1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Evropa

Dilema e BE

Pas viteve të krizës BE i njeh gabimet e ndërtimit të Euros dhe të politikës së jashtme evropiane. Por atij i mungon forca për t'i riparuar si duhet ato, mendon Martin Winter

Bashkimi Evropian ka lënë gjashtë vite të vështira pas vetes. Vitet që vijnë nuk do të jenë të lehta. Vitet e krizës financiare dhe të borxheve ishin mësimdhënëse - dhe ishin të hidhura. Mësimdhënëse sepse treguan mangësitë e ndërtimit politik të BE pas fundit të luftës së ftohtë, ku BE ndihej si fuqia e ardhshme përcaktuese e botës. Të hidhura vitet ishin sepse sollën me vete realizimin që anëtarëve të BE u mungon fuqia, për t'i eleminuar pikërisht këto mangësi.

Asnjë nga dy projektet e mëdha, që do ta ngjiznin së brendshmi dhe me jashtë BE nuk e arriti objektivin e saj. Euroja nuk solli më shumë integrim politik, por një çintegrim në rritje. Besimi dhe solidariteti ia kanë lënë vendin mosbesimit dhe paragjykimeve. Ndërsa politika e përbashkët e jashtme dhe e sigurisë mbetet larg shpresave, mbi të cilat u themelua. Në vend që të jetë i rrethuar nga miq dhe partnerë, BE e sheh veten - siç shkruante gazeta britanike Economist - në një rreth zjarri. Evropa dhe Rusia armatosen kundër njëra-tjetrës. Kaukazi nuk po qetësohet. Lufta në Siri dhe në Irak kërcënon të tërheqë në humnerë gjithë Lindjen e Mesme. Shteti Islamik po shtrihet dhe kërcënon Evropën.

Iluzion i shfryrë

Evropa është bërë paciente për kurim. Kur situata në politikën e jashtme bëhet delikate, atëherë duhet të angazhohen si më parë vendet e mëdha. Dhe ato veprojnë në përputhje me interesat gjermane, franceze dhe britanike. Kjo në një kohë kur BE i rëndon ende në stomak politikisht dhe financiarisht zgjerimi me shtetet e Evropës Lindore dhe Juglindore. Përballë vërshimit të refugjatëve, çdo shtet i BE mendon për vete. Iluzioni i ushqyer në vitet 1990, se bashkimi monetar do të tërhiqte pas vetes edhe atë ekonomik, financiar dhe në politikën e jashtme ka plasur si flluskë sapuni.

Kriza nuk ka nxjerrë në pah vetëm gabimet e ndërtimit të BE, por tregon edhe si mund të eleminohen ato. Por këto nis dilema evropiane: asnjë shtet anëtar në BE nuk është i gatshëm që për të shpëtuar idenë e madhe evropiane t'ia dorëzojë sovranitetin politik dhe ekonomik një qendre evropiane. BE ka avancuar mjaft që prej hapit të parë në vitin 1951. Por shtetet nuk kanë arritur ende në atë shkallë, sa ta zëvendësojnë bashkimin e shteteve të pavarura me një federatë p.sh. të modelit të RFGJ.

Të shkarkohet balasti

Pas triumfit në luftwn e ftohtë dhe në bllokun lindor, politika evropiane e mbivlerësoi veten. Ajo kujtoi se mund ta bënte BE brenda natës nga një fuqi të përqendruar tek vetja, në një fuqi të madhe. Problemet objektive të një monedhe të përbashkët dhe të një politike të jashtme të përbashkët kjo politike i nënvlerësoi. Anketimet tregojnë se qytetarët e duan Bashkimin e tyre. Ai është i këndshëm, i rehatshëm dhe sjell përparësi. Por më shumë pushtet mbi jetën e tyre të përditshme nuk duan t'i japin.

Kjo dilemë midis pretendimeve dhe forcave reale nuk duhet të ketë kuptimin e fundit të BE - nëse BE nxjerr me kthjelltësi përfundimin nga kriza. Ai përfundim është: të shkarkohet balasti. Meqenëse Euro nuk mund të kthehet pas, ajo duhet të forcohet sa të mos kthehet në rrezik ekzistencial. Njëkohësisht në temat e politikës së jashtme dhe të zgjerimit, BE duhet të bëhet më realist. Sepse në këtë krizë në radhë të parë ka rëndësi që nga struktura e brendshme e Evropës të sigurohet aq, sa brezave të ardhshëm t'u mbetet diçka solide, mbi të cilën të mund të ndërtojnë.

Martin Winter ka punuar nga viti 1999 deri 2013 si korrespondent për BE nga Brukseli, për Frankfurter Rundschau dhe Süddeutsche Zeitung. Këtë vit u botua libri i tij "Fundi i një iluzioni - Evropa midis pretendimit, dëshirës dhe realitetit" (Edition Süddeutsche Zeitung)