Ende shumë për të bërë - Komandanti i ISAF-it Petraeus takon Guttenbergun
24 Nëntor 2010Komandanti i trupave ndërkombëtare mbrojtëse në Afganistan, gjenerali amerikan David Petraeus, e cilësoi "qendror" rolin e Bundesverit në misionin në Hindukush. 5000 ushtarët gjermanë e rrisin reputacionin e Gjermanisë, tha ai të martën (23.11.) pas një takimi me ministrin gjerman të Mbrojtjes Karl-Theodor zu Guttenberg në Berlin.
"Ju duhet të dini se sa i rëndësishëm është kontributi gjerman për misionin e NATO-s dhe trupën ndërkombëtare mbrojtëse në Afganistan. Përpjekjet tona të përbashkëta kanë rëndësi vendimtare për vendet tona dhe për të gjitha vendet e trupës ndërkombëtare, të cilën më është dhënë mundësia të komandoj" - tha Petraeus.
Gjermania është kontribuesi i tretë më i madh i trupave në Afganistan, pas SHBA-së dhe Britanisë së Madhe.
Suksese por arritja e objektivave ende larg
Petraeus dhe Guttenberg folën për sukseset e para që rezultojnë nga strategjia e re në Afganistan, e cila parashikon përqendrim më të madh në stërvitjen e ushtarëve dhe policëve afganë. Megjithatë arritja e objektivave të vendosur është ende larg, tha Guttenberg:
"Vitin e ardhshëm ne natyrisht do ta zgjasim mandatin e misionit në Afganistan. Unë kam bërë edhe njëherë të qartë se Gjermania edhe më tej ndien obligimin të mbështesë bashkësinë ndërkombëtare dhe të japë një kontribut përkatës si partnere në Aleancë."
Nuk përmendet datë konkrete për tërheqjen e trupave
Gjenerali Petraeus konfirmoi planin e tij për të filluar vitin e ardhshëm kalimin e përgjegjësisë tek afganët. Komandanti i ISAF-it nuk dha një datë konkrete për tërheqjen e trupave ndërkombëtare, por la të kuptohet se do të ketë ndryshime strategjike.
Edhe ministri gjerman i Mbrojtjes bëri të qartë se misioni në Afganistan do të vazhdojë për një kohë të gjatë:
"Është i nevojshëm një vështrim realist. Unë besoj se fjala durim do na shoqërojë për një kohë të gjatë."
Misioni i kontestuar i avionëve gjermanë Tornado ndërkaq ka përfunduar. Gjashtë avionët zbulues do të kthehen javën e ardhshme në Gjermani, bëri të ditur arma ajrore gjermane. Ministri Guttenberg vendosi në muajin shtator të tërheqë nga Afganistani Tornadot dhe në këmbim të forcojë kontingjentin stërvitor të Bundesverit në veri të Afganistanit me 90 ushtarë.
Ky ishte takimi i parë mes Petraeusit dhe Guttenbergut, që prej caktimit të gjeneralit amerikan në postin e komandantit të trupës ndërkombëtare në muajin korrik.
Autor: Marcel Fürstenau / Eliana Xhani
Redaktoi: Esat Ahmeti