1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Weißrussland Libyen

3 Mars 2011

Lajmet për planet e arratisjes së Gadafit në Bjellorusi përgënjeshtrohen nga ministria e Jashtme në Minsk. Sa të veçanta janë marrëdhëniet midis Minskut dhe Tripolit?

https://p.dw.com/p/10T27
Presidenti bjellorus Alexander Lukashenko, dhe Moammar Gadhafi në MinskFotografi: AP

Mediet shtetërore bjelloruse nuk u kushtojnë vëmendje veçanërisht të madhe ngjarjeve në Libi, në dallim nga ngjarjet e fundit në Tunizi dhe Egjipt, të cilat u komentuan gjerë e gjatë. Arsyeja për këtë, besojnë vëzhguesit, është marrëdhënia e veçantë midis Bjellorusisë dhe Libisë, që mbështetet në simpatinë e ndërsjellë të dy krerëve të shteteve Muammar al-Gaddafi dhe Aleksandr Lukashenko.

Marrëdhënie diplomatike midis dy vendeve ekzistojnë prej 15 vjetësh. Vëzhguesit mendojnë se vitet e fundit është zhvilluar më tej para së gjithash komponenti politik në marrëdhëniet dypalëshe, sepse nuk mund të bëhet fjalë për marrëdhënie ekonomike që ja vlen të përmenden.

Vizita në Tripoli dhe Minsk

Gurët kilometrikë më të rëndësishëm në afrimin politik midis dy vendeve ishin vizita e presidentit bjellorus Aleksandr Lukashenko në Tripoli në vitin 2000 dhe ajo e kreut të shtetit libian Gaddafi në Minsk në vitin 2008.

Montage Belarus Lukaschenko Gaddafi
Diktatorë míqFotografi: dw/picture-alliance/dpa

Gjatë vizitës së tij në Libi Lukashenkos iu dha nga Gaddafi „Urdhri i Revolucionit“. Gaddafi e cilësoi asokohe perspektivën e marrëdhënieve ekonomike dypalëshe si "impresionuese". Gjatë vizitës së Gaddafit në Minsk televizioni shtetëror bjellorus njoftoi, se dy krerët e shteteve bisedonin tashmë si shokë të vjetër. Në këto takime u theksua, se pala bjelloruse ishte e gatshme për zhvillimin e një dialogu për të gjitha çështjet me udhëheqjen libiane.

Plane, por jo zbatim

Megjithatë vëllimi tregtar dypalësh kapi në vitin e vizitës së Gaddafit, 2008, vetëm rreth 19 miliardë dollarë. Që vitin pasardhës tregtia dypalëshe u tkurr me rreth një të dytën.

Eksportet bjelloruse në Libi përbëhej kryesisht nga prodhime të fabrikës së automjeteve të Minskut, nga qumësht-pluhur dhe prodhime gjysmë të gatshme çeliku karboni. Paralelisht me këtë u nagociua për montimin e mundshëm të automjeteve dhe traktorëve bjellorusë, por edhe për prodhimin e barnave, ndërtimin e rrugëve dhe të spitaleve. Eksporte libiane në Bjellorusi gati nuk ka.

Brothers in arms?

Megjithatë vitet e fundit ka pasur vizita të ndërsjella të delegacioneve nga të dy vendet, të cilat me sa duket nuk kanë pasur si synim vetëm marrëdhëniet ekonomiko-tregtare (siç bëhej gjithnjë e ditur zyrtarisht). Për shembull, në dhjetor 2009 u zhvillua një vizitë e një delegacioni nën drejtimin e ministrit bjellorus të mbrojtjes Jurij Shadobinij në Libi.

Infografik EU Nachbarschaftspolitik Flash-Galerie

Siç thotë politologu bjellorus Andrej Fjodorov, kontakte të tilla mund të flasin për një bashkëpunim në sektorin tekniko-ushtarak. Vëllimi mjaft i vogël tregtar midis dy vendeve, thotë Fjodorov, nuk është indikator, që nuk ka tregti armësh midis Minskut dhe Tripolit. Sipas tij Bjellorusia nuk i jep shifrat e të ardhurave në buxhetin e shtetit dhe në raportet zyrtare, të realizuara prej shitjes së armëve.

Sipas Fjodorovit sektori ushtarak është njëri nga tre komponentët e miqësisë, që ka ekzistuar së paku deri para pak kohësh midis Bjellorusisë dhe Libisë. Komponenti i dytë është vajguri, për të cilin Bjellorusia ka shpresuar për një kohë të gjatë, para se Minsku të thellonte marrëdhëniet me Venezuelën. Dhe komponenti i tretë, sipas Fjodorovit, është afiniteti ideologjik midis dy udhëheqësve të shtetit. Ky përmban parapëlqimin e të ashtuquajturit rend botëror shumëpolësh si dhe antipatinë e përgjithshme ndaj SHBA-së.

Autor: Andrej Timarow/ Elert Ajazaj

Redaktoi: Aida Cama