E dëmton heqja e titullit të doktorit ministres Schavan shkencën gjermane?
6 Shkurt 2013
Universiteti i Dyseldorfit ia hoqi ministres së Arsimit Schavan titullin e doktorit. Këshilli përkatës i fakultetit votoi në aferën e plagjiaturës për heqjen e titullit, bëri të ditur kryetari i Këshillit Bruno Bleckmann të martën në mbrëmje.
Schavan (CDU) ka "paraqitur në mënyrë sistematike dhe me qëllim rezultate mendimesh, të cilat në të vërtetë nuk janë të saj", tha Bleckmann. Në disertacionin e vitit 1980 ka në "një masë të konsiderueshme marrje pa dhënë autorësinë të teksteve të autorëve të tjerë". Pas heqjes së titullit, Schavani rezulton që nuk e ka përfunduar (me një punim) shkollën e lartë.
Afera e plagjiaturës së ministres së Arsimit, Annette Schavan vazhdoi për disa kohë. Që prej 22 janarit 2013 Universiteti i Dyseldorfit shqyrtoi në mënyrë shumë zyrtare, nëse ministrja e mbante me të padrejtë titullin e doktores. Kjo në një kohë kur kritikat që i bëheshin Annette Schavanit kishte muaj që njiheshin: në maj 2012, një përdorues anonim interneti publikoi në faqen e internetit "schavanplag.wordpress" për herë të parë akuzat e tij. Sipas tij, pikërisht ministrja aktuale e Arsimit mendohet që i ka shkelur në mënyrë masive standardet shkencore dhe ka kopjuar tek shkencëtarë të tjerë.
"Unë jam i shqetësuar, që përmes këtij procesi krijohet përshtypja që në shkencë gënjeshtra dhe mashtrimi janë në rend të ditës", ankohet Bernhdard Kempen, President i Shoqatës së Shkollave të Larta Gjermane, përballë DW. Profesori i Këlnit jo vetëm që ka shkruar vetë në vitet '80 një doktoraturë - edhe ai vetë mban përgjegjësi për emrin e të gjithë atyre, që punojnë në sistemin e shkencës gjermane. Sepse në Shoqatën e Shkollave të Larta Gjermane ai përfaqëson interesat e tyre. "Besueshmëria. Kjo është monedha që këmbejmë në komunikim me shtete të tjera", deklaron Kempen. "Ne mund të kemi sukses në botë, nëse i besohet vlefshmërisë së titujve tanë. Po të mos bëhet kjo, vuan i gjithë sistemi."
Gjermania vlerësohet nga shkencëtarët
Me suksesin ndërkombëtar ministrja e Arsimit, Annette Schavan mund të mburrej vërtet vitet e fundit: në Gjermani ka më shumë se një gjysmë milioni vetë që e fitojnë bukën e gojës me kërkime shkencore. Dhe Gjermania është një nga vendet kryesuese, kur bëhet fjalë për eksportin e produkteve që kërkojnë shumë punë shkencore dhe që kanë rëndësi në tregjet botërore. Edhe shkencëtarët e huaj e çmojnë Gjermaninë si qendër të kërkimeve shkencore të nivelit të lartë. Vetëm në vitin 2010, në Gjermani e morën titullin e doktorit 3700 shkencëtarë të huaj. Me 47 përqind, shumica e atyre që mbrojti disertacionin ishin nga drejtimet e matematikës dhe të shkencave të natyrës. 15% e të shkencëtarëve të tjerë të huaj e mbrojtën temën në fushën e inxhinjerisë.
Ndoshta udhëheqësi i disertacionit të Annette Schavanit do të kishte bërë mirë që ta kishte lexuar më me vëmendje punimin e saj. Tani skandali ka dalë në botë dhe që tani spekullohet për pasojat e heqjes së gradës së doktores ministres. "Nëse titulli do të duhet të hiqet, nuk i bën dot bisht kërkesës që ministrja duhet të heqë dorë nga posti i saj", deklaroi Bernhard Kempen para heqjes së titullit. Deri para heqjes së titullit, Annette Schavani e përjashtonte dorëheqjen. Pas lajmit për heqjen e titullit, Schavani deklaroi përmes avokatëve të saj se do ta hedhë në gjyq vendimin e fakultetit.
Autor: Clara Walther/ Auron Dodi
Redaktoi: Mimoza Kelmendi