1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Ballkani

Eksporte armësh nga Ballkani në Siri

Shumë vende evropiano-lindore eksportojnë armë në Arabinë Saudite dhe vende të tjera. Nga aty ato shkojnë në Siri. Tregtia koordinohet nga shërbimi sekret amerikan, CIA.

Siria është plot me armë: mijëra pushkë automatike të tipit AK-47, mitralozë, mortaja, raketahedhës dhe armë antitank, tanke të vjetër T-55 dhe T-72. Shumica e tyre vijnë nga Bosnja, Bullgaria, Kroacia, Republika Çeke, Sllovakia, Mali i Zi, Serbia dhe Rumania. Në Siri ato vijnë me rrugë të tërthortë: fillimisht me aeroplan apo anije në Arabinë Saudite, Jordani, Emiratet e Bashkuara Arabe ose në Turqi - dhe prej andej në zonën e luftës. Vëllimi financiar: 1,2 miliardë euro.

Prova të mbledhura prej vitesh

Për të zbuluar këto rrugë të transportit të armëve gazetarët e Rrjetit Ballkanik të Gazetarisë Hulumtuese (BIRN) dhe të Projektit për Raportimin për Krimin e Organizuar dhe Korrupsionit (OCCRP) hulumtuan disa vjet me radhë. Ata shqyrtuan të dhënat për eksportet dhe raportet e OKB-së, panë qindra video dhe fotografi, ndoqën lëvizjet e anijeve dhe të aeroplanëve, lexuan kontratat për armët dhe shqyrtuan të dhëna të shumta nga qarqet e tregtarëve të armëve.

Disa shembuj: Në një dokument konfidencial të vitit 2013 që kanë në dorë BIRN-i dhe OCCRP-i, një zyrtar i lartë në Ministrinë serbe të Mbrojtjes përshkruan si armët e shituara Arabisë Saudite dërgoheshin nga atje për në Siri. Edhe një analizë e detajuar e dokumenteve të 70 avionësh transportit tregoi se përmes rrugësh të tërthorta janë dërguar armëve në zonat e luftës

Robert Stephen Ford, ambasadori amerikan në Siri nga viti 2011 në vitin 2014, u tha gazetarëve të BIRN-it dhe të OCCRP-it se tregtia koordinohet nga shërbimi sekret amerikan CIA dhe kryhet nëpërmjet Turqisë dhe shteteve të Gjirit Persik. Proceset e parashikuara për miratimin e eksporteve të armëve kanë mundur të anashkalohen sipas hulumtimeve të gazetarëve të BIRN-it përmes deklarimit të mijëra tonëve mallra si "unidentified cargo", "mallra të paidentifikuar", dhe dërgimit të tyre nga Bullgaria dhe Sllovakia.

Mbetje nga Luftërat Ballkanike

Shumë nga këto armë kanë mbetur nga koha e luftërave të Ballkanit në vitet 1990. "Njerëzit i kanë mbajnë armët e tyre", thotë Nils Duquet, ekspert për trafikun e armëve pranë Institutit flamand për Paqen në Bruksel. Shpesh rezervat janë shitur nga nevoja. Në nëntor 2015 gjurmë të këtyre armëve u gjetën edhe në Gjermani. Në Bavari u kontrollua një kamion nga Mali i Zi dhe policia gjeti një koleksion të madh pushkësh automatike, pistoleta dhe granata.

Armë të tilla nga Evropa Lindore nuk janë përdorur vetëm nga rebelët e Ushtrisë së Lirë Siriane, por edhe nga ushtarët islamikë të Ansar al-Sham-it, apo të al-Nusra Front (tani Fatah al-Sham), i cili deri tani ka qenë i lidhur me al-Kaidën, si dhe nga ushtarë të të ashtuquajturit "Shteti islamik". BIRN-i dhe OCCRP-i e dëshmojnë këtë kryesisht në bazë të fotografive dhe të videove të botuara edhe në mediat sociale.

Patrick Wilcken, ekspert për kontrollin e armëve pranë Amnesty International, dhe Bodil Valero, raportuese e Parlamentit Evropian për tregtinë e armëve, janë të sigurt se shumë prej këtyre transfertave misterioze dhe të errët përbëjnë si shkelje të ligjeve të BE-së edhe të ligjeve kombëtare dhe ndërkombëtare për eksportin.