1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Gjermania

E transformueshme dhe rezistente - Kushtetuta gjermane

Nga një dokument i përkohshëm kushtetuta gjermane është shndërruar në një histori suksesi, mendon Kryetari i Gjykatës Kushtetuese gjermane Andreas Voßkuhle.

Kushtetuta është themeli i shtetit tonë demokratik kushtetues. Asnjë kushtetutë paraardhëse gjermane nuk ka pasur një kohëzgjatje më të gjatë se kushtetuta aktuale.

Kushtetuta e sotme qe menduar fillimisht vetëm si e përkohshme. Kur Këshilli Parlamentar hartoi në mes të viteve 1948 dhe 1949 kushtetutën për Gjermaninë Perëndimore, Gjermania ishte de facto e ndarë. Nga perspektiva e nënave dhe etërve të Kushtetutës ky ligj – sikurse e formuloi Konrad Adenauer – duhet të ishte i vlefshëm vetëm për një periudhë kalimtare në mënyrë që të mos e thellonte më tej ndarjen e Gjermanisë. Për këtë arsye në vend të termit "Asamble Kushtetuese" u përdor termi "Këshill Parlamentar" dhe në vend të termit "Kushtetutë" termi Ligj themelor.

Pas ribashkimit të Gjermanisë në vitin 1990 ky "Ligji themelor" pushoi së qenë më një ligj i përkohshëm. Për 50 vjet ai kishte rezistuar dhe qe bërë një histori suksesi. Ai kishte përballuar sfida të shumta si vendosjen e riarmatimit, rifutjen e shërbimit ushtarak të detyrueshëm dhe shfuqizimin e ligjeve jashtëzakonshme. Gjatë viteve, Ligji themelor ka fituar një status të lartë dhe gëzon mirënjohjen dhe respektimin nga ana e popullsisë.

Qytetarët janë krenarë për Kushtetutën e tyre. Sipas një studimi të Institutit për demoskopi Allensbach në vitin 2014 rreth 90 për qind e popullsisë kishte "shumë" ose "relativisht shumë" besim në Ligjin Themelor dhe në Gjykatën Kushtetuese gjermane si "mbrojtëse e Kushtetutës".

Edhe jashtë vendit, Ligji themelor respektohet. Profesori amerikan i jurisprudencës Peter E. Quint e përshkruan atë si "një nga historitë më të shkëlqyera të suksesit të demokracisë në botën e pasluftës". Po ashtu kushtetuta gjermane ka qenë model edhe për shumë kushtetuta të tjera, për shembull në Portugali, Spanjë dhe Estoni, por edhe në Azi dhe Amerikën e Jugut.

Jo "Kushtetutë për kohë të mira"

Ne jetojmë aktualisht në kohë shumë të turbullta dhe pyesim veten, çfarë zhvillimesh do të sjellë e ardhmja. Bota po lidhet gjithnjë e më tepër përmes internetit, sot mblidhen dhe analizohen gjithnjë e më shumë të dhëna dhe njerëzit rrezikojnë të bëhen gjithnjë e më transparentë. Tregjet financiare, dhe bashkë me ta, shumë vende ende nuk janë shëruar plotësisht nga efektet e krizës financiare. Terrorizmi ndërkombëtar e vë rendin tonë liberal nën presion; gjithmonë e më shumë ligje të reja për sigurinë kufizojnë liritë e qytetarëve.

Bashkimi Evropian – garant i paqes dhe i prosperitetit në dekadat e fundit - nuk është në gjendje të mirë; shumë vende anëtare po i vënë sëpatën shtetit ligjor dhe po shfaqin një kuptim të dyshimtë të demokracisë. Të krijohet përshtypja se kriza është kthyer në gjendje të re të përhershme. Por bashkësitë nuk mund të veprojë përgjithmonë në gjendje krize.

Prandaj ka rëndësi qendrore që të reflektojmë në lidhje me "sundimin e ligjit" si një parim themelor të jetesës sonë së bashku dhe të jemi vigjilentë ndaj përpjekjeve për ta vënë këtë parim themelor në pikëpyetje. Ligji themelor është në qendër, ai është modern, elastik dhe i mirëfortifikuar; pra jo thjesht "një kushtetutë për kohë të mira". Në këtë mënyrë ne jemi të përgatitur për sfidat e së ardhmes.