Duel i heshtur - Obama dhe Clinton përpara kamerave televizive
17 Prill 2008Ishte një ato pyetje-përgjigjet, që Hillary Clinton normalisht mundohet t'i evitojë: "Mendoni se senatori Obama mund të fitojë kundër kandidatit republikan John McCain?" - pyeti moderatori i kanalit televiziv publik amerikan ABC. Në vend që të përgjigjej, Hillary Clinton, filloi të flasë për reputacionin e madh që gëzon kandidati republikan McCain dhe për vështirësinë që kanë demokratët për të gjetur një kontrahent të denjë.
Por moderatori nuk mbeti i kënaqur me përgjigjen e senatores Clinton, kështu që pyeti edhe njëherë fare qartë: "Mendoni se senatori Obama është në gjendje të fitojë?"
Hillary Clinton mori frymë thellë dhe dha një përgjigje të sforcuar: "Yes, yes, yes."
Por fytyra e saj tregoi se ç´mendon vërtetë: Barack Obama është një politikan i ri dhe i respektueshëm, por ai ofron shumë pika të dobëta, të cilat mund të përdoren fare mirë në favor të veterantit të luftës së Vietnamit, John McCain.
Në fakt Barack Obama e ka manovruar veten gjatë ditëve të fundit në defensivë. Fjalitë e tij se punëtorët që rrjedhin nga rajone të varfëra besojnë tek fuqia e armëve të zjarrit, tek feja dhe racizmi, ishin një mundësi e përkryer sulmi për republikanin McCain dhe rivalen e tij demokrate Clinton.
Në duelin televiziv, Obama u mundua të shpjegojë se çfarë kishte dashur të thoshte me fjalët e tij: "Kur njerëzit e Uashingtonit nuk kuptohen nga populli, ata u rikthehen me dëshirë vlerave fetare", tha Obama. "Kundërshtoj", ndërhyri menjëherë Hillary Clinton dhe kujtoi se gjyshi i saj ishte një punëtor i varfër nga Pennsylvania dhe besimtar, por feja e tij nuk kishte qënë në asnjë formë një refleks i frustrimit të tij politik.
Sidoqoftë në një pikë, si Obama ashtu edhe Clinton ishin të të njejtit mendim. Të dy dëshirojnë të fillojnë me tërheqjen e trupave nga Iraku, sapo të kenë hyrë në Shtëpinë e Bardhë në Uashington.
"Presidenti vendos për misionin e Irakut dhe jo si në rastin e Bushit një gjeneral me emrin Patreaus." Kështu u shpreh Barack Obama dhe rivalja e tij Clinton tundi kokën në mënyrë aprovuese.