Dhjetëra mijëra katalanë kërkojnë pavarësi
20 Tetor 2014"Koha është pjekur" dhe "ne jemi gati" shkruhet në banderolat e demonstruesve. Shumë mbanin t-shirte të verdha dhe tundnin flamuj katalanas. Rreth 100.000 vetë, sipas informacioneve të medieve morën pjesë në manifestimin e protestës në kryeqytetin rajonal katalonjas. Për demonstratën pati bërë thirrje Asambleja Nacionale Katalanase (ANC) dhe shoqata kulturore Omnium, të cilët patën organizuar në të kaluarën disa manifestime masive për shkëputje të rajonit nga Spanja.
Votim në vend të refendumit
Në Katalonjë pritet të ketë vetëm një votim me rezultat jodetyrues për shkëputjen e rajonit nga Spanja. Referendumi i planifikuar më parë nuk është më në tryezë, të paktën tani për tani. Sfondi është një krizë kushtetuese që e kërcënon vendin.
Kërkesë për zgjedhje të reja
Zgjedhje të parakohshme për parlamentin rajonal brenda tri muajve të ardhshëm - kjo është kërkesa e fuqishme e demonstruesve. Sipas vullnetit të tyre, partitë që mbështesin pavarësinë e Katalonjës duhet të krijojnë një listë të përbashkët kandidatësh, në mënyrë që zgjedhja të marrë një karakter plebiscitar.
Kryeministri i qeverisë rajonale të Katalonjës, Artur Mas bëri të ditur të enjten se do të pyesë në 9 nëntor qytetarët për pavarësinë e rajonit, pa qenë i detyruar nga përfundimi i votimit. Më parë, qeveria katalanase donte të mbante një referendum të pavarësisë. Por në fund të shtatorit atë e ndaloi Gjykata Kushtetuese e Spanjës.
Madridit nuk i pëlqen votimi i qytetarëve
Qeveria e Madridit i pajti quajtur gjithmonë antikushtetuese planet për referendum dhe pati argumentuar se për pavarësinë e Katalonjës mund të vendosë vetëm i gjithë populli spanjoll. Ka mundësi që qeveria spanjolle ta kontestojë edhe votimin alternativ para Gjykatës Kushtetuese. "Rajonet lejohet të mbajnë referendume për tema, që janë në kompetencat e tyre", pati argumentuar ministri i Drejtësisë, Rafael Catala. Çështja e pavarësisë i tejkalon kompetencat e një qeverie rajonale.
Katalonja, me Barcelonën e preferuar nga turistët është një rajon relativisht i pasur në Spanjën e përfshirë nga kriza. Katalanët, që kanë një gjuhë të ndryshme nga spanjishtja dhe që janë krenarë për natyrën e tyre kulturore, përfaqësojnë 16 përqind të spanjollëve. Veçanërisht të nxitur nga kriza e rëndë ekonomike, vitet e fundit është shtuar dëshira e shumë njerëzve për pavarësi. Mbështetësit e pavarësisë argumentojnë se rajoni do të jetonte më mirë ekonomikisht po të shkëputej.
Një rajon i ndarë
Megjithatë, katalanët janë të ndarë për çështjen e pavarësisë. Gati gjysma e popullatës së rajonit është pro pavarësisë, gjysma tjetër e kundërshton pavarësinë. Së fundi, rreth 40.000 vetë protestuan kundër një shkëputjeje nga Spanja dhe patën kërkuar dorëheqjen e presidentit rajonal Mas.