1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Ukraina në mëdyshje rreth bujarisë së Putinit

Roman Goncharenko / Pandeli Pani19 Dhjetor 2013

Ukraina merr para nga Rusia. Çfarë do të thotë kjo për vendin? Ekspertët presin një varësi të fortë prej Moskës nga ku Janukoviç kthehet si fitues.

https://p.dw.com/p/1Aby2
Fotografi: picture-alliance/dpa

"Dhuratat e Putinit" e titullonte të mërkurën (18.12) artikullin e saj një gazetë e Kievit. Një gazetë tjetër shkruan me gëzim se monedha e Ukrainës hrivna do të "mbetet e qëndrueshme". "Gazi i lirë dhe një kredi, cili është haraçi?" pyet një e tretë.

"Për sa kohë kjo pyetje nuk merr përgjigje, marrëveshjet e reja midis Rusisë dhe Ukrainës është e vështirë të vlerësohen" tha në një intervistë me Deutsche Welle, eksperti ekonomik nga Kievi Andrij Novak. Ai nuk beson tek bujaria e Rusisë. "Çmimi ka të ngjarë të jetë i lartë."

Asnjë fjalë mbi bashkimin doganor me Rusinë

Presidenti ukrainas Viktor Janukoviç nënshkroi gjatë një takimi me homologun e tij rus Vladimir Putin në Moskë të martën, disa kontrata. Nga janari Ukraina mund të blejë gaz nga Rusia pothuajse me gjysmën e çmimit të mëparshëm (268,5 dollarë për 1,000 metra kub në vend të 530). Rusia i jep Ukrainës edhe një kredi prej 15 miliardë dollarësh.

Viktor Janukoviç dhe Vladimir Putin
Viktor Janukoviç dhe Vladimir PutinFotografi: Reuters

Përveç kësaj do të hiqen kufizimet tregtare ruse që e kishin rënduar shumë muajt e fundit ekonominë e Ukrainës. Sidomos oligarkët ukrainas do të jenë të lumtur për këtë gjë. Të gjitha llojet e mallrave ukrainase - qofshin tuba çeliku, vagonë treni apo çokollata - mund të eksportohen si dhe më parë pa kufizime doganore në Rusi. Po ashtu u ra dakord për projekte të reja në sektorin e energjisë, të industrisë së prodhimit të avionëve dhe të industrisë së hapësirës ajrore.

Putini theksoi se në Moskë nuk u fol për ndonjë bashkim doganor të të dy vendeve. Qeveria ukrainase tha se do të vazhdojë kursin e afrimit me BE-në.

Moska ka arsye gjeopolitike

Kundërshtarët e qeverisë të cilët demonstrojnë në Sheshin e Pavarësisë në Kiev për afrimin e Ukrainës me Bashkimin Evropian në vend të Rusisë thonë se marrëveshjet bien erë tradhti. Arsyeja për ndryshimin e papritur të qëndrimit të Putinit është gjeopolitika, tha për DW eksperti ekonomik nga Kievi Ihor Burakovski. "Rusia dëshiron të rivendosë një lloj Bashkimi Sovjetik dhe për këtë arsye është e gatshme t'i japë Ukrainës një shumë të hollash," thotë ai. "Moska po bëhet donatorja më e madhe në Kiev. Varësia financiare do të bëhet edhe më e madhe."

Kundërshtarët e qeverisë që demonstrojnë në Sheshin e Pavarësisë në Kiev .
Fotografi: Reuters

Edhe opozita u shpreh në mënyrë të ngjashme. Arsenij Jazenjuk udhëheqësi i partisë "Atdheu" tha se "djathë falas ka vetëm në çarkun e miut".

Klitschko do të sfidojë presidentin

Opozita vazhdon të kërkojë zgjedhje të parakohshme parlamentare dhe presidenciale. Ajo do të arrijë me protestat e tjera dhe një votë mosbesimi në parlament. Zgjedhjet e rregullta presidenciale janë planifikuar për në mars 2015.

Vitali Klitschko e shpalli ndërkohë Janukoviçin si "kundërshtarin" e tij kryesor. Politikani opozitar dhe kampioni i boksit është aktualisht i vetmo politikan opozitar, që ka shpallur se do të kandidojë për president.

Vitali Klitschko
Fotografi: picture-alliance/dpa

Janukoviçi kthet si fitues

Megjithatë vëzhguesit në Kiev mendojnë se zgjedhjet e parakohshme janë pak të mundshme. Pasi mbështetjes Ruse për Janukoviçin, presidenti ukrainas kthehet si fitimtar në Kiev. Me Putin miliardat e Putinit ai mundi ta shmangë rrezikun e falimentimit të shtetit. Sipas vlerësimeve pa këto kredi Ukraina do të kishte falimentuar brenda rreth tre javësh. Një gjyqtar nga Kievi thotë se ai dhe kolegët kanë dy muaj që nuk marrin rroga. Gjykatësit janë ndër mbështetësit e presidentit në Ukrainë.

Edhe pasuesit e qeverisë nga lindja dhe jugu i Ukrainës që demonstrojnë pro qeverisë në zonën e ndërtesave qeveritare në Kiev, janë të gëzuar për marrëveshjet me Moskën.

Dhe pas ndihmave nga Moska Janukoviçi nuk ka pse të ketë frikë për ndonjë kryengritje. Thirrja e opozitës për grevë të përgjithshme nuk gjeti përkrahje. Në sheshin Maidan vazhdojnë demonstratën disa mijëra vetë që betohen për "fitoren e revolucionit". Nga ana tjetër miliona banorë të Kievit vazhdojnë jetën e tyre të përditshme.