1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Dorëheqja e kryeministrit hollandez dhe pasojat

24 Prill 2012

Në Holandë dhe Çeki qeveritë janë dorëzuar. Franca gjendet përpara një ndryshimi. Kriza e borxheve bën që qeveritë në Evropë të bien si gurë dominoje. Cilat do të jenë pasojat?

https://p.dw.com/p/14kEI
Kryeministri holandez Mark Rutte
Kryeministri holandez Mark RutteFotografi: AP

Malta, Austria, Luksemburgu dhe Gjermania. Këto janë fortesat e fundit të stabilitetit, nëse e shikojmë situatën nga perspektiva e qeverive në pushtet. Në të gjitha shtetet e tjera të eurozonës që nga fillimi i krizës financiare dhe të borxhit ka patur të paktën një ndryshim të qeverive. Në Greqi ka patur dy kryeministra të rinj, në Holandë pas dorëheqjes së fundit do të mbahen zgjedhjet e dyta parlamentare brenda dy viteve. Qeveritë, edhe pse në vende të ndryshme kanë patur gjithmonë arsye të brendshme politike, u rrëzuan, sepse nuk gjetën receta të efektshme kundër krizës së borxheve. Masat e ashpra të kursimeve, që u desh të ndërmerreshin nga shumë shtete, sollën rënien e qeverive. Këtu nuk luan rolin kryesor orientimi ideologjik i qeverive. Si qeveritë e majta, ashtu edhe të djathta bëhen viktima të krizës. Në Spanjë votuesit e këmbyen socialistin Zapatero me konservatorin Rajoy. Në Itali Berluskoni konservator u zëvendësua me një teknokrat. Franca gjendet tani para ndryshimit nga konservatore në socialiste, në qoftë se kandidati presidencial Hollande më 6 maj do të fitojë në raundin e dytë.

Populistët në ngritje

Në shumë vende gjatë krizës janë krijuar për fat të keq parti protestuese, ose ato ekzistueset kanë fituar përkrahës. Në Holandë populisti i krahut të djathtë Gerd Wilders deri tani toleroi qeverinë dhe tani u kthye kundër masave të kursimit të Brukselit. Një argument absurd, sepse qeveria holandeze ka qenë deri tani një nga përkrahësit më të fortë të politikës së rreptë të konsolidimit në nivel evropian. Në Finlandë, njërin nga katër vendet e fundit me notën e lartë të vlerësimit, AAA, është krijuar partia armiqësore ndaj Evropës "Finlandezët e Vërtetë". Në Francë politikania e djathtë ekstreme Marine Pen Le, ka arritur me qëndrimin e saj antievropian suksesin më të madh elektoral të Frontit Nacional. Këto janë zhvillime alarmante, që nuk ndjehen ende në Gjermani.

Gjermania si ishull

Në vjeshtën e vitit 2013 në Gjermani zgjidhet parlamenti i ri. Pastaj kancelarja gjermane, e cila nga shumë evropianë quhet mjeshtre e kursimit, duhet të ballafaqohet me zgjedhësit. Angela Merkel dëshiron t'i qëndrojë besnike kursit të nisur të konsolidimit të buxhetit përmes uljes së shpenzimeve. Për të nuk ka receta të tjera. Për programet koniunkturore dhe stimujt për rritjen ekonomike me shpenzimet e shtetit mungojnë thjesht paratë. Mund të ishin vetëm programe me kredi. Po kjo do të ishte absurde në krizën e borxhit. Gjermanët jetojnë ende në një ishull me zhvillim të mirë ekonomik, me të ardhura të larta nga taksat, ndërsa përrreth tyre në Evropë ndjehen shumë pasojat e krizës. Pyetja nuk është nëse, por kur ndikimi i kursimeve do të prekë edhe Gjermaninë. Nëse ka fat, kancelarja do të shpëtojë edhe përtej zgjedhjeve të 2013-s. Atëherë nuk përjashtohet krijimi i një partie euroskeptike, "Piratët" tregojnë shenjat e para.

Hollande do të mësojë shpejt

Motori franko-gjerman në Bashkimin Evropian do të funksionojë, edhe në qoftë se në Francë pushteti do të kalojë në duart e një socialisti. Ai mund të pengohet pak, sepse pakti fiskal, një çështje që Merkel e ka për zemër, duhet të ndryshohet, ose të plotësohet. Por pragmatikët në kancelarinë në Berlin e presin tashmë këtë. Përveç kësaj pritet që Francois Hollande do të vihet aq shumë nën presionin e tregjeve financiare, saqë do të ketë pak shanse për të ndryshuar në mënyrë drastike qëndrimin e tij në politikën fiskale. Largimin e aleatëve holandezë në samitet e BE-së mjeshtrat gjermanë të kursimeve do ta ndjejnë. Sepse hollandezët qëndronin deri tani në mënyrë të vendosur në anën gjermane dhe kanë kërkuar gjithnjë nga Greqia dhe vende të tjera në borxhe edhe pak më shumë. Fakti që qeveria holandeze dështoi pikërisht nga paketa e kursimeve për reduktimin e borxhit të vet, është një ironi e historisë.

Aktorët në Evropë ndryshojnë shpejt, por shumë alternativa përveç rrugës së nisur nuk ka. Tregjet financiare kërkojnë një menaxhim të shëndoshë të buxhetit. Kjo është e pashmangshme. Në fund Banka Qendrore Evropiane duhet të reduktojë borxhin, ose çështjen e borxhit të përbashkët. Kjo do të ishte një rrugë, që me siguri do t'u pëlqente spanjollëve francezëve dhe italianëve. Por kjo nuk mund të bëhet dot me kancelaren gjermane Merkel. Ajo e di, se nëse do të sakrifikojë krejtësisht politikën gjermane të stabilitetit monetar, atëherë do të humbasë zgjedhësit konservatorë dhe liberalë. Prandaj ajo e ruan kursin e saj, edhe në qoftë se aleatët e majtë dhe të djathtë anash saj bien.

Autor: Bernd Riegert

Redaktoi: Angjelina Verbica