EBU-ja akuzon Hashim Thaçin për ndërhyrje në punën e RTK-së
26 Tetor 2009Bashkimi Evropian i Radio-Televizioneve (EBU) akuzoi sot kryeministrin e Kosovës Hashim Thaçi për ushtrim trysnie politike dhe financiare mbi Radio-Televizionin Publik të Kosovës në prag të zgjedhjeve lokale. Ai tha se kjo mund ta pakësojë suksesin e Kosovës për shkallë më të madhe njohjeje ndërkombëtare pas shpalljes së pavarësisë vitin e kaluar.
Drejtori i EBU-së Jean Réveillon tha, se RTK-ja është dëshmuar si një stacion i suksesshëm, i pavarur, pluralist dhe shumëetnik, derisa muajt e fundit "nisi një proces i pandërprerë ndërhyrjeje politike".
“Më vjen keq të them, se trysnia prej qeverisë suaj e ka shndërruar RTK-në nga një ofrues lajmesh të ekuilibruar në një levë mediatike të partisë qeveritare dhe tuajën si kryeministër," shkruan Réveillon në letrën e tij. Ai i bën thirrje kryeministrit Thaçi, të rivendosë pavarësinë e kërkuar të RTK-së për të ushtruar në mënyrën e duhur funksionin e saj.