1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Disfatë elektorale për socialistët në Francë

(dpa, rtr) exh31 Mars 2014

Presidenti francez Hollande u dënua masivisht edhe në raundin e dytë të zgjedhjeve komunale. Socialistët e tij humbën në shumë qytete shumicën e tyre. Konservatorët dhe Fronti Nacional ekstremist i djathtë brohorasin.

https://p.dw.com/p/1BYwA
Fotografi: Reuters

Është një humbje e rëndë për Presidentin jopopullor François Hollande. Rezultatet janë "pa dyshim të këqija për të majtën" dhe "zhgënjyese", ishte bilanci i zëdhënëses së qeverisë Najat Vallaud-Belkacem në kanalin televiziv TF1.

Kryeministri francez Jean-Marc Ayralt pranoi një pjesë të përgjegjësisë. Ai premtoi se "mesazhi" i zgjedhësve do të dëgjohet. Duket se socialistët nuk i kanë shpjeguar si duhet reformat e nisura që në vitin 2012, tha kryeministri.

UMP është fitimtarja kryesore e zgjedhjeve

Sipas rezultatit paraprak të Ministrisë së Brendshme, socialistët dhe lista aleate të majta morën në rang vendi 40,6 për qind të votave. Konservatorët në opozitë e përmirësuan rezultatin në 45,9 për qind dhe janë kështu fitimtarët e mëdhenj të këtyre zgjedhjeve. Kryetari i partisë opozitare UMP, Jean-François Copé, përballë suksesit të partisë së tij foli për një "valë", që ka përshirë vendin. "Partia numër një në Francë është UMP", deklaroi ai.

Sipas Ministrisë së Brendshme franceze e majta humbi 155 bashki në qytete me më shumë se 9000 banorë, të cilat tani drejtohen nga partia konservatore në opozitë UMP. Kështu socialistëve iu desh të dorëzonin edhe qendra të forta të tyre si Quimper në perëndim të vendit, Limoges në qendër të Francës, Belfort në lindje, apo Toulouse në jug.

Socialistja Hidalgo merr bashkinë e Parisit

Me Anne Hidalgo kryeqyteti Paris mbetet në drejtimin e socialistëve
Fotografi: picture-alliance/dpa

Megjithatë të majtët arritën të fitonin në disa duele me rëndësi për prestigjin e partisë. Kështu kandidatja socialiste Cécile Helle në Avignon mundi konkurrentin e saj nga Fronti Nacional (FN). Në Lille ish kryetarja e socialistëve Martine Aubry arriti të marrë shumicën.

Dhe në kryeqytetin francez Paris, fitimtare në balotazh doli socialistja Anne Hidalgo, e cila mundi kandidaten e UMP Nathalie Kosciusko-Morizet. Kështu për herë parë një grua merr drejtimin e bashkisë së Parisit.

Hidalgo me origjinë spanjolle ka qenë për vite me radhë zëvendëse e kryetarit të deritanishëm Bertrand Delanoë, i cili në 2001 për herë të parë mori për të majtën bashkinë e kryeqytetit. Kështu Hidalgo i njeh shumë mirë administratën dhe problemet e kryeqytetit, nga mungesa e hapësirës së banimit, trafikun e ngarkuar e deri te kriminaliteti.

Fronti Nacional ekstremist i djathë përmirëson ndjeshëm rezultatin

Fronti Nacional armiqësor ndaj të huajve, i cili mori pjesë në zgjedhje vetëm në qytete të zgjedhura, arriti të përmirësojë sërish rezultatin në raundin e balotazhit, për të arritur në 6,8 për qind. Kandidatët e mbështetur nga FN mundën të merrnin 11 bashki, bëri të ditur kryetarja e partisë Marine le Pen.

Në të ardhmen ekstremistët e djathtë do të jenë të përfaqësuar në të ardhmen në 1200 deri 1300 këshilla qytetesh dhe komunash. Kryetarë bashkish të FN tani ka në Béziers, Fréjus dhe Beaucaire.

Zgjedhjet komunale ishin një test i rëndësishëm dhe i pari në rang vendi për socialistët në qeveri që prej zgjedhjet së Hollande në maj 2012. Vlerat e popullaritetit të tij sipas sondazheve janë përtokë. Premtimet e tij për ndryshim të tendencës në gjendjen e mjeruar të tregut të punës deri tani nuk i ka përmbushur. Në shkurt papunësia me 3,348 milionë vetë dhe kuotë 10,2 për qind arriti një rekord të ri negativ.

Përballë disfatës në zgjedhje tani spekulohet për një ndryshim të kabinetit, ndoshta që gjatë ditës së hënë (31.03.). Në diskutim është është edhe ndryshimi i kryeministrit Ayrault. Pjesëmarrja në zgjedhje ishte 63,7 për qind, një nga nivelet më të ulëta në historinë e vendit.