"Dialog pa negociata" - Bisedime të reja izraelito-palestineze
28 Qershor 2012Për të dielën në Ramallah është planifikuar të zhvillohen bisedime mes presidentit palestinez Mahmud Abas dhe zëvendëskryeministrit izraelit Shaul Mofaz, tha të enjten (28.06.) negociatori palestinez Sajeb Erakat. Zëdhënësi i Mofas Imri Masor konfirmoi përgatitjet e një takimi por nuk deshi të përmendë një datë të saktë. Deri tani palestinezët e kishin kushtëzuar rinisjen e bisedimeve të paqes me ndërprejen e ngritjes së ngulimeve të reja hebreje. Izraeli nga ana tjetër këmbëngul për zhvillimin e bisedimeve pa kushte.
Takimi më i lartë izraelito-palestinez prej disa muajsh
Në takimin që pritet të zhvillohet të dielën Abas do të dëgjojë "idetë" e Mofas-it, tha negociatori palestinez. Në të njëjtën kohë Shtajeh theksoi se nuk pret që qeveria aktuale izraelite "të ofrojë diçka serioze për procesin e paqes".
Gjatë një vizite të presidentit rus Vladimir Putin në Betlehem (26.06.) presidenti palestinez Mahmud Abas ka kërkuar organizimin e një konference ndërkombëtare për paqen në Lindjen e Mesme. Rruga e paqes kalon përmes negociatave me Izraelin, për këtë duhet të organizohet një konferencë në Moskë, tha Abas pas takimit të martën në Bregun Perëndimor të lumit Jordan. Putini e përshendeti "qëndrimin e përgjegjshëm" të Abasit në procesin e paqes.
Putini mbështet Abasin për lirimin e të burgosurëve
Nga Putini Abasi mori mbështetjen në përpjekjet e tij për lirimin e 123 të burgosurëve palestinezë nga burgjet izraelite, të cilët janë arrestuar para marrëveshjeve të Oslos të vitit 1993 dhe 1994. Në rast të lirimit të tyre atëherë presidenti palestinez është i gatshëm për një "dialog pa negociata" me kryeministrin Netanjahu.