1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Duhet t'i lutet Athina tani Berlinit?

AG/Lindita Arapi23 Gusht 2012

Ministri i Jashtëm grek, Dimitris Avramopoulos ndodhet për vizitë në Berlin. Por Greqia ende duhet të presë për shpëtimin. Gjermania rreptëson qëndrimin ndaj Greqisë.

https://p.dw.com/p/15t0H
Dimitris Avramopoulos
Dimitris AvramopoulosFotografi: picture-alliance/dpa

Në kuadër të turit diplomatik të nivelit të lartë që Athina ka nisur në Berlin, me ardhjen fillimisht të ministrit të Jashtëm grek, Dimitris Avramopoulos dhe të premten të kryeministrit grek, Samaras, qeveria gjermane ka ulur shpresën se do të vendoset shpejt për fatin e Greqisë. Qeveria gjermane duket se nuk është e gatshme të bëjë lëshime të tjera për krizën greke. Qëndrimi këtë herë duket se është shumë i qartë: Në rast të shkeljes së rregullave të miratuara tashmë për kursimet, Greqia duhet ta lerë eurozonën.

Pra duket se për Greqinë lufta për t'i shpëtuar falimentimit po shkon në raundin e fundit.  Ministri i Jashtëm grek, Dimitris Avramopoulos, i cili ndodhet për vizitë në Berlin sigurisht nuk do ta ketë të lehë të gjejë tonin e duhur në Berlin. Kjo sidomos kur politikanë të nivelit të lartë gjerman, kanë rritur presionin ndaj Greqisë, pak para mbërritjes së ministrit të Jashtëm grek në Gjermani. Si ministri i Financave Schäuble, ashtu edhe politikani i nivelit të lartë të CDU-së, Volker Kauder, ka cituar revista gjermane "Der Spiegel" në fundjavë, nuk duket se janë më të gatshëm për të përgatitur edhe një paketë të re shpëtimi për Greqinë.

Angela Merkel
Angela MerkelFotografi: Reuters

Për shpëtimin Greqia ende duhet të presë

Dimitris Avramopoulos zhvilloi sot (20.08) një takim me ministrin e Jashtëm gjerman, Guido Westerwelle, si një takim parapërgatitor për vizitën tjetër të nivelit të lartë që zhvillohet të premten në Berlin. Kryeministri i ri grek, Antonis Samaras takohet me kancelaren gjermane Angela Merkel (CDU) në kryeqytetin gjerman. Zëdhënësi i qeverisë gjermane, Steffen Seibert u shpreh të hënën se nuk pritet që të vendoset që të premten për Greqinë. Nuk mund të pritet "që të vendosen piketat e mëdha dhe të merren vendimet e rëndësishme", theksoi zëdhënësi Seibert.

Sipas mediave, në arkat greke mungojnë 2,5 miliardë euro të tjera, tepër të nevojshme për buxhetin grek. Në këto kushte, Berlini nuk e përjashton më mundësinë për përjashtimin e Greqisë nga eurozona. Problematike mbetet ende se çfarë pasojash do të kishte një hap i tillë për Gjermaninë.