1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Ballkani

Dy vjet qeveri serbe

Qeveria e Serbisë mbushi këto ditë dy vjet të krijimit të saj. Problemet e kabinetit qeveritar të kryeministrit Mirko Cvetkoviq janë më të mëdha se sa sukseset.

Parlamenti serb

Parlamenti serb

Në qoftë se pyesni qytetarët e zakonshëm në rrugë se çfarë u bie së pari ndërmend kur e përmendet qeveria e tanishme, përgjigja më e shpeshtë është rënia e standardit të jetës. Më pas vinë problemet tjera si heqja e vizave, Kosova dhe tema të tjera.

Dy vitet e fundit, standardi i jetës në Serbi ka rënë rreth 30 për qind. Rrogat mesatare kanë rënë nga 420 euro në 330 euro, që do të thotë se rrogat e qytetarëve të Serbisë në këtë moment janë ndër më të ultat në mbarë rajonin. Numri i të papunëve në Serbi është rritur këto dy vite, sipas të dhënave të sindikatave, në 200.000 persona. Ekspertët paralajmërojnë se edhe vlera e monedhës vendore, dinarit, do të vazhdojë të bjerë në krahasim me euron dhe dollarin amerikan. Do të vazhdojë edhe largimi i punëtorëve nga vendet e punës, ndërkohë që këtë qeveri e karakterizojnë edhe mosmarrëveshjet rreth çështjeve themelore, siç është për shembull reforma e sistemit fiskal. Të shpeshta janë edhe mosmarrëveshjet mes anëtarëve të kabinetit qeveritar, mes ministrave si dhe mes ministrave dhe kryeministrit Mirko Cvetkoviq.

Vite të humbura

Bashkëpunëtori i Institutit për hulumtimet e tregut, Sasha Gjogoviq është i mendimit se këto dy vitet e fundit në fakt janë vite të humbura, sepse qeveria e kryeministrit Mirko Cvekoviq nuk ka çuar deri në fund asnjë prej reformave të filluara. Ngirtja e prodhimit në tremujorin e parë është, sipas tij, vetëm pasojë e riaktivizimit të kapaciteteve të mëparshme prodhuese e jo rikontruktimi i ekonomisë apo investimet e reja të huaja apo të brendshme.

Kryeministri serb Mirko Cvetkovic

Kryeministri serb Mirko Cvetkovic

Disa ekonomistë të tjerë kanë mendim të kundërt. Ata thonë se qeveria e tanishme po ndërmerr masat e duhura për tejkalimin e krizës ekonomike. Eksperti i ekonomisë, Millan Kovaçeviq thotë për Deutsche Wellen se dobësimi i valutës vendore në krahasim me euron, është në të mirë të ekonomisë vendore. Ndërkohë që probleme, sipas tij, kanë vetëm ata të cilët kanë marrë kredi në euro. "Numri i madh i të papunëve është shtuar deri në këtë nivel për shkak të krizës ekonomike, e cila ka tronditur edhe vendet si Shtetet e Bashkuara të Amerikës, të cilat kanë probleme të ngjashme. Numri i të punësuarve nuk duhet të shtohet vetëm sa për të shtuar numrin, por duhet mundësuar rritjen ekonomike në mënyrë që kjo rritje të gjenerojë vende të reja pune", thotë Kovaçeviq.

Përmirësimi i gjendjen nuk ka arritur tek qytetarët

Sipas të dhënave zyrtare, Serbia nuk është në recesion, por edhe autoritetet qeveritare pranojnë se qytetarët ende nuk mund të përfitojnë nga fillimi i përmirësimit të gjendjes. Qeveria ka planifikuar rritjen ekonomike për këtë vit prej rreth 1,5 për qind, vazhdimin e rritjes së prodhimit bruto, vazhdimin e ndërtimit të korridorit 10 dhe projekteve të tjera të infrastrukturës, zvogëlimin e shpenzimeve publike, ngrirjen e pensioneve dhe rrogave në sektorin publik dhe masa të tjera.

Në aspektin politik, Kosova edhe më tej mbetet një prej çështjeve më të rëndësishme. Sytë e qeverisë dhe të opinionit serb janë të drejtuara drejt Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë e cila duhet të jap mendimin për ligjshmërinë e pavarësisë së Kosovës. Beogradi pret që kjo Gjykatë të shpallë ilegjitime shpalljen e pavarësisë dhe të fillojnë negociatat e reja për statusin e Kosovës. Ndërkohë që në aspektin diplomatik, një prej sukseseve më të mëdha është heqja e vizave për udhëtimin e qytetarëve të Serbisë në vendet e Bashkimit Evropian.

Beograd

Beograd

Pa BE dhe pa Kosovë?

Analisti Gjorgje Vukadinoviq thotë se megjithë pohimet e kundërta të qeverisë në Beograd, çështja e Kosovës dhe integrimit në BE janë të lidhura. "Qeveria e presidentit Tadiq, siç e quaj unë, nuk ka arritur që këto dy çështje t'i mbajë në binarë të ndryshëm. Në fund mund të ndodhë që të mbetemi pa BE-në dhe pa Kosovën", thotë Vukadinoviq.

Sipas tij, qeveria serbe në dy vitet e fundit ka arritur rezultatet më të mira në luftën kundër krimit të organizuar. Ky proces është larg përfundimit, por janë kryer disa aksione shumë të rëndësishme kundër këtij krimi. Vukadinoviq beson se mund të arrestohen edhe udhëheqësit e klaneve më të rëndësishme të kriminelëve, të cilët aktualisht janë larguar. Ai është i mendimit se qeveria tani funksionon më keq se para dy vitesh, kur është themeluar, për shkak të raporteve jo të mira mes disa ministrave si dhe mes disa ministrave dhe kryeministrit, që për një vend parlamentar as që mund të paramendohet.

„Mendoj se do të ketë gjithnjë e më shumë shkëndija, me afrimin e zgjedhjeve. Argumenti më i rëndësishëm i kësaj qeverie është opozita jo unike dhe e pa organizuar, e cila nuk ka ndonjë program të qartë", pohon Vukadinoviq.

Në Serbi gjithnjë e më shumë po manifestohet fakti që kemi jo vetëm një krizë ekonomike por edhe krizë shoqërore. Psikologët paralajmerojnë për përdorimin gjithnjë e më të madh të alkoholit dhe duhanit dhe faktin që për blerjen e tyre ndahen më shumë para se për shëndetësinë apo arsimin. Psikologët thonë se kjo është pasojë e frikës së qytetarëve për ekzistencën.

Autor: Vesna Rajkoviq/ Bahri Cani

Redaktoi: Aida Cama

  • Data 10.07.2010
  • Shpërndajeni Dërgo Facebook google+
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink http://p.dw.com/p/OFlc
  • Data 10.07.2010
  • Shpërndajeni Dërgo Facebook google+
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink http://p.dw.com/p/OFlc