1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Evropa

Eksperti për Lindjen e Afërt: "Potencial i lartë rreziku në Francë"

Vështirë që sulmet terroriste të Parisit të jenë planifikuar drejtpërdrejt nga qendra e organizatës terroriste "Shteti Islamik", mendon eksperti gjerman, Günther Meyer. Rrezik përbën përbën izolimi i myslimanëve.

DW: Zoti Meyer, ka shumë të dhëna se sulmet terroriste të Parisit kanë lidhje me angazhimin ushtarak të Francës në Siri. Cili është vlerësimi juaj?

Günther Meyer: Lidhja me Sirinë tek këto sulme është e qartë. Pikërisht javën e fundit, presidenti francez, Hollande bëri të ditur se ai ka urdhëruar një sulm kundër një kampi trajnimi në Siri, ku gjendeshin madje edhe francezë. Me këtë, sipas tij, ai do të pengojë sulme të tjera në Francë. Pra këtu shihet një lidhje e drejtpërdrejtë. Pyetja tjetër është nëse kemi të bëjmë me një aksion të planifikuar drejtpërdrejt në qendër, nga Shteti Islamik. Mua më duket më shumë një rast i "terrorizmit të brendshëm" - pra nga të rinj që janë rritur në Francë dhe që i janë bashkangjitur një grupimi islamist, njëlloj si në rastin e "Charlie Hebdo".

Në një farë mënyrëe kjo është më shqetësuese, sepse terrori nga brenda mund të ndajë një komb të tërë...

Po, vërtet kjo është jashtëzakonisht e rrezikshme. Që para një viti u paralajmërua që vendet kryesore ku krijohen celula të tilla terroriste janë burgjet. Në to janë krijuar në Francë ndërkohë celula të tilla. Këtu kemi një potencial të lartë rreziku. Autorët mund të radikalizohen dhe të jenë të gatshëm për akte kriminale. Kur lirohen ata përbëjnë një rrezik të madh të gjithë shoqërinë.

Para dy javësh në Francë diskutohej për dhjetëvjetorin e trazirave të Parisit në vitin 2005, kur të rinj nga zonat e periferisë protestuan me dhunë. Shtypi francez u tregua reflektiv dhe vetëkritik. U tha se është bërë diçka në drejtim të integrimit, por jo aq sa duhet. Si mendoni ju?

Prof. Günther Meyer

Prof. Günther Meyer

Duhet thënë qartë se gjendja sociale në zonat e periferisë së Parisit, të njohura si Banlieues, ku banojnë kryesisht migrantët apo myslimanë me sfond të huaj nuk është e kënaqshme. Njerëzit që jetojnë aty janë të përjashtuar nga ana sociale. Ka papunësi të lartë dhe mungesë perspektive. Ky është sigurisht një terren ideal ushqyes për rekrutimin e terroristëve dhe islamistëve.

Çfarë do të thotë kjo për identitetin kulturor të vendit dhe pasojat për një politikë integrimi...

Një shkak i rëndësishëm është sigurisht që këtu kemi të bëjmë me një grup tjetër kulturor, pra me njerëz që ndjehen të lidhur me islamin. Islami si shenjë karakteristike identifikimi është interesant për ato grupe, që jetojnë në Francë dhe ndjehen si nga ana ekonomike, edhe ajo sociale apo kulturore të mënjanuar. Bëhet fjalë për njerëz që grumbullohen në pika të caktuara, të ashquajtura vatra të ndezura sociale përreth Parisit. Ata qëndrojnë jashtë shumicës së shoqërisë franceze. Janë pikërisht ata që radikalizohen nga islamistët e rrymës ekstremiste.

Ku qëndrojnë arsyet e një përjashtimi të tillë shoqëror?

Politika sigurisht ka përgjegjësinë e vet këtu. Pikërisht tonet që vijnë nga ekstremi i djathtë, janë një element që duhet marrë parasysh, me këtë gjuhë vihet në pranga popullsia me sfond migrimi nga bota myslimane. Po ashtu edhe parrullat propagandistike e të mbushura me urrejtje nga kampi i djathtë çojnë drejt një radikalizimi. Edhe politika zyrtare franceze ka bërë që me deklarata kritike ndaj islamit, pjesërisht edhe armiqësore ndaj tij, myslimanët të ndjehen të diskriminuar, të tërhiqen pas dhe të jenë të hapur për predikues të tillë të rrezikshëm të dhunës.

Pse distancohen kaq shumë francezë veçanërisht ndaj myslimanëve?

Sipas qëndrimit të kulturës "së krishterë perëndimore" bëhet fjalë për një grup të veçantë. Pra, bëhet fjalë për të huaj, ata janë "të tjerët". Dhe "te tjerët" janë gjithmonë objektiv i injorimit dhe diskriminimit nga shumica e popullsisë.

Prof. Dr. Günther Meyer është drejtor i Qendrës për Studimet e Botës Arabe në Universitetin e Mainzit, Gjermani (ZEFAW).