1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Dosjet e pambyllura

Holger Schmidt19 Prill 2008

Dhjetë vjet më parë, më 20.4.1998 RAF-i u shpërnda. Por e kaluara e saj ende nuk është përpunuar tërësisht nga kujtesa kolektive. Në valën e "luftës së saj të armatosur" Fraksioni i Ushtrisë së Kuqe (RAF) vrau 34 vetë

https://p.dw.com/p/Dktc
Logo-ja e RAF-itFotografi: AP Photo

Edhe tani, dhjetë vjet pas prishjes së RAF-it hetuesit dhe gjykatat vazhdojnë të merren me organizatën. Faktikisht janë vetëm dy terroristë që kanë mbetur ende në burg, Kristian Klar dhe Birgit Hogelfeld, por prokuroria kërkon që edhe disa ish-të burgosur të rikthehen mbas kangjellave. Sepse ata vazhdojnë ende të refuzojnë bashkëpunimin për sqarimin e disa vrasjeve, veçanërisht atë të të ish-prokurorit të përgjithshëm të Gjermanisë, Buback dhe shoqëruesve të tij. Fjala është për tre ish terroristët Brigitte Mohnhaupt, Knut Folkerts dhe Kristian Klar, dhe për këtë çështje pritet një vendim i gjykatës së lartë në fillim të majit.


Por çështja Buback nuk është e vetmja që vazhdon të jetë në hetim. "Ne mund të themi tani se për të gjitha atentatet e asaj kohe janë siguruar gjurmët, por na nevojiten personat e dyshuar për t'i krahasuar", - thotë Rainer Griesbaum përgjegjës për luftimin e terrorizmit në Prokurorinë e Përgjithshme.


Por pikërisht këtu kanë ngecur hetimet gjatë muajve të kaluar. Herë nuk e lejonte Gjykata e Lartë që të dyshuarve t'u merreshin të dhënat e DNA-së, sepse nuk i dukeshin të mjaftueshme dëshmitë e hetuesve dhe herë të dhënat e DNA/së nuk përputheshin me gjurmët e gjetura në vendngjarje.


Problemet në sqarimin e vrasjes së prokurorit Buback janë të ngjashme. U bë tashmë një vit që po bëhen hetime kundër Stefan Wiesniewskit dhe mundësisë së pjesëmarrjes së Verena Beckerit në vrasje. Por deri tani hetimet nuk kanë sjellë asnjë rezultat.


Por një gjë dihet: Dhjetë vjet më parë RAF-i u shpërnda me anë të një deklarate me shkrim, dhe e shpalli të përfunduar luftën e armatosur. Por parimet bazë, solidaritetin dhe heshtjen i kanë ruajtur pothuaj të gjithë ish-anëtarët. Përveç kësaj, ata nuk kanë shprehur as keqardhjen më të vogël. Ish ministri i atëhershëm i punëve të brendshme, Manfred Kanther, në 1998 do të reagonte i indinjuar "që në këtë letër nuk gjen as edhe një fjalë të vetme keqardhjeje për kaq shumë vrasje që kanë bërë gjatë një çerek-shekulli, që nuk gjen pendesa për këtë padrejtësi të tmerrshme, por që vetëm sa konstatohet se shoqëria nuk mund të ndryshohet dhe se as në të ardhmen ajo nuk do të mund të ndryshojë dot me anë të dhunës ekstremiste, prandaj edhe kjo fazë po përmbyllet."


As sot e kësaj dite nuk ka ndonjë shenjë ndryshimi. Të rrallë janë ata ish-terroristë që kujtojnë të kaluarën. Megjithëse edhe ata e bëjnë për të treguar se kishin të drejtë, ose për të prezantuar vetveten. Ato nuk dhanë ndihmesë për sqarim të mëtejshëm. Për një gjë policia është e sigurt: RAF-i nuk përbën më rrezik për shoqërinë.