1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Ende asnjë shërim për pacientin Maqedoni

12 Dhjetor 2016

Zgjedhjet e parakohshme në Maqedoni u konsideruan si shans për kapërcimin e krizës politike. Por duket, se ato hapën një kapitull të ri pasigurie në vendin pa stabilitet dhe të përçarë, mendon Boris Georgievski.

https://p.dw.com/p/2U9zD
Mazedonien Wahlen
Fotografi: DW/ P. Stojanovski

Ndërkohë që të dielën në mbrëmje të dyja partitë e mëdha ajo nacional-konservatorë në pushtet VMRO-DPMNE dhe opozita socialdemokrate u bënnë thirrje zgjedhësve të tyre të festojnë fitoren, të hënën në mëngjes entuziazmi ishte më i kontrolluar.

Qytetarët e Maqedonisë morrën pjesë në këto zgjedhje me një shifër rekord në historinë elektorale të vendit me afro 70 përqind. Të dyja partitë, ajo në qeveri dhe ajo në opozitë u deklaruan zgjedhësve të tyre gjatë fushatës elektorale, se kjo është një betejë për jetë a vdekje.

Zgjedhjet e parakohshme paralemnatre priteshin t'i jepnin fund krizës së thellë në politikën e brendëshme, që vazhdon prej vitesh në Maqedoni dhe që i ka dëmtuar ambiciet e vendit për antarësim në NATO dhe në BE, por dhe që ka kërcënuar ekzistencën e këtij vendi të vogël të Ballkanit 25 vjet pas pavarësisë nga ish-Jugosllavia.

Kriza u ashpërua nga një skandal i madh përgjimesh telefonike që u bënë të njohura në shkurt të vitit të kaluar. Pretendohet se qeveria ka përgjuar më shumë se 20 mijë qytetarë në vend duke përfshirë edhe politikanë, gjyqtarë, biznesmenë dhe gazetarë.

Boris Georgievski Kommentarbild App
Boris Georgievski

Ish-kryeministri Nikola Gruevski dhe partia e tij VMRO-DPMNE gjatë dhjetë viteve në pushtet kanë krijuar një sistem gjysmë autoritar liberal që kontrollon tërësisht administratën, judikativin dhe median. Ka një korrupsion galopant dhe një mungesë të plotë përgjegjësie e transparence.

Edhe Komisioni Europian në raportin e fundit e cilësoi Maqedoninë si një shtet të kapur, "captured state”.

Gruevski ia ka dalë që të mobilizojë mbështetësit e tij të përhershëm – një ushtri e tërë të punësuarish në administratën publike, fermerë, nacionalistë dhe grupret vulnerabël sociale – duke siguruar sërish fitoren. Por gjetja e një partneri koalicioni për krijimin e mazhorancës parlamentare do të jetë e vështirë.

Socialdemokratët dhe kryetari i tyre Zoran Zaev u kundërvu duke gjetur mbështetje tek komuniteti i shqiptarëve – minoriteti më i madh në vend, që përbën rreth 25% të popullsisë. Por në fund ata humbën me një diferencë të ngushtë prej 1,5 përqind në nivel kombëtar. Si rrjedhojë partitë tradicionale të shqiptarëve kanë humbur gati 10 deputetë në 120 vendet në parlament.

Parlamenti i ri do të reflektojë përçarjen e thellë politike dhe etnike në Maqedoni me dy parti të mëdha maqedonase dhe katër grupe të vogla të përfaqësuesve të komunitetit shqiptar, pa një mazhorancë të qartë. Gruevski dhe nacionalistët e tij teorikisht mund të krijojnë një qeveri të re me partnerin e mëparshëm të koalicionit nga blloku shqiptar – BDI-në nën drejtimin e ish-drejtuesit të guerilasve Ali Ahmeti. Por kjo do të jetë një lidhje e rrezikshme dhe e paqendrueshme. Ahmeti për një kohë të gjatë konsiderohej si një hero nga komuniteti shqiptar dhe partia e tij i ka fituar të gjitha zgjedhjet qëkurse ajo ndryshoi karakterin nga një lëvizje e armatosur në një parti civile më 2002. Këto zgjedhje i dhanë fund kësaj dominance përderisa një numër i konsiderueshëm i shqiptarëve vendosi të votojë për një parti të maqedonasve. Ishte një kthesë historike, kur vetëm në 15 vjet pas konfliktit të armatosur nën drejtimin e Ahmetit në vitin 2001, shqiptarët fituan në shumë të drejta kushtetuese si asnjëherë më parë.

Një koalicion tjetër Gruevski-Ahmeti më shumë do ta destabilizonte edhe më tej vendin dhe do të sillte sërish në rend të ditës çështjet etnike.

Mundësia tjetër do të jetë një koalicion i socialdemokratëve me të gjithë bllokun e partive shqiptare në parlament. Një koalicion i tillë mund të jetë i vullnetshëm të luftojë sistemin e korruptuar që ka lënë pas Gruevski dhe partia e tij, por ai nuk mund t'i bëjë ballë një fronti të fuqishëm nacionalist të VMRO-DPMNE.

Me një krizë të re refugjatësh pikërisht në kufirin me vendet e BE-së kishte shpresa, që zgjedhjet në Maqedoni do të sillnin më shumë stabilitet në këtë pjesë të Europës të konsideruar si pikë kyçe për ndalimin e këtij fluksi. Por shumica e qytetarëve të Maqedonisë janë lodhur nga kriza e gjatë politike dhe ekonomike, së cilës nuk po i duket fundi.

Këto zgjedhje nuk e zgjidhën krizën, por duket se e ndërlikuan atë edhe më shumë. Maqedonia është një pacient shumë i sëmurë dhe ka nevojë urgjente për vëmendjen e BE-së dhe të komunitetit ndërkombëtar. Në rast të kundërt kriza shumë lehtë mund të rrezikojë jo vetëm ekszitencën e këtij vendi, por edhe stabilitetin e të gjithë rajonit.