1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Drejtësi pas 60 vjetësh - Rehabilitohen tradhtarët e Luftës së Dytë Botërore

15 Gusht 2009

Parlamenti gjerman do të kalojë së shpejti (26 gusht) një projekt ligj, që shfuqizon të gjitha vendimet gjyqësore të marra në kohën e nazizmit me akuzën për tradhti lufte.

https://p.dw.com/p/JBkN
87 vjeçari Ludwig Baumann i dënuar njëherë me vdekje për “tradhëti në luftë”
87 vjeçari Ludwig Baumann i dënuar njëherë me vdekje për “tradhëti në luftë”Fotografi: picture-alliance/ dpa

“Ndaj nesh, si viktima, është bërë përndjekja më e përgjakshme juridike në historinë e Gjermanisë”, thotë Ludwig Baumann në një nga konferencat e shtypit që ka dhënë kohët e fundit. Ai vetë ka qenë i dënuar me vdekje me akuzën për “tradhëti në luftë” dhe vetëm 60 vjet pas mbarimit të luftës, më në fund, mund të gëzohet që drejtësia po vihet në vend.

Baumann vetë krijoi në vitet 90-të “Shoqatën në mbrojtje të viktimave të jurisprudencës naziste” dhe filloi kështu luftën për rehabilitimin e të ashtuquajturve tradhtarë gjatë Luftës së Dytë Botërore. Njëri nga motivet që e ka nxitur sot 87-vjeçarin nga Bremeni që të mos dorëzohej në luftën e tij me legjislacionin gjerman ishte fati i shokut të tij, Johan Lukashitz: “Ai kishte pranga të trasha tek këmbët dhe duart, kyçet gjakonin, dhe shkaku se përse u dënua ishte sepse nuk kishte denoncuar tradhtinë ndaj luftës. Ishte një grup me afro 15 ushtarë, kryesisht vjenezë, të cilët kishin krijuar këshillin ushtarak. Pra vetëm meqë ai nuk i denoncoi ata, nazistët i prenë kokën“, rrëfen Baumann në një intervistë dhënë kanalit televiziv gjerman ARD.

Nisma e deputetit Jan Corte pritet të miratohet si projektligj në parlamentin gjerman

20.000 ushtarë të Wehrmacht-it e kanë pasur një fat të ngjashëm. Bundestagu gjerman më në fund ka vendosur t'i rehabilitojë tashmë të gjitha vendimet e marra nga gjykatat naziste me akuzën për tradhti lufte. Më 26 gusht parlamenti do të miratojë me votat e të gjitha fraksioneve projektligjin përkatës, por nisma për të erdhi qysh tre vjet më parë nga një deputet i fraksionit të majtë, Jan Corte. “Do të ishte një shenjë e mirë për t'i treguar Evropës, që ne nuk e shohim tradhtinë ndaj luftës asgjësuese nga viti 1939 e deri në vitin 1945 nuk e shohim si një akt penal, por si diçka që meriton lavdërim”, argumenton Corte në një deklaratë të dhënë në faqen e tij të internetit.

Por koalicioni i madh që përbëhet prej socialdemokratëve dhe unionistëve nuk donte të hartonte një projektligji bazuar në propozimin e partisë “E Majta”, kështu që u ra dakord që si bazë të merren idetë e të tri partive opozitare, pra edhe të liberalëve (FDP) dhe të partisë “Aleanca 90/Të Gjelbrit”. Projektligji bazohet në studimet e historianit Wolfram Wette, i cili ka analizuar 68 procese gjyqësore me akuzën për tradhti lufte. Sipas tij, në këto procese nuk bëhej fjalë vetëm për dezertime nga fronti, por edhe për raste të mos denoncimit të hebrenjve ose dezertorëve.

Pozicionim ndaj së kaluarës

Kryetari i Qendrës Përkujtimore të Rezistencës Gjermane në Berlin, Peter Steinbach, vlerëson dimensionin e jashtëzakonshëm simbolik të ligjit të ri.

"Unë parashikoj që ky ky ligj më shumti do të prekë 40 vetë, por ai prek edhe një gjykim të gabuar parimor që ka karakterizuar breza të tërë. Kjo nuk ishte e mundur në vitet 50-të dhe 60-të sepse ata që donin të shpjegonin sjelljen e tyre asokohe të gabuar ishin tepër të fuqishëm”, thotë ai në një intervistë për radion gjermane SWR.

Një shembull që e ilustron këtë mentalitet që sundonte në Gjermani në vitet e pasluftës ishte një pyetje e kryetarit të atëhershëm të Unionit Kristiansocial të Bavarisë, Franz Josef Strauss, i cili vetë në kohën e nazizmit kishte qenë nëpunës dhe nënkolonel në frontin lindor drejtuar ish-kandidatit për kancelar, socialdemokratit Willy Brandt, që kishte ardhur nga emigracioni:

“Mirë ne që e dimë se ku ishim, po ju Zoti Brandt ku keni qenë në atë kohë?” - do të pyeste Strauss. Prandaj edhe ndryshimi i ligjit “është një akt me vlerë të lartë simbolike, në të cilën një shoqëri pas-diktatoriale mbas luftës e fikson qëndrimin e saj ndaj këtij regjimi”, thotë Steinbach.

Autore: Anila Shuka

Redaktoi: Esat Ahmeti