1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

130111 Berlin Stasi-Ausstellung

15 Janar 2011

Ekspozita e re për sigurimin e shtetit të ish RDGJ-së, Stasi, ka në fokus të saj fate njerëzish të asaj kohe.

https://p.dw.com/p/zy18
Stasi kontrollonte në masë të madhe dhe shumë sekrete komunikimin me postë. Mijëra letra hapeshin, kopjoheshin dhe "vlerësoheshin".
Stasi kontrollonte në masë të madhe dhe shumë sekrete komunikimin me postë. Mijëra letra hapeshin, kopjoheshin dhe "vlerësoheshin".Fotografi: BStU

Interesi për Ministrinë për Sigurinë e Shtetit, shkurt Stasi, është i madh. Miliona shikues vërshuan në vitin 2006 në kinema, për të parë filimin e Florian Henckel von Donnersmarcks të nderuar me Oscar „Jeta e të tjerëve".

Fate njerëzish në fokus të ekspozitës

Por ka edhe shifra të tjera interesante: për shembull që prej vitit 1991 janë bërë 2,8 milionë kërkesa për të parë dosjet. Në këtë mënyrë viktimat e Stasit kanë mësuar, se kur dhe përse i kanë spiunuar. Në fokus të ekspozitës së re për historinë dhe veprimtarinë e Stasit janë janë gjashtë fate njerëzish.

Burkhart Herzel në vitin 1969 u vunë në shënjestër të Stasit, sepse donte të dëgjonte „Rolling Stones“. Në RDGj ishte përhapur fjala, se grupi britanik i rrokut do të jepte shfaqje në Berlinin perëndimor dhe direkt para murit. Qindra të rinj të RDGJ-së, ndër ta 18-vjeçari Herzel, shpresonin në një koncert gratis. Stasi ka qenë i alarmuar. Djali i ri nga fshati i vogël në Brandenburg e pagoi me gjashtë javë burgim pasionin e tij për muzikën. Herzel u dënua edhe dy herë të tjera me gjithsej katër vjet heqje lirie, për gjoja plane për arratisje dhe për refuzim të punës, përpara se të ikte në perëndim në mesin e viteve 1970-të. Çështja me koncertin e Rolling Stones ka qenë vetëm një thashethem.

Për Marianne Birthler, Drejtuese e autoritetit për dosjet e Stasit, fatet personale janë thelbi i ekspozitës, sepse ato prekin emocionalisht njerëzit.

"Për mua janë shumë të rëndësishme dhe të dashura, sepse nuk janë ndoshta momument, por na kujtojnë njerëzit, që kanë paguar një çmim të lartë, sepse e donin lirinë. Sepse ata kanë punuar në mënyrë aktive për të, ose sepse i kanë dhënë vetes të drejtën."


Stasi prekte të gjitha fushat e jetës në RDGJ

Marianne Birthler shpreson, që ekspozita të tërheqë një publik të gjërë. Në radhë të parë edhe njerëz, që besojnë, se jeta e tyre në RDGj nuk ka patur të bëjë aspak me Stasin:

"Ne tregojmë, se si jeta e përditshme, sporti, kultura, ushtria popullore kombëtare, jeta në ndërmarrje ishte e prekur nga sigurimi i shtetit. Nganjëherë, pa e ndjerë njerëzit fare. Tema është interesante për të gjithë, jo vetëm për ato, që interesohen për përndjekjen apo për aparatin e Stasit."

Kryetari i shtetit dhe partisë në RDGJ, Erich Honecker dekoron më 6. shkurt 1985 me urdhrin "Karl Marx", shefin e Stasit Erich Mielke, përfaqësues i Ministrisë për Sigurinë e Shtetit "për merita në luftën kundër armiqve të socializmit".
Kryetari i shtetit dhe partisë në RDGJ, Erich Honecker dekoron më 6. shkurt 1985 me urdhrin "Karl Marx", shefin e Stasit Erich Mielke, përfaqësues i Ministrisë për Sigurinë e Shtetit "për merita në luftën kundër armiqve të socializmit".Fotografi: BStU

Krahas fateve ekzemplare të viktimave paraqitet edhe struktura, historia dhe metodat e ish shërbimit të RDGj-së. Këtu përfshihen biografitë e figurave të Stasi-t, me në krye shefin 32 vjet në detyrë të Stasi-t, Erich Mielke, apo filmave nga përgjimet. Sa kuptimplote aq edhe groteske është një skicë e stadiumit të futbollit të Dresdenit. Në dhjetor 1974 skuadra gjermanolindore „Dinamo“ luante me ekipin gjermanoperëndimor të Hamburgut. Ndër 28.000 spektatorët, 1.986 ishin spiunë të Stasit. Ndeshja përfundoi 2:2, dhe "armiku i klasës" kaloi në raundin tjetër, sepse Dinamo e kishte humbur ndeshjen e parë me rezultatin 1:4.

Ekspozita nuk vizitohet vetëm nga berlinasit

Ekspozita quhet thjesht „Stasi“. Marianne Birthler shpjegon se përse kanë zgjedhur këtë emër të thjeshtë.

Marianne Birthler, Drejtuese e autoritetit për dosjet e Stasit.
Marianne Birthler, Drejtuese e autoritetit për dosjet e Stasit.Fotografi: AP

"Stasi është bërë ndërkohë sinonim i policisë së fshehtë. Për Stasin flitet në Bullgari dhe në diktatura të tjera. Ekspozita vizitohet jo vetëm nga berlinasit, por edhe nga shumë turistë, edhe nga jashtë shteti. Dhe prandaj një fjalë e tillë sinjal është në rregull, ajo tërheq njerëzit."

Ekspozita e Stasit është e hapur në rrugën Zimmerstraße të Berlinit, direkt pranë kalimit të famshëm të dikurshëm kufitar të RDGj-së „Checkpoint Charlie“. Dhe vetëm afro 200 metra larg ndodhen ende mbetjet origjinale të murit të Berlinit.

Autor: Marcel Fürstenau / Angjelina Verbica

Redaktoi: Eliana Xhani