vende donatore janë skeptike. Ato i druhen keqpërdorimit dhe abuzimit me paratë e ndihmës.
Kritikët akuzojnë presidentin Karsai për mungesë koncepti
Megjithë deklaratat e qeverisë për përparime në luftën kundër korrupsionit, kritikët e qeverisë afgane e akuzojnë presidentin Karsai se nuk ka asnjë koncept për zgjidhjen e problemeve madhore të vendit, pra edhe për shpërdorimin e parave të ndihmës.
Analistët mendojnë se bashkëpunimi i pamjaftueshëm dhe hedhja reciproke e fajit mes Kabulit dhe bashkësisë ndërkombëtare janë shkaqet kryesore për mosarritjen e objektivave të konferencës së Londrës.
Autor: Ratbil Shamel/Eiana Xhani
Redaktoi: Angjelina Verbica