1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Evropa

Dyndje refugjatësh në ishullin Kos

Ishulli grek Kos po përballet me një valë të madhe refugjatësh. Autoritetet greke nuk janë të përgatitura për një valë të tillë. Ndërkohë që edhe kriza ekonomike dhe sociale është e madhe.

Gati 1000 refugjatë shtyhen në portin e ishullit Kos. Të gjithë ata shpresojnë se do të futen në anijen "Eleftheros Venizelos". Atje regjistrohen refugjatët të cilët mund të kenë edhe një vend për të fjetur. Gati të gjithë kanë ardhur me anije të vogla nga Turqia, përmes Egjeut. Disa prej tyre po presin qysh prej 20 ditësh në këtë ishull. Ata flenë në çadra të vendosura në bregdet apo thjesht në qielli të hapur, afër ndonjë peme. Uji i pijshëm dhe ushqimet nuk mjaftojnë ndërkohë që tualete nuk ka.

"Ne po punojmë me autoritetet lokale së bashku për të gjetur një vend ku ata mund të strehohen në çadraq. Por këtë fillimisht duhet ta lejojnë autoritetet", thotë Roberto Mignone, koordinator për refugjatë në UNHCR. Autoritetet dhe personeli i UNHCR po përpiqen të ulin tensionet dhe shtyrjet në port. Në turmën e madhe një grua përpiqet të ruajë fëmijën e saj që mban në duar. Tensionet janë shtuar qëkurse qeveria greke vendosi që në anije mund të futen vetëm njerëzit nga Siria.

Sirianët kanë përparësi

Mariah është 25-vjeçare. Ajo vjen nga Afganistani por nuk do ta thotë mbiemrin. Në Kos ka mbërritur para dy javësh. Asaj i mungojnë dokumentat e domosdoshme për të vazhduar rrugën. Shpreson se do të mund të shkojë në Gjermani apo në Suedi. "Unë jetoj në rrugë, në një kopsht. Natën kam frikë dhe nuk e di çfarë të bëj. Nuk kam para dhe vendstrehim të sigurt". Mariah qëndron pranë dyerve të portit, me gocën e vogël të saj shtatëvjeçare. Sirianët parakalojnë dhe shkojnë në drejtim të anijes, ku mund të strehohen deri në 2500 vetë.

Si shumë ujdhesa të tjera greke, edhe Kosi me 30.000 banorët e tij, është stërmbushur me refugjatë. Më shumë se 700 vetë kanë ardhur vetëm në korrrik. Greqia edhe vet ndodhet në krizë të madhe ekonomike dhe sociale. Sipas të dhënave të autoriteteve, në këtë vend prej janarit kanë ardhur përmes detit 156.726 refugjatë. Përveç luftës në Siri numri është rritur kohët e fundit edhe për shkak të qetësisë së detit gjatë muajve të verës, që mundëson lundrim më të lehtë të anijeve.

Tensionet e paparashikueshme

Javën e fundit u regjistruan incidente të dhunshme në një stadium futbolli, pasi njerëzit prisnin me orë të tëra, pa ujë dhe ushqime, në temperatura shumë të larta, për regjistrim dhe rregullimin e dokumenteve. Policia e mbylli stadiumin me 1000 refugjatë për 24 orë dhe përpiqej të vendoste rendin. Katër ditë më pas pati incidente të dhunshme edhe me 50 migrantë afganë, iranikanë dhe pakistanez në ishullin Kos.

Eksperti grek për ekonomi dhe politikë Yannis Koutsomitis mendon se qeveria greke nuk është e përgatitur për një numër kaq të madh refugjatësh. "Nuk ka infrastrukturën e duhur për regjistrimin e një numri kaq të madh. Nuk ka as policë të mjaftueshëm apo ndonjë plan për pranimin dhe transportimin e refugjatëve." Ndihmat janë nisur për në Greqi, thotë Roberto Mignone nga UNHCR. "Kjo është e domosdoshme, sepse gjendja ëshët shumë e rëndë."

Kërkimi i zgjidhjes

Dy orë më vonë situata në port qetësohet pak. Refugjatët nga Siria janë ulur në radhë të parë dhe presin gjithë natën për regjistrim. Rreth 1000 persona janë futur ndërkohë në anije. Kryebashkiaku i Kosit, Giorgis Krystis, ka bërë të ditur javën e kaluar se anija nuk do të shndërrohet në një kamp refugjatësh dhe se ata nuk do të rrinë më shumë se dy javë këtu.

Angeli punon në një restorant në Kos. Por as ai nuk do ta thotë mbiemrin. Prej atje ai mund ta shohë një vendstrehim të refugjatëve. "Situata është shumë e keqe - për ta dhe për ne", thotë ai. Turistët kanë frikë ndërkohë që natën të kalojnë atje. Ata nuk duan të shohin njerëz në këtë gjendje. Por edhe unë kam frikë të shetis natën." Banorët kanë frikë se rritja e numrit të refugjatëve do të influencojë negativisht edhe numrin e turistëve.

"Kur në një ishull kaq të vogël vijnë kaq shumë refugjatë, është normale që situata të tensionohet", thotë Daniel Esdras, nga Organizata Ndërkombëtare për Migrantë. "Njerëzit në fillim kanë qenë shumë të sjellshëm, por gjendja ngadal po ndryshon." Turisti skocez Alan Davidson shijon një cocktail dhe nga restoranti shikon drejt shëtitores buzë detit mbushur plot me refugjatë. "Këta njerëz duket se kanë probleme të mëdha në vendet e tyre. E kuptoj edhe zemërimin e banorëve të këtushëm dhe të turistëve. Por këta njerëz kanë ikur për të shpëtuar veten dhe familjet e tyre. Kështu do të veproja edhe unë."