060410 1. Jahrestag Erdbeben L' Aquila
6 Prill 2010Në hyrje të pjesës së vjetër të qytetit disa njerëz po grinden. Shefja e policisë së L´Aquilas nuk do t'u hapë rrugën 20 - 30 vetëve me karroca dore, sepse shumë ndërtesa janë të rrezikuara prej shembjes. Përveç kësaj është ditë zgjedhjesh, thotë ajo, dhe në ditë të tilla nuk lejohen demonstratat. Drejtuesi i njerëzve me karroca dore përulet duke u lutur për të tallur pushtetin e lartë. Si përfundim lejohen të hyjnë dhe një polic i lë madje të kalojnë edhe bllokimin, sepse gazetarët e pranishëm janë të shumtë.
"Ne demonstrojmë për të treguar se në ç'gjendje është vërtet L´Aquila, jo siç pretendojnë shumë vetë. E bëjmë këtë prej javësh çdo të diel deri sa të fillojë rindërtimi, pasi në të vërtetë asgjë nuk ka filluar."- thotë njëri prej tyre.
Autoritetet nuk ndihmojnë, banorët duan të largojnë vetë rrënojat
Fëmijët dhe gratë ngjiten mbi pirgjet e gërmadhave dhe hedhin gurë në karroca. Ata duan t'i largojnë vetë rrënojat, sepse nuk e bën askush tjetër, thonë. Mbrojtja civile është larguar, rindërtimin e kanë marrë në dorë autoritetet, dhe tani, thonë qytetarët, nuk ndodh më asgjë.
Një vit më pas L´Aquila i ngjan jashtëzakonisht një qyteti fantazmë. Sa shumë u dëgjua të flitej për rindërtim të shpejtë. Por, shtëpitë e reja në territor të hapur, ku mungojnë ende shumë gjëra, nuk iu mjaftojnë l´aquilanëve. "Koncepti New Town" i kryeministrit Silvio Berlusconi nuk është e njëjta gjë me rindërtimin e qytetit të vjetër, me të cilin identifikohet shumica. Antonio di Giandomenico thotë se 52.000 prej njerëzve të kthyer në të pastrehë, ose më shumë se gjysma, janë sistemuar në hotele, kazerma, shtëpi provizore ose privatisht gjetiu.
"New Town" i Berlusconit nuk është i mjaftueshëm
"Unë jam ende i sistemuar diku privatisht, paguaj 600 euro në muaj në Giulianova. Ishte vendimi im. Kuptohet më parë kam qenë me familjen këtu dhe vendosa fillimisht të jetoj larg prej këtej, por çdo të diel kthehem tek bashkëqytetarët e mi." - tregon një banor.
Ndihma për L´Aquilën nisi shumë mirë, ky është opinioni mbizotërues. Kjo krahasuar me tërmete të tjera të rënda në të kaluarën, pikërisht në jug, në Irpinia para 30 vjetësh, kur vdiqën dhjetë herë më shumë njerëz. Atje shumë njerëz jetojnë ende në kontejnerë. Përveç kësaj Italia paguan ende një taksë të veçantë për dëmet e tërmetit në Messina në 1908-ën.
Autor: Gregor Hoppe / Elert Ajazaj
Redaktoi: Eliana Xhani