1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Evropa

E ka humbur BE-ja atraktivitetin?

Entuziazmi për idenë e Evropës është ftohur. A e ka humbur integrimi evropian atraktivitetin e tij për vendet jo anëtare? Christoph Hasselbach komenton.

default

Çfarë kanë të përbashkët Ukraina, Turqia dhe Islanda? Në shikim të parë, thuajse asgjë. Të tre vendet janë politikisht, ekonomikisht dhe nga ana kulturore shumë të ndryshme. Por, që të tre janë përpjekur vite më parë shumë për t'u lidhur me BE-në, kurse sot i kthejnë Brukselit më tepër shpinën. Dhe edhe në Ballkanin Perëndimor duket se entuziazmi për idenë e Evropës është ftohur. Serbia p.sh. nuk është e gatshme që të pranojë sot humbjen e krahinës së saj të dikurshme Kosovës. Me këtë qëndrim ajo bllokon edhe rrugën e saj drejt Evropës. Çfarë ka ndodhur? A e ka humbur integrimi evropian atraktivitetin e tij për vendet jo anëtare?

Çdo rast është i ndryshëm

Kjo nuk është kaq e thjeshtë, edhe për shkak se arsyet e zhgënjimit për secilin rast janë të ndryshme. Në Ukrainë është thjesht presioni nga Moska. Presidenti Putin tha qartë dhe konkretisht se çfarë mund të ndodhë në qoftë se Ukraina kthehet nga BE-ja, dhe bëri oferta konkrete për përfitime në rast se nuk e bën këtë.

Në rastin e Turqisë presioni nga jashtë nuk luan ndonjë rol. Turqia ka përshtypjen - që është e vërtetë - se shumica e evropianëve e refuzon si anëtare të plotë, gjë që megjithatë nuk e pengon BE-në për të vazhduar negociatat duke e vrarë ndërgjegjia.

Krejt ndryshe është puna me Islandën. Islanda e ka marrë përsëri veten pas krizës së rëndë financiare. Ajo nuk ka nevojë për BE-në për të dhe nuk është e gatshme të ndajë zonat e saj të peshkimit me të tjerët. Kurse Serbia është rob i së kaluarës.

Qeveria apo popullsia?

Po ka edhe një tipar tjetër dallues. Dhe ky është ndoshta më i rëndësishmi. Kjo ka të bëjë me pyetjen nëse janë qeveritë apo qytetarët që kanë humbur entuziazmin e tyre. Qeveritë ndryshojnë, dhe shumë politikanë ndjekin interesat e tyre personale. Kurse interesat dhe dëshirat e çdo shoqërie, janë shumë më të qëndrueshme.

Kjo varet gjithashtu edhe nga shkalla e lirisë që kanë qytetarët për të shprehur mendimin e tyre në vendet e tyre dhe nëse qeveritë e marrin parasysh këtë mendim. Në këtë drejtim në rastin e Ukrainës duhet bërë dallimi mes shumicës së popullsisë që është pro BE-së dhe qeverisë e cila ose preferon lidhjen me Rusinë ose të paktën lejon që t'i diktojë rrugën Moska.

Kurse në Islandë popullsia është dhe qeveria janë në mënyrë të qartë kundër Brukselit. Dhe në këtë mes nuk ka gjasa të ndryshojë shpejtë ndonjë gjë. Islanda është një nga vendet e pakta që i përmbushu kushtet politike dhe ekonomike të BE-së që sot, por ajo nuk do të bëhet anëtarë.

Disa kanë mundësi, të tjerë jo

Por t'i rikthehemi çështjes së atraktivitetit të BE-së. Edhe për këtë nuk mund të japësh një përgjigje të përgjithshme. Islandezëve Evropa nuk mund t'u ofrojë as më shumë mirëqënie dhe as më shumë demokraci - se të dyja i kanë tashmë. Kjo është arsyeja pse islandezët nuk shohin tek anëtarësimi ndonjë fitim shtesë. Krejt ndryshe në vendet e Ballkanit Perëndimor. Popujt e këtyre vendeve janë të etur për të qëndrueshmëri, sundim të ligjit dhe prosperitet. Ato vende janë shumë të dobta dhe shumë të izoluara për t'u orientuar ekonomikisht dikur tjetër nga BE-ja. Për ta, e vetmja mundësi zhvillimi është në kuadër të BE-së.

Si Turqia dhe Ukraina do të përfitonin vërtetë nga reformat demokratike. Por me madhësinë dhe pozitën e tyre gjeografike ato kanë alternativa në lidhje me orientimin e tyre ekonomik si në Lindjen e Mesme apo drejt Rusisë. Se çfarë u sjell atyre objektivisht më shumë përfitime, kjo është një çështje tjetër.

Në konsideratë duhet marrä edhe përshtypja se BE-ja vjen së pari me kërkesa: zhvilloni demokracinë, reformoni ekonominë, bëni sakrifica, dhe pastaj të shohim. Përfitimet duken abstrakte dhe të mundshme në të ardhmen e largët. Ky është edhe një problem komunikimi.

Jo kompromise të kalbura

Koha kur idenë e Evropës nuk kishe nevojë t'ia sqaroje askujt, ka kaluar. Kjo dihet tani si brenda dhe jashtë BE-së. Dhe kjo është në fakt një gjë e mirë. Kjo mbron prej shpresave të tepruara. Bashkimi Evropian dhe ato vende që duan të sqarojnë marrëdhëniet e tyre me të, duhet tregohen të matur në këtë punë. BE-ja nuk ka nevojë t'u lëpihet sheteve që nuk duan. Në rastin e Ukrainës pragu i vetëmohimit tashmë është tejkaluar.

Dhe BE-ja duhet të ngulë këmbë te vlerat e saj. Kjo do të thotë që nuk duhet të bëjnë lëshime n lidhje me demokracinë dhe shtetin e së drejtës, për të mbajtur në sferën e saj të influencës një shtet me rëndësi gjeo-strategjike. Ajo mund ta bëjë këtë duke e ditur se ka shumë për të ofruar.

Këtë e dinë edhe qeveritë e këtyre vendeve. Kjo është arsyeja pse ata shpesh nuk i refuzojnë ofertat e Brukselit për bashkëpunim, por përpiqen vetëm që t'i marrin përfitimet me çmim sa më të ulët që të jetë e mundur. Por duhet të jetë e qartë se anëtarësimi nuk mund të blihet me çmim të ulët.