Duma voton për përfshirjen e Krimesë
20 Mars 2014"Ukraina nuk do të heqë dorë kurrë nga lufta për çlirimin e Krimesë, sado e gjatë dhe e dhimbshme të jetë ajo", thuhet në një rezolutë të miratuar nga parlamenti në Kiev. Deputetët i bënë thirrje edhe bashkësisë ndërkombëtare, që të mos e njohë "të ashtuquajturën Republika e Krimesë."
Ambasadori ukrainas në Kombet e Bashkuara në Gjenevë paralajmëroi se Rusia është e gatshme për të nisur një "ndërhyrje në shkallë të gjerë në lindje dhe në jug të Ukrainës". Ka "të dhëna" për këtë, tha Juri Klymenko.
Rusia do ta forcojë praninë ushtarake
Ajo që është e sigurtë, është se Rusia ka njoftuar për një zgjerim të mëtejshëm të forcave të saj të armatosura në Krime. "Do të jetë e nevojshme të zgjerojmë infrastrukturën ushtarake në gadishull, në mënyrë që Krimea të jetë një përfaqësuese e denjë e Federatës Ruse dhe të mund të mbrohet kundër çdo sulmi", citon agjencia e lajmeve Itar-Tass zëvendësministrin e Mbrojtjes, Juri Borisov.
Shefi i Kremlinit Vladimir Putin dhe udhëheqja e gadishullit separatist të Krimesë, besnike e Moskës, nënshkruan të martën traktatin e anëtarësimit. Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së Ban Ki Moon ka shprehur shqetësimin e tij për krizën e Krimesë. Ban u shpreh pak para një takimi me Putinin në Moskë
Pavarësisht nga fakti se edhe BE kritikon fort veprimet e Rusisë në gadishullin e Detit të Zi, Franca nuk dëshiron të ndalojë një biznes të madh armatimi me Moskën, të paktën jo tani.
Çështja e dërgimit të dy transportuesve të helikopterëve të klasit Mistral do të shtrohet në tetor, tha ministri i Mbrojtjes, Jean-Yves Le Drian. Për këtë datë ka qenë planifikuar deri tani dorëzimi i luftanijes së parë forcave të armatosura ruse.
Çmimi i një helikoptermbajtëseje rreth 600 milionë euro
Një marrëveshje ndërmjet Parisit dhe Moskës e vitit 2011 parashikon, që një konsorcium pranë kantierit detar francez STX Francë të ndërtojë dy helikoptermbajtëse të tipit Mistral për ushtrinë ruse. Përveç kësaj Rusia mund të prodhojë edhe dy anije të tjera në vendin e vet. Sipas të dhënave të agjencisë ruse të lajmeve Interfax çmimi për transportuesit e helikopterëve, të dorëzuar pa armë, është nën 600 milionë euro.
Në vende të tjera perëndimore u shprehën rezerva të mëdha kundër marrëveshjes së armëve. SHBA paralajmëruan ndër të tjera nga rreziku i transferimit të teknologjisë perëndimore. Qeveria ruse kishte bërë presion në ditët e fundit: Do të kërkojmë kompensim, nëse Franca do të ndalojë dorëzimin e helikoptermbajtësve.