1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Bota

E Majta e Egjiptit po formohet

Në Egjipt aktualisht po formohen jo vetëm vëllezërit myslimanë dhe forcat konservatore në parti të reja. Edhe në spektrin e majtë po krijohen para zgjedhjeve organizata të reja politike.

Protestat në Egjipt vazhduan edhe pas largimit të Mubarakut. Kairo, Maj 2011

Protestat në Egjipt vazhduan edhe pas largimit të Mubarakut. Kairo, Maj 2011

Katër muaj kanë kaluar që nga përmbysja në Egjipt, por revolucioni nuk ka marrë fund. Ende demokratët buzë Nilit përpiqen që të marrin pjesë në procesin politik, për një shoqëri të hapur dhe për drejtësi sociale. Por kalimi në epokën e re është i vështirë, thotë Mamdouh Habashi, aktivist politik në Kajro:

"Brenda 18 ditësh arritëm të rrëzojmë kokën e regjimit. Por i gjithë regjimi vazhdon të jetë në pushtet i pacënuar dhe nuk lëshon as pe. Në të gjitha fabrikat, në të gjitha universitetet, në të gjitha spitalet, mnë të gjitha shkollat, në të gjitha ministritë i gjen këta njerëz. Simbolet e regjimit të vjetër duhen mënjanuar dhe kjo nuk ndodh kaq pa probleme. Eshtë e lidhur me një luftë të gjatë."

Habashi bën pjesë në anëtarët themelues të partisë socialiste egjiptiane, e cila u themelua pak javë më parë në Kairo. Socialiste, thekson ai, jo socialdemokrate. Partia e re e sheh veten si një forcë të majtë, e cila angazhohet kundër interesave neoliberale dhe për pjesëmarrje dhe demokratizim të shoqërisë.

"Demokracinë ne nuk e shohim si një synim, të cilin mund ta arrish. Demokracia për ne nuk është synim, por një proces, dhe në fakt një proces i pafundëm."

Ky proces demokratizues nuk mund të kufizohet në zgjedhje çdo katër pesë vjet. Ai duhet të ndodhë çdo ditë dhe të prekë të gjitha fushat e shoqërisë. Edhe në fabrika duhet të ketë bashkëvendosje të punëtorëve.

Nga demonstratat e shkurtit 2011 në Sheshin Tahrir

Nga demonstratat e shkurtit 2011 në Sheshin Tahrir

Habashi ka ardhur së bashku me përfaqësues të tjerë të grupimeve të majta, me ftesën e partisë "E Majta" në Berlin, për të informuar për gjendjen në atdheun e tij. Për orientim, demokratët e Egjiptit megjithatë nuk e hedhin vështrimin vetëm drejt Gjermanisë dhe Evropës, por para së gjithash në vendet e jugut, thotë Hala Shukrallah, drejtore e Development Support Center në Kairo:

"Ne mësojmë nga njëri-tjetri. Ekzistojnë kaq shumë përvoja të ndryshme. Afrika e Jugut përjetoi pas revolucionit të saj përvojat e saj dhe ato i bëri si të thuash pjesë të trashëgimisë. Amerika Latine- Brazili dhe Kili dhe këto vende, të cilat i përmbysën regjimet e tyre fashiste dhe krijuan demokracitë e veta...ne mësojmë prej tyre. Dhe sot sytë drejtohen nga rajoni ynë. Cilat janë përvojat që do të përjetojmë, cilat modele do të krijojmë?"

Vendet e Perëndimit, Habashi dhe Shukrallahu i akuzojnë se i kanë lënë në baltë demokratët egjiptianë. Nga frika e destabilizimit dhe e kërcënimit të interesave ekonomike në rajon, ata madje mbështesin Vëllazërinë Myslimane. Ndërsa lëvizja demokratike, për evropianët dhe amerikanët ende nuk vlerësohet dot si duhet. Vendet e Perëndimti kanë frikë se marrëveshjet e lidhura mund të shfuqizohen.

Autor: Bettina Marx/ Auron Dodi

Redaktoi: Elert Ajazaj