1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Dy vite pas revolucionit - Egjipti ende vuan

Lindita Arapi25 Janar 2013

Më 25 Janar mbushen dy vjet nga revolucioni egjiptian që rrëzoi presidentin Mubarak. Një aktivist i orëve të para rrëfen për dhunën, Vëllazërinë Myslimane dhe gjendjen në Egjipt.

https://p.dw.com/p/17RQI
Fotografi: AP

Sheshi Tahrir mbetet i bllokuar: Tela me gjemba dhe thasët e rërës në rrugët anësore ende duan të pengojnë protestat. Në sheshin dikur të gjelbër janë vendosur çadrat e bardha të demonstruesve. Edhe në përvjetorin e dytë të revolucionit, sheshi Tahrir sërish është qendër protestash kundër pushtetit - sot kundër Vëllazërisë Myslimane.

Ibrahim Kenderian është 26 vjeç. "Ditën e Zemërimit", siç njihet tanimë 25 janari i vitit 2011 ai e përjetoi në Aleksandri. Prej andej u përhapën demonstratat në të gjithë vendin. Ibrahimin e tërhoqi kryeqyteti Kajro. Më 28 Janar, Kenderian u bë pjesëtar i një marshimi gjithnjë në rritje të protestuesve në drejtim të sheshit Tahrir. Gjatë rrugës dhuna shpërtheu duke e kthyer këtë protestë në një nga gjakderdhjet më të mëdha të revolucionit egjiptian. "Policia vuri në përdorim gjithçka kishte: Plumba gome, gazin lotues. Erdhi një moment që ata u drejtuan me transportuesit e trupave brenda turmës për të shtypur demonstruesit."

Një makinë e tillë shtypi dy të rinj para syve të Ibrahim Kenderianit. Por demonstruesit panë se ishin të panumërt dhe nuk ndalën derisa mbërritën në sheshin Tahrir. Shumë demonstrues e paguan me jetën guximin e tyre në këtë ditë historike.

Dhuna vazhdon

Por rrëzimi i Mubarakut nuk e ndali dhunën e lidershipit kundër egjiptinëve që vazhduan luftën për liri dhe drejtësi sociale. Deri më sot dhuna vazhdon. Kenderian u arrestua vitin e kaluar gjatë një përleshjeje në rrugë. Policët e goditën brutalisht, ndërsa kriminelë në bashkëpunim me policinë i vodhën sendet me vlerë. Më pas ai u torturua me orë të tëra.

Ibrahimi është i zhgënjyer si shumë egjiptianë të tjerë. Vërtet Mubaraku u rrëzua, ushtria u mënjanua nga politika e përditshme dhe u organizuan zgjedhjet. Por ndërkohë në pushtet kanë ardhur islamistët. Ata kanë kufizuar liritë dhe të drejtat, dhe me kushtetutën e re e kanë ndarë më dysh shoqërinë egjiptiane. Ndërkohë nuk janë shënuar aspak përparime në luftimin e varfërisë. "Ata nuk kanë ndryshuar asgjë. Ata nuk janë të aftë dhe nuk dëgjojnë askënd. E njerëzit vdesin - ata duan thjesht të jetojnë, të kenë ushqim për të jetuar."

Sistemi social në gjendje të mjerueshme

Pak metra larg rrugës, ku Ibrahim Kenderian u arrestua para një viti ka pasur një shpërthim gazi. Një pjesë e madhe e familjes së kujdestarit të pallatit ku banonte Ibrahimi, humbi jetën. Ai vetë sapo është kthyer nga spitali. Një gjendje e mjerueshme, rrëfen ai. Nuk ka as jastëkë, as ushqim, vetëm pisllëk. "Ne kemi një ministër shëndetësie. Çfarë bën ai?"

Ibrahim mendon se pikërisht mospërparimi do të bëjë që njerëzit të kuptojnë, se politikanët e Vëllazërisë Myslimane nuk janë shenjtorët që ata prisnin t'u sillnin mrekullinë. Ata nuk janë në gjendje të ndryshojnë situatën. "E mira është që ata vetë po e rrëzojnë vetveten. Ata do të pengohen me këmbët e veta, si Mubaraku. Kjo është pozitive. Unë mendoj se tani ka ardhur koha të kërkojmë një figurë lider të këtij revolucioni."

Zhgënjim nga opozita

Opozita egjipitiane në këto dy vite ka qenë thellësisht e përçarë. Ajo bashkohet vetëm në një pikë - kur vjen puna tek vlerësimi për Vëllazërinë Myslimane, që për opozitën është e rrezikshme dhe e paaftë. Ibrahim Kenderian është i zhgënjyer nga politikanët e njohur opozitarë si Mohamed El-Baradei apo Hamdien Sabahi. Më parë El-Baradei gëzonte të gjithë mbështetjen e demonstruesve. Por ai asnjëherë nuk e mori iniciativën apo nuk pati një vizion të qartë, kritikon aktivisti egjiptian Ibrahim Kenderian.