E ardhmja e Opelit në sfondin e bisedimeve pa rezultat të së enjtes në selinë e kancelares në Berlin
29 Maj 2009Gazeta Flensburger Tageblatt shkruan:
Sipas ligjit amerikan për kreditorët GM nuk mund të bjerë dakord me modelin e administrimit prej një shoqërie mirëbesimi, që favorizohet prej palës gjermane. Berlini nuk duhet ta bëjë hesapin pa hanxhijtë në Detroit dhe Bruksel. Me Opelin janë të lidhura 400 000 vende pune në të gjithë Evropën. Dhe përveç koncernit të rrjetit tregtar Karstadt po e ngre zërin dhe po kërkojnë barazi edhe ndërmarrjet e vogla dhe të mesme. Një fuçi pa fund! Me gjithë këto gabime të lind pyetja, nëse dështimi i politikës nuk është një inskenim sipas motos: i bëmë të gjitha përpjekjet, fajin e kanë të tjerët. Një lojë të tillë me shpresa të gabuara e paguajnë fillimisht punonjësit e Opelit, por në fund të fundit të gjithë taksapaguesit.
Oldenburgische Volkszeitung vëren:
Ajo, që po ndodh në bisedimet për shpëtimin e Opelit, mund të quhet vetëm si një lojë pokeri shumë e rrezikshme. Kjo vlen sidomos në lidhje me mënyrën se si sillen "lojtarët" e palës amerikane. Si koncerni mëmë i Opelit General Motors (GM) edhe qeveria e SHBA-së testojnë secili për vete dhe gjithnjë nga e para se sa të forta janë nervat e të gjithë pjesëtarëve. Bllofe, parashtrim ofertash të reja, karta të reja, të gjitha këto janë pa dinjitet. Bëhet fjalë për mijëra vende pune dhe të ardhmen e firmave me traditë për prodhimin e automobilëve në të dyja anët e oqeanit.
Autor: Pandeli Pani
Redaktoi: Angjelina Verbica