1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Bota

E kaluara e errët e "America first" të Trumpit

Historiani i SHBA-së, Gary Gerstle është shumë i habitur për sloganin që zgjodhi për politikën e tij të jashtme Donald Trump. Përpjekja e tij për ta zbukuruar sloganin do të dështojë.

DW: Motoja për politikën e jashtme të Donald Trumpit, "America first" e ka origjinën te America First Committee, që u themelua më 1940 në SHBA, për të penguar hyrjen e SHBA-së në Luftën e Dytë Botërore. Pse ka emër kaq të keq organizata?

Gary Gerstle: Në fillim America First Committee nuk kishte fare emër të keq. Për një periudhë kohe madje ishte shumë e preferuar dhe mori mbështetje të madhe nga kampet më të ndryshme të spektrit politik. Ky komitet përfaqësonte dy gjëra: në radhë të parë kundërshtimin e qartë për hyrjen në luftë të SHBA-së, që buronte nga ndërgjegjësimi për misionin e SHBA-së Luftën e Parë Botërore. Ky shihej nga shumë vetë si gabim dhe kjo u jepte krahë njerëzve. Dhe së dyti: një shqetësim shumë të vjetër, që ka lënë gjurmë shumë të thella në mendësinë amerikane dhe që i ka rrënjët në fazën e themelimit të SHBA-së: frika nga një lidhje shumë e ngushtë me Evropën dhe nga një ngatërrim në punët e Evropës, në dëm të SHBA-së.

Shpesh kjo quhet izolim, por mua nuk më duket fjala e përshtatshme, sepse nuk është e vërtetë që SHBA-ja kërkon të izolohet nga politika botërore. Fjala më e përshtatshme do të ishte unilateralizëm. SHBA-ja do të ketë mundësinë të veprojë e lirë në botë, për t'i mbrojtur interesat e veta.

Si e mori emrin e keq kjo lëvizje kundër luftës?

Disa mbështetës të shquar të "America First" shprehën tendenca antisemite dhe simpati për Hitlerin dhe nazistët, me në krye pionierin e fluturimeve, Charles Lindbergh. Ai kishte takuar Hitlerin dhe nazistë të tjerë në fund të viteve '30 dhe e admironte atë që kishin bërë ata. Në vitin 1941, Lindbergh u bë anëtar i America First Committee dhe si një nga njerëzit më të njohur në SHBA u bë zëdhënës i kësaj lëvizjeje. Linbergh kërkonte pajtimin me Hitlerin dhe arritjen e një marrëveshjeje paqeje. Ai mbajti fjalime, në të cilat paralajmëroi se grupe të caktuara donin ta shtynin në luftë SHBA-në, në interes të ekonomisë britanike dhe hebreje. Kjo në një kohë kur nuk ka fakte, që të thonë se hebrejtë kanë luajtur këtu një rol të veçantë.

Cambride University Historiker Gary Gerstle

Gary Gerstle

Kur u bë e njohur afërsia e Lindberghut me nazistët, kjo shkatërroi jo vetëm emrin e tij përgjithmonë, por të gjithë lëvizjen. Që atëherë, asnjë politikan nuk ka dëshirë ta vendosin në lidhje me America First Committee - me pak përjashtime. Aq më e çuditshme është që një kandidat i mundshëm për president të SHBA-së e bën këtë me ndërgjegje të plotë.

Çfarë flet për Donald Trumpin, që e bëri "America First" moto të politikës së tij të jashtme?

Unë nuk besoj që Trumpi ka simpati për nazistët ose se ka dobësi për Hitlerin, si Lindbergh. Unë shoh në këtë një kombinim të injorancës së Trumpit dhe zgjuarsisë së tij, për të zgjedhur në mënyrë shumë të ndërgjegjshme slogane provokative. Ai ka zgjedhur një slogan që i është dukur veçanërisht i thjeshtë për t'u mbajtur mend dhe ku është i pranishëm edhe nacionalizmi i tij ekonomik. Shumë amerikanë ndoshta nuk dinë asgjë për America First Committee në vitet 1940-1941. Por mediet e tregojnë lidhjen me atë kohë dhe publikojnë artikuj të rinj herë pas here. Pra për shumë vetë duhet të jetë e qartë se "America First" dikur ka qenë një organizatë shumë e dëmshme dhe përpjekjet e Trumpit që kjo të tingëllojë thjesht si një deklaratë patriotike do të dështojnë.

Gary Gerstle është amerikan nga SHBA-ja dhe profesor i historisë amerikane në Universitetin e Cambridge në SHBA.