1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Gjermania

Dosja Nr. 4 Ks 2/63: Procesi i Aushvicit

50 vjet më parë përfundoi procesi i parë i Aushvicit. Një pikë kthese për viktimat, kriminelët dhe publikun.

Përgjigja shkaktoi indinjatë në sallë. Wilhelm Boger, përgjegjës për "marrjet në pyetje" në sektorin politik në Aushvic, u përball nga gjykata me shpikjen e tij "lisharësin Boger". Viktimat i lidhnin këmbë e duar, u fusnin një shufër hekuri në mes të duarve dhe gjunjëve dhe pastaj i varnin në dy tavolina. Të torturuarit e varur me kokë poshtë i rrihnin më tej në mënyrë brutale. "Unë nuk kam rrahur për vdekje", tha Boger para gjykatës: "Unë vetëm kam zbatuar urdhërat." Deklarata e Bogerit ishte simptomatike për të gjithë të akuzuarit. Asnjë gjurmë pendimi. Procesi i Frankfurtit për Aushvicin bëri për herë të parë publike pas vitit 1945 gjithë tmerrin e kampit të përqendrimit.

Wilhelm Boger

Wilhelm Boger

Aushvici, sinonim për Holokaustin

Më 27 janar 1945 kur Ushtria e Kuqe arriti kampin pranë Krakovit të Polonisë së sotme, gjeti aty rreth 7.000 të burgosur. Së fundi aty kishte rreth 60.000 të internuar, por ditët e fundit SS -ët ose i vranë ose i nisën në të ashtuquajturat marshime të vdekjes drejt Perëndimit. 1.1 milion vetë u vranë në kampet naziste të shfarosjes në mes të viteve 1940 dhe 1945: në dhomat me gaz, me gjilpëra, prej skuadrave të pushktimit dhe prej të rrahurave. Gjithçka është dokumentuar mjeshtërisht. Për publikun gjerman këto krime kanë qenë pothuajse 20 vjet tabu. Sidomos për gjyqësorin. Motoja ishte: "E shkuara duhet lënë në qetësi!" Shpirti i epokës së Adenauerit (kancelari i parë i Gjermanisë Perëndimore nga viti 1949 deri më 1963) karakterizohej nga një amnezi e përhapur ose zelli aktiv për denazifikimin.

Proceset e Aushvicit lidhen me një rastësi. Një gazetar njohu në fund të vitit 1958 një ish të burgosur në këtë kamp përqendrimi, i cili kishte shpëtuar nga djegia gjatë muajve të fundit të luftës disa dokumente. Këto ai i dha gazetarit, i cili ia dërgoi ato Prokurorit të Përgjithshëm Fritz Bauer. Ky e kuptoi menjëherë vlerën e këtij zbulimi të rastit: të dhëna për ekzekutimet në Aushvic. Aty ishin emrat e atyre që ishin vrarë, të vrasësve si, dhe arsyeja e ekzekutimit. Nënshkrues ishte Rudolf Höß, komandant i kampit. Po ashtu ishte i qartë dhe nënshkrimi i Robert Mulkas, i cili u akuzua gjithashtu më vonë në gjyqin e Aushvitcit.

Fritz Bauer, babai i procesit

Në prill 1959, Gjykata e Lartë në Gjermani përcaktoi Gjykatën e Frankfurtit mbi Main si përgjegjëse dhe Fritz Bauerin si prokuror për të gjitha gjykimet për Aushvicin. Si hebre dhe social-demokrat ai kishte qenë vetë i burgosur prej nazistëve. Pas burgimit Bauer u largua jashtë vendit. Pas luftës ai u bë ndjekësi më i vendosur i kriminelëve të luftës - jo nga hakmarrja, por për të hedhur dritë ndaj së kaluarës. Ai vetë nuk u paraqit kurrë në seanca, por si shef i Prokurorisë u jepte mbështetje prokurorëve të tij.

Procesi i Frankfurtit mundi të fillonte në vitin 1963, sepse në vitin 1958 ishte ngritur në Ludwigsburg Zyra Qendrore e Administratave të Drejtësisë së Shtetit për hetimin e krimeve naziste. Deri atëherë, kriminelët e luftës ndiqeshin vetëm pak nga pak dhe të pakoordinuar. Gjetja e dëshmitarëve të gatshëm për të folur, ishte shumë e vështirë. Shumë ish të burgosur të kampeve të përqendrimi që i kishin mbijetuar Holokaustit, nuk donin të vinin kurrë më këmbë në tokën gjermane. U desh kohë deri sa nga çdo vend nga ishin deportuar hebrejtë, të vinte të paktën një dëshmitar në Frankfurt.

Dëshmi tmerri

Procesi filloi më 20 dhjetor 1963 dhe vazhdoi 183 ditë në 20 muaj. Aktakuza ishte 700 faqe. Prokuroria i dorëzoi gjykatës 75 dosje me dokumente. Ndër to regjistrat e të vdekurve dhe regjistrat e komandanturës për bisedimet me radiomarrëset e kampit. Hetimet paraprake kishin zgjatur rreth pesë vjet.

Në Frankfurt u dëgjuan 359 dëshmitarë, nga të cilët 248 ish-të burgosur në Aushvic. Trupi gjykues shkoi edhe në Poloni për të inspektuar ish-kampin e Aushvitcit. Politikisht në atë kohë kjo qe pothuajse e pamundur, sepse Evropa ishte ende e ndarë në Lindje dhe Perëndim, por Komiteti Ndërkombëtar i Aushvicit e bëri këtë të mundur dhe ndërmjetësoi tek qeveria e Varshavës. Kjo bërëitë mundur që të hidheshin poshtë deklaratat e disa të pandehurve që pretendonin se nga zyra ose vendi i punës së tyre nuk kishin marrë vesh asgjë në lidhje me vrasjet.

Vendimi i vonë

Kur më 19 gusht 1965, gjykata filloi me shpalljen e vendimit salla ishte mbushur deri në karrigen e fundit. Rreth 20.000 vëzhgues kishin marrë pjesë në proces gjatë 20 muajve të fundit. Kundër të pandehurve kryesorë, gjykata vendosi dënime të gjata, madje dhe burgim të përjetshëm. Gjykata vuri në dukje në mënyrë të qartë se edhe sipas ligjit nazist veprat penale kishin qenë të dënueshme.

Pas gjykimit të Frankfurt zelli i drejtësisë gjermane kundër kriminelëve nazistë u zbeh përsëri dukshëm. Nga 6.500 SS në Aushvic u dënuan 29 vetë, ka llogaritur historiani Andreas Eichmüller. Dhe u deshën 40 vjet derisa e ashtuquajtura "gënjeshtra Aushvicit" - pohimi se në Aushvic nuk ishin vrarë njerëz ose ishin vrarë shumë më pak, se sa është dëshmuar historikisht - ndiqet penalisht. Që nga prilli 2005, kjo konsiderohet si nxitje e njerëzve për rebelim.