1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Duma ruse merr masa kundër homoseksualëve

Eliana Xhani (dw, afp, dpa, ap)26 Janar 2013

Parlamenti në Moskë pa marrë parasysh kritikën brenda dhe jashtë vendit miratoi një ligji të ri, që u ndalon homoseksualëve të shprehen hapur për orientimin e tyre seksual. Përpara parlamentit pati protesta të dhunshme.

https://p.dw.com/p/17Rzb
Protesta të homoseksualëve në Moskë
Fotografi: picture-alliance/dpa

Parlamenti rus, Duma, votoi në mënyrë thuajse unanime një ligj të kontestuar, i cili ndalon "propagandën homoseksuale" tek të miturit. Pas një debati të shkurtër, 388 deputetët votuan në lexim të parë për projekt-ligjin, një parlamentar votoi kundër dhe një abstenoi. Përpara Dumës u zhvilluan përleshje mes aktivistëve të lëvizjes homoseksuale, besimtarëve radikalë ortodoksë dhe policisë. Homoseksualët ishin puthur në mënyrë demonstrative në publik dhe më pas besimtarët radikalë i kishin goditur ata me vezë të prishura dhe qese me bojë. Të paktën 20 demonstrues nga skena homoseksuale u ndaluan nga policia.

Në disa rajone aplikohen tashmë dënime

Protestë e homoseksualëve në Moskë
Homoseksualët përballen me paragjykime të shumta nga shoqëria në RusiFotografi: picture alliance / dpa

Projekt-ligji ishte paraqitur më shumë se një vit më parë nga parlamenti i rajonit Novosibirsk, pasi ai vetë kishte adoptuar një ligj të tillë. Ligji është tashmë në fuqi në Shën Peterburg, Kaliningrad dhe rajone të tjera. Projekt-ligji i miratuar tani nga Duma, parashikon ndër të tjera që homoseksualëve t'u ndalohet çdo lloj manifestimi publik si protestat dhe paradat. Në rast thyerje të këtij rregulli kërcënohen nga gjoba të larta në para.

Aktivistët për të drejtat e njeriut druajnë se formulimi i përgjithshëm i rregullit të ri ligjor, mund të ketë si pasojë që në të ardhmen homoseksualët të dënohen edhe për demonstrime apo se kapen për dore në publik. Ludmila Alexejeva nga grupi i Helsinkit në Moskë deklaroi se nuk bëhet fjalë për të mbrojtur fëmijët por për të kufizuar të drejtat e pakicave. Një nga kritikat është që ligji i ri bën më të vështirë punën sqaruese kundër sëmundjes së Sidës.

Homofobia shumë e përhapur

Homoseksualët përballen me paragjykime të shumta në shoqërinë ruse. Deri në vitin 1993 homoseksualiteti përndiqej si akt penal dhe deri në 1999 klasifikohej si sëmundje psiqike. Paradat e homoseksualëve, të planifikuara disa herë që prej vitit 2006, janë ndaluar dhe shpërndarë me dhunë nga policia.