1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Ballkani

Erler: "Beogradi del me humbje"

Ish ministri gjerman i Evropës, zv/kryetar i fraksionit parlamentar të PSD gjermane, Gernot Erler, në intervistë për DW e cilëson embargon e Serbisë ndaj Kosovës të palogjikshme dhe kërkon zgjidhje të konfliktit doganor.

Gernot Erler

Gernot Erler

Deutsche Welle: Zoti Erler, sërish ka pasur trazira në Veriun e Kosovës. Ministrja e jashtme e BE-së Ashton u ka bërë thirrje të dyja palëve për të qetësuar situatën. Ç'mund të bëjnë ato sipas mendimit tuaj?

Erler: «Në Beograd tashmë e kanë kuptuar se këto zhvillime janë shumë të dëmshme për interesat serbe, prandaj edhe u është bërë thirrje serbëve në Veri të Kosovës që t'i lënë demonstratat dhe bllokadat dhe aktet e dhunës. Por edhe Prishtina i ka tërhequr policët e saj nga pikat doganore. Pra po bëhen përpjekje për çtensionim. Por në thelb duhet bërë e qartë se pa u sqaruar konflikti doganor, rreziku i përsëritjes së trazirave të ngjashme mbetet. Dhe shpresoj që në këtë drejtim edhe Këshilli i Sigurimit të dërgojë një mesazh të qartë.»

Deutsche Welle: Mendoni se Thaçi bëri gabim që i pushtoi dy pikat e doganore në veri të Kosovës?

Erler: «Nuk do të thosha se ka bërë gabim, por do thosha se gjendja është acaruar. Problemi pra nuk u zgjidh dot me negociata e nga ky problem po dalin probleme të tjera, siç ishte djegia e stacionit doganor në Jarinjë dhe vdekja e policit para dy ditësh. Këto janë probleme serioze. Unë mendoj se në këtë mes i humburi është Beogradi. Sepse Beogradi ishte duke përjetuar një moment pozitiv mbas arrestimit të Haxhiçit dhe e tëra tani ka rënë në hije të konfliktit doganor. Kjo sigurisht që bën që opinioni botëror sërish ta heqë vëmendjen nga Serbia e ta drejtojë nga Kosova. Për Boris Tadiqin dhe gjithë qeverinë e Serbisë kjo është një lojë, që ai nuk e fiton dot.»

Deutsche Welle: Anketimet e fundit thonë se vetëm 53 përqind e serbëve janë për anëtarësim në BE. Sa e fuqishme është BE-ja si shtysë motivuese në Serbi?

Erler: «Tani që do të fillojë fushata zgjedhore kjo çështje sigurisht që luan një rol të madh. Nuk ishte rastësi, që Boris Tadiçi, presidenti i Serbisë, doli pas kapjes së Goran Haxhiçit dhe tha: Tani rruga u hap. Tani Serbia po pret një përgjigje pozitive për statusin e kandidatit dhe fillimin e negociatave përkatëse me BE-në. Dhe sigurisht që kjo, që ka ndodhur në Veri të Kosovës nuk e ndihmon aspak.»

Deutsche Welle: Mendoni se për këtë shkak Serbisë mund të mos i jepet statusi i kandidatit i paraparë për në dhjetor?

Erler: «Ajo, që nuk do të ndodhë në asnjë mënyrë, për sa kohë që nuk ka marrëdhënie të qeta mes Serbisë dhe Kosovës, është fillimi i negociatave. Kjo do të thotë se dhe problemi doganor duhet të zgjidhet, sepse me këtë u pa që gjithmonë mund të ketë trazira, që kanë të bëjnë me mosrespektimin e rregullave të embargos. Veç kësaj embargoja është natyrisht diçka krejt e palogjikshme, sepse ndërmjet Kosovës dhe Serbisë ka pasur gjithmonë këmbime tregtare. Ngritja embargos e vë para problemeve edhe ekonominë, e sigurisht që ngjall pakënaqësi tek populli i Kosovës.»

Deutsche Welle: Pra apeli juaj drejtohet kryesisht ndaj Beogradit?

Erler: «Unë apeloj te të dyja palët, sikurse dhe zonja Ashton, që të qetësojnë situatën. Por ky është një apel që ka të bëjë me momentin. Ndërsa ne duhet të shohim përtej së sotmes. Dhe ky është një problem i qeverisë serbe në radhë të parë, sepse ajo i ka vënë vetes disa objektiva drejt BE-së. Kosova në të kundërt mund ta marrë më shtruar, sepse BE-ja nuk i ka qartësuar ende objektivat me të.»

Deutsche Welle: Edhe një pyetje e fundit: Mbas trazirave të djeshme Thaçi akuzoi Beogradin si organizator i tyre. Sa e justifikuar është kjo akuzë?

Erler: «Si zakonisht, edhe këtë radhë pati fajësime të ndërsjella. Po ato nuk na çojnë përpara, e madje, ne nuk kemi si t'i vërtetojmë. Kështu që e rëndësishme është që tani të dyja palët të punojnë për ta qetësuar gjendjen, dhe kjo për momentin po ndodh.»

Autor: Anila Shuka

Redaktoi: Angjelina Verbica