1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Dilema vazhdon - Parlamenti Evropian debaton për gjendjen në Libi

10 Mars 2011

Perëndimi po kërkon një përgjigje për luftën qytetare në Libi. Flitet si për ndihma humanitare ashtu edhe për një zonë të ndalimfluturimit. Në Parlamentin Evropian janë pro këtij vendimi shumë eurodeputetë.

https://p.dw.com/p/10Wdh
Salla plenare e PE-sëFotografi: Photo European Parliament/Architects : Architecture Studio

Një eurodeputet e bëri qartësisht të ilustrueshme dilemën evropiane për Libinë, kur ngriti lart disa fotografi. Aty shiheshin shefat e qeverive evropiane dhe presidenti i BE-së, Herman van Rompuy duke i dhënë dorën pushtetmbajtësit libian Muammar Al- Gaddafi apo duke e përqafuar. Por për përfaqësuesen e lartë të BE-së për Politikën e Jashtme, Catherine Ashton është e padrejtë të fajësosh këdo që ka pasur të bëjë me Gaddafin.

"Angazhimi është më i mirë se sa izolimi. Izolimi e ka efektin e tij në kushte të caktuara, por angazhimi është më i mirë. Ka mundësi që ne e nxorrëm Gaddafin nga epoka e ngricës, por tashmë ka ardhur koha ta ridërgojmë atë sërish atje."

Europa Reform Vertrag tritt in Kraft 1. Dezember 2009
Catherine Ashton përfaqësuesja e lartë e BE-së për Politikën e JashtmeFotografi: AP

Intervenim apo vëzhgim?

Por si mund të ndihmojë BE-ja për t'i dhënë fund luftës në Libi dhe për të shfuqizuar Gaddafin? Qeveria e përkohshme e opozitës është kundër një intervenimi ushtarak nga jashtë, por për një zonë ndalimfluturimi. Por me çfarë mandati? Këshilli i Sigurimit të Kombeve të Bashkuara është i përçarë, si të le të kuptosh politikani liberal gjerman Alexander Graf Lambsdorff:

"Çfarë të bëjmë ne po qe se Moska dhe Pekini nuk japin votën e tyre? Atëherë na duhet ta mbyllim këtë vend bosh nga pikëpamja e së drejtës ndërkombëtare. Megjithatë ne duhet të tregojmë përgjegjësinë që kemi, të mbrojmë popullsinë e pambrojtur. Me ndihmën e Ligës Arabe, me ndihmën e Unionit Afrikan, por edhe me ndihmën e rolit aktiv të Bashkimit Evropian."

Nga ana tjetër socialdemokrati gjerman, Martin Schulz ka dyshimet e veta:

"Sigurisht është e lehtë të thuash: Ne intervenojmë shpejt. Por edhe nëse ia dalim të krijojmë zonën e ndalimfluturimit, duhet që të marrim vendimin e ngritjes së avionëve, të cilët do të shkatërrojnë aviacionin luftarak libian. Këto janë masa lufte, të planifikuara nga NATO. Kjo mund të zgjidhë ndoshta një problem në Libi, por sjell probleme të tjera në të gjithë rajonin."

Martin Schulz
Martin SchulzFotografi: dpa

Refugjatët nga Afrika Veriore- pika e dobët e Evropës

Një temë të cilën u përpoqën ta anashkalonin shumë diskutantë në Parlamentin Evropian ishte ajo e refugjatëve. BE ka ndërmarrë disa hapa për të ndihmuar refugjatët nga Afrika Veriore. Por ajo nuk do t'i pranojë ata. Kryetari i fraksionit të të Gjelbërve në PE, Daniel Cohn-Behndit mendon se vetëm në një rast bëhet e besueshme Evropa:

"Ka miliona njerëz që janë të pranuar nga UNHCR-ja si refugjatë. Lërini të hyjnë në Evropë! Po qe se e bëjmë këtë, atëherë ne japim një sinjal të fuqishëm humanitar dhe politik. Vetëm atëherë do të kofirmohen vlerat evropiane, sepse këto vlera mbrojmë ne edhe në Libi, edhe në Tunizi edhe në Egjipt."

Në sallën e Parlamentit Evropian ndodheshin edhe dy anëtarë të Këshillit Kombëtar të përkohshëm të Libisë, por pa të drejtë fjale. Ata duan që BE ta njohë zyrtarisht Këshillin si partner për bisedime. Por për këtë do të vendosin shefat e qeverive dhe të shteteve të BE-së në samitin e së premtes.

Autor: Christoph Hasselbach/Lindita Arapi

Redaktoi: Esat Ahmeti