Merkel: "Do preferoja një vend, ku emri nuk luan rol"
2 Dhjetor 2014Kancelarja Angela Merkel ka paralajmëruar punëdhënësit në Gjermani të jenë më të hapur ndaj migrantëve dhe fëmijëve të tyre në këtë vend. Ajo kritikoi në samitin e shtatë për integrimin në Berlin faktin që aplikantët me emra të huaj e kanë ende të vështirë të gjejnë punë. "Në këtë pikë duhet të përmirësohemi", theksoi politikanja e CDU-së. Por ajo bëri të qartë, se "të dyja palët duhet të lëvizin" me qëllim "që të kemi sukses". Emigrantët dhe familjet e tyre janë një shans për Gjermaninë dhe rritja e numrit të tyre tregon se Gjermania gëzon prestigj të lartë jashtë vendit. Vetëm në vitin 2013 kanë ardhur 1,2 milionë vetë - rritja më e madhe e imigrantëve kjo që prej dy dekadash.
Në samitin e integrimit takohen përfaqësues të federatës, landit, ekonomisë, sindikatave dhe organizatave të emigrantëve. Tema qendrore këtë herë ishin mundësitë e punësimit dhe kualifikimit profesional të të rinjve me sfond të huaj. Qeveria gjermane kërkon të angazhohet më shumë, që të rinjtë të informohen më shumë për shanset e kualifikimit profesional, tha Merkel. Para samitit ajo u takua me të ngarkuarën e qeverisë gjermane për integrimin, Aydan Özoguz (SPD) për t'u informuar për mundësitë e kualifikimit të të rinjve.
Aplikimet anonime si zgjidhje
Një mundësi për më shumë barazi shansesh për njerëzit me sfond të huaj shihet tek procedura e anonimizuar e aplikimeve, sepse shumë kërkesa dështojnë që në fazën e parë. Drejtuesja e qendrës kundër diskriminimit në federatë Christine Lüders së bashku me Komunitetin Turk në Gjermani 8TGD) u shpreh se "punëdhënës privatë dhe publikë lenë pa shfrytëzuar një potencial të madh punëmarrësish dhe kjo në pikun e mungesës së fuqisë së kualifikuar punëtore."
Të dyja organizatat kërkojnë aplikime anonime, pa emrin, vendlindjen, adresën moshën dhe vendlindjen e kombësinë. Edhe informacione si leja e lindjes, shërbimi ushtarak dhe njohuritë e gjuhës do të duhet të hiqen nga aplikimi. Kjo procedurë krijon më shumë shanse të barabarta, thuhet në deklaratën e përbashkët.
Më shumë mundësi për mësimin e gjuhës
Kancelarja gjermane e sheh më e distancuar projektin e aplikimeve anonime, tipike në SHBA, Kanada dhe Britaninë e Madhe: Kjo mund të bëhet, tha ajo në fund të samitit: "Por të them të drejtën më mirë do të preferoja një vend, ku emri nuk luan rol."
Ajo dëshiron një proces të afrimit të dyanshëm. "Integrimi nuk është rrugë njëkalimshe." Merkel kërkon që të rinjve t'u ofrohen më shumë mundësi në mësimin e gjermanishtes dhe në shkollë. Aktualisht shumë shpresëdhënës është projekti i "kualifikimit profesional të asistuar", i cili vlerësohet edhe nga kancelarja Merkel. Në këtë projekt të rinjtë e shtresave sociale me probleme apo me rezultate të dobta në mësime kanë si asistent një ndërmjetësues të agjencisë së punës apo ekspert të një fushe sociale. E ngarkuara për integrimin, Özoguz bën thirrje që prindërve t'u bëhet shumë e qartë rëndësia e një shkollimi të mirë. "Prindërit luajnë një rol shumë të madh", thotë Özoguz.
Kritika për samitin e integrimit
Kritikët e samitit të integrimit shprehen se në samit nuk pati hapa konkretë, veçse shkëmbim mendimesh. Kryetarja e partisë opozitare "E Majta", Katja Kipping, bëri fjalë për një "spektakël". Ajo kërkoi heqjen e barrierave për qytetarët më sfond të huaj si hapjen ndërkulturore, reformën e nënshtetësisë- dhe sigurisht aplikimet anonime.
Debati për ndalimin e burkës shoqëroi samitin e integrimit. Ai u ndez nga deklaratat e deputetes së CDU-së, Julia Klëcker, e cila kërkoi në "Rheinische Post" ndalimin e mbulimit të plotë të femrës. Burka nuk është simbol i shumëllojshmërisë fetare, tha Klëcker. Por vetë në samit kërkesa e deputetes kristiandemokrate nuk luajti ndonjë rol.