1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Mauerfall

9 Nëntor 2009

Njëzetvjetori i rënies së Murit të Berlinit do të festohet në mbarë Gjermaninë. Megjithëse ekzistojnë ende zëra kritikë mbi procesin e ribashkimit të vendit, 9 nëntori 1989 është dita e mrekullisë për historinë gjermane.

https://p.dw.com/p/KRIT

Është dita e pamjeve të prekshme dhe emocioneve të mëdha dhe sigurisht, dita e patosit. Por 9 nëntori është dita e fatit më të madh për historinë më të re gjermane dhe atë evropiane. Kjo ditë nuk i dha fund vetëm një sistemi të rrënuar dhe të padrejtë dhe bashkoi një vend që e ndanë 40 vite me rradhë. 9 nëntori 1989 është gjithashtu dita në të cilën vlerat mbi bashkimin dhe e drejta për liri u rikthyen në të drejta për çdo njeri, në të cilën shoqëria e hapur u lejua më në fund të festonte vetveten në një moment triumfal.

Megjithatë, edhe 20 vite më vonë, duhet theksuar se nuk ishte Perëndimi apo politikanët, ata që e mundësuan këtë ditë. Ishin qytetarët e RDGJ-së, të cilët nuk kërkuan në rrugët e trishtuara të vendit të tyre të ndarë nga një mur asgjë tjetër, përveç asaj që u takonte. Fakti se demonstratat paqësore që zgjatën disa javë sollën rrëzimin e këtij muri, dëshmon se vlerat e e një sistemi demokratik janë të patundshme. Këtë nuk duhet ta harrojnë, sidomos ata që sot ankohen për të ashtuquajturin rrënimin ekonomik të lindjes së Gjermanisë apo ata që e përdorin të drejtën e votës së lirë dhe të fshehtë për të mbështetur parti politike, që eksperimentojnë me kthimin e sistemeve socialiste.

Marc Koch
Marc KochFotografi: DW

Sigurisht që gjatë këtyre 20 viteve të procesit të bashkimit, nuk funksionoi gjithçka në mënyrë perfekte : Premtimet e dhëna parakohe nuk u mbajtën. Terapia e shokut, me të cilën ekonomia sociale e tregut u fut në sektorin e shkatërruar ekonomik të ish RDGj-së, ishte fillimisht për shumë njerëz vetëm një përjetim i dhimbshëm. Megjithatë nuk kishte alternativë tjetër. Sepse fundja me revolucionin në RDGJ nuk u ndryshua totalisht vetëm vendi, por i gjithë sistemi botëror. Më 9 nëntor përfundoi një epokë që zgjati 44 vite, që megjithë rreziqet e konfliktit ndërkombëtar Perëndim-Lindje, ishtë edhe një kohë e lehtësive. Që bota sot është më e komplikuar, më e pakontrollueshme dhe më konfuze se kurrë më parë, ka të bëjë edhe me rënien e Murit të Berlinit. Por pendimi për këtë kthesë do të ishte jo vetëm marrëzi historike por edhe një ofendim për të gjithë ata që u kujdesën në mënyrë aktive që të mundësohej 9 nëntori 1989.

20 vite më pas është edhe herët për të pasur një perceptim real gjerman mbi këtë ngjarje. Ndoshta kjo është arsyeja përse në Gjermani ceremonive festive përkujtimore dhe komenteve mbi këtë ditë u mungojnë shpesh dy elemente thelbësore: Gëzimi dhe krenaria për këtë moment të vetëm, dramatik dhe të pakthyeshëm kur njerëzit nga Lindja dhe Perëndimi përqafonin njëri-tjetrin të përlotur dhe të lumtur, shumë kohë përpara se politika dhe ekonomia deklaruan se ishin zot të procesit të bashkimit. Ky 9 nëntor 1989, i cili erdhi papritur në vend, dëshmon edhe sot se çdo sistem totalitar mund të rrëzohet - edhe në Kubë, edhe në Iran, edhe në Korenë e Veriut. Prandaj kjo ditë nuk është vetëm për Gjermaninë dita e mrekullisë. Vendimi për ta kthyer këtë ditë më në fund në një festë kombëtare gjermane, do të ishtë një sinjal i drejtë dhe i historikisht i rëndësishëm.

Autor : Marc Koch

Redaktoi : Aida Cama