1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Ägypten Wahlen

29 Nëntor 2011

Nëntë muaj pas rrëzimit të presidentit Husni Mubarak, në Egjipt kanë filluar zgjedhjet parlamentare. Këto janë zgjedhjet e para të lira në historinë e vendit.

https://p.dw.com/p/13IeD
Radhë para qendrave të votimit në Kajro
Radhë para qendrave të votimit në KajroFotografi: dapd

Pa marrë parasysh protestat masive në vazhdim kundër pushtetmbajtësve ushtarakë, të hënën (28.11.2011) në Egjipt filluan zgjedhjet e para parlamentare, që prej rrëzimit të presidentit Husni Mubarak në muajin shkurt. Në mëngjes në Kajro dhe qytete të tjera të vendit u hapën qendrat e votimit, ku shumë shpejt u formuan radhë votuesish.

"Të gjithë duan të votojnë sot, shumë kanë ardhur që në orën shtatë të mëngjesit. Në zgjedhjet e mëparshme lejoheshin të votonin vetëm ata që kishin karta votimi, dhe këta ishin thuajse të gjithë përkrahës të regjimit të vjetër", - tregon një burrë.

"Besoj se tani vota ime ka vërtet vlerë. Secili do të bëjë diçka për vendin. Ne kemi ndjenjën se po bëjmë hapa të vërtetë drejt demokracisë", thotë një tjetër votuese.

Zgjedhësit duhet të zgjedhin mes shumë kandidatësh dhe listash të partive
Zgjedhësit duhet të zgjedhin mes shumë kandidatësh dhe listash të partiveFotografi: dapd

Disa etapa zgjedhjesh

Votimi do të zhvillohet në disa etapa, rezultati zyrtar pritet në mes të muajit janar. Në raundin e parë të zgjedhjeve do të votojnë banorët e Kajros, Aleksandrisë dhe shtatë provincave të tjera. Në dhjetor dhe janar do të pasojnë 18 provinca të tjera. Rreth 50 milionë egjiptianë kanë të drejtën e votës. Ata duhet të vendosin mes 6000 kandidatësh dhe mbi 400 listash partish. Shumë kandidatë janë fare të panjohur. Kritikët druajnë se për këtë arsye do të triumfojnë në radhë të parë ata që kanë tashmë një profil politik, para së gjithash vëllezërit myslimanë dhe përfaqësues nga rrethi i Mubarakut.

Por meqenëse nuk ka sondazhe të besueshme, parashikimet janë shumë të vështira. Dy të tretat e 498 vendeve në parlament do të ndahen mes kandidatëve të listave partiake. Mandatet e tjera janë rezervuar për kandidatët e drejtpërdrejtë. Për herë të parë do të votojnë edhe egjiptianët që ndodhen jashtë vendit.

Një përfaqësues i Egjiptit të vjetër dhe kandidat për president, Amr Moussa, premton ndryshim të plotë brenda muajve të ardhshëm:

Kandidati për president Amr Moussa në takim me kryetarin e Këshillit ushtarak Hussein Tantawi.
Kandidati për president Amr Moussa në takim me kryetarin e Këshillit ushtarak Hussein Tantawi.Fotografi: dapd

"Sot unë jam thjesht i lumtur. Secili këtu do t'ju thotë se është i lumtur. Me këtë hap ne po vëmë në jetë objektivat e revolucionit."

Përgatitjet për zgjedhjet dhe fushata elektorale ranë nën hijen e protestave kundër Këshillit Ushtarak dhe dhunës kundër demonstruesve. Kryesisht në sheshin Tahrir në Kajro javën e kaluar pati përleshje mes demonstruesve dhe forcave të sigurisë.

Të dielën mijëra demonstrues u mblodhën sërish në Kajro për të protestuar kundër Këshillit Ushtarak. "Legjitimiteti i revolucionit" është motoja e tyre. Përfaqësues të 24 shoqatave rinore njoftuan se do të largohen nga sheshi Tahrir vetëm pasi pushteti i gjeneralëve t'i kalojë një qeverie "të shërimit kombëtar" nën drejtimin e mbajtësit të çmimit Nobel për paqe, Mohammed El-Baradei.

Protestat në sheshin Tahrir
Protestat në sheshin TahrirFotografi: dapd

"Ne duam një qeveri e cila të përfaqësojë revolucionin dhe kërkesat e tij. Tek Gansuri nuk kemi besim (...)", - thotë një nga protestueset në sheshin Tahrir.

Tantawi paralajmëron ndaj trazirave

Megjithë protestat gjatë të cilave humbën jetën 40 vetë, Këshilli Ushtarak, që qeveris vendin refuzoi shtyrjen e zgjedhjeve. Kryetari i Këshillit, marshalli Hussein Tantawi, foli për "pasoja serioze" nëse trazirat do të vazhdojnë. "Ne nuk do të lejojmë që nxitësit e trazirave të prishin zgjedhjet" tha Tantawi në prag të zgjedhjeve. Kryetari i Këshillit Ushtarak u bëri thirrje egjiptianëve të votojnë: "Egjipti ndodhet në udhëkryq - ose ecim përpara ekonomikisht, politikisht dhe në aspektin social, ose pasojat do të jenë shumë serioze", deklaroi Tantawi.

Grupimi politik më me influencë në Egjipt, Vëllazëria Myslimane, nuk mori pjesë në protestat e fundit dhe i bëri thirrje egjiptianëve të marrin pjesë në votime. Pritet që partitë islamike të marrin shumicën në parlament. Detyra kryesore e parlamentit të ardhshëm do të jetë përcaktimi i një komisioni me 100 anëtarë, i cili do të hartojë kushtetutën e re të Egjiptit. Qeveria nuk do të caktohet nga parlamenti, por nga kryetari i shtetit, funksionet e të cilit i kryen aktualisht Këshilli Ushtarak.

Autor: Naima El Moussaoui / E. Xhani (dpa, dapd, rtr)

Redaktoi: Aida Cama