1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Diplomacia evropiane kërkon të arrijë të pamundurën në Kosovë - shtypi gjerman analizon

12 Gusht 2011

Modeli që kërkon të arrijë bashkësia ndërkombëtare në Kosovë është një lloj si të duash ta kthesh kuadratin në rreth. Vetëbesimi te shqiptarët e Kosovës është rritur dukshëm.

https://p.dw.com/p/12FVJ
Illustration - Verschiedene deutsche Tageszeitungen, wie Mitteldeutsche Zeitung, Sächsische Zeitung, Die Welt, Frankfurter Allgemeine, liegen zur Presseschau bereit, aufgenommen am 23.11.2009 in Leipzig (Wischeffekt). Foto: Jan Woitas
Symbolbild deutsche Presseschau PresseFotografi: picture-alliance/dpa

Lidhur me vizitën e ministrit të Jashtëm gjerman, Guido Westerwelle fillimisht në SÜDDEUTSCHE ZEITUNG lexojmë:

"Në Prishtinë Westerwelle fillimisht bisedoi me presidenten, pastaj me Thaçin dhe ministrin e Jashtëm Enver Hoxhaj. Takimi zgjat më shumë se ishte parashikuar dhe Thaçi nuk mendoi fare që t'i përmbahej protokollit të zakonshëm diplomatik. Paraqitjen e përbashkët me Westerwellen ai nuk ia lë ministrit të tij të Jashtëm, Thaçi preferon të dalë vetë para kamerave televizive. Ai e quan aksionin e Prishtinës të muajit korrik "një domosdoshmëri", qeveria e tij është e interesuar vetëm të zbatojë ligjet e saj. Pastaj Thaçi megjithatë falenderon Kforin dhe shefin e tij Bühler, që janë përkujdesur sërish për paqen në kufi.

Westerwelle duket se nuk ka dëshirë t'i nënvizojë të gjitha këto, por kalon pak kohë deri sa t'i thotë fjalitë vendimtare. Ai thotë: koha e konflikteve të dhunshme përgjatë vijave etnike ka kaluar. Westerwelle mund të jetë i sigurtë se Thaçi po e kupton. Kryeministri i Kosovës nuk ka nevojë për përkthim simultan, ai kupton gjermanisht. Pastaj Westerwelle vazhdon dhe këtë Thaçi e dëgjon me kënaqësi: "Integriteti territorial i Kosovës është i panegociueshëm për Evropën." Dhe vetëm pas kësaj mysafiri nga Gjermania vë mbi tabaka tabletet e tij të hidhura. "Hapat e njëanshëm nuk janë të dobishëm", thotë ai. Westerwelle e ka fjalën për aksionin e embargos së Thaçit, i cili nuk ishte koordinuar me aktorët ndërkombëtarë.

Por edhe ruajtësit ndërkombëtar të paqës në Kosovë ndodhen para një dileme. Në veri të Kosovës, ku jetojnë rreth 50 mijë serbë Prishtina nuk ka pushtet. Kjo gjendje nuk është arritur të ndryshohet përkundër të gjitha përpjekjeve të bashkësisë ndërkombëtare. Serbia përpiqet ende për një ndarje të Kosovës dhe refuzon të njohë shtetin fqinj, gjë që po e bëjnë edhe pesë shtete të BE-së. Por Serbia do të bëhej me dëshirë anëtare e BE-së, po ashtu si edhe Kosova. "Nuk mjafton vetëm dorëzimi i kriminelëve të kërkuar të luftës", thotë Westerwelle, fjalë këto që adresohen në Beograd. "Po ashtu duhet të kapërcehen edhe pengesat e tjera", nënvizon ai.

Westerwelle mëson se sa i theksuar është ndërkohë vetëbesimi në Kosovë

Ndërkaq nga BERLINER ZEITUNG lidhur me këtë temë shkëpusim:

"Në Prishtinë Westerwelle mëson se sa i theksuar është ndërkohë vetëbesimi në Kosovë. Thaçi, i thotë atij shkurt e qartë se vendimi për dërgimin e policisë ishte legjitim. Dhe pikë. "Kjo ishte domosdoshmëri për të zbatuar sundimin e ligjit". "Është arritur siguria për serbët në veri, të cilët deri tani kanë qenë peng të strukturave kriminale. "Megjithatë Thaçi nuk thotë asgjë për faktin se këta serbë nuk duan të mbrohen nga kosovarët. Po ashtu ai nuk flet asgjë për atë se strukturat kriminale nuk ekzistojnë vetëm në veri; por gjithandej në vend."

Westerwelle shikon në këtë moment pak me humor të prishur. Gjermania e ka njohur pavarësinë e Kosovës, pra ai tani duhet të thotë: Pavarësia territoriale e Kosovës për Gjermaninë është e panegociueshme. Harta e Evropës Juglindore tashmë është shkruar. Nuk ka kthim prapa." Diçka të tillë Thaçi e dëgjon me dëshirë. Por pastaj ai tkurr pak buzët kur Westerwele vazhdon dhe i jep Thaçit të kuptojë se evropianët nuk do të durojnë provokime të tjera në kufi.

Diplomacia evropiane përpiqet të arrijë të pamundurën në Kosovë. Rreth 60 mijë serbët në veri nuk e njohin pavarësinë e vendit. Ata duan të jenë pjesë e Serbisë. Diplomatët gjermanë thonë se do të kërkohet një model. Një model që do t'iu japë serbëve të Kosovës ndjenjën se nuk qeverisen nga shqiptarët në Prishtinë, por njëkohësisht nuk do të vinte në pikëpyetje integritetin territorial të shtetit. Kjo është një lloj si të duash ta kthesh kuadratin në rreth.

Autor: bz, sz, / Esat Ahmeti

Redaktoi: Aida Cama